Mediat kryesore audiovizive, print dhe online në Shqipëri përdoren si altoparlant për të përhapur propagandën e Bashkisë së Tiranës. MediaLook ka monitoruar dhe analizuar në faqet online raportimet e njoftimeve për shtyp të këtij institucioni nga ku rezulton se pjesa dërrmuese e mediave i publikojnë e transmetojnë ato, pa filtrim apo editim.
Hulumtimi i “media watchdog-ut” MediaLook është realizuar për një periudhë tre mujore mars-maj 2018. Ky vëzhgim është kryer sipas një metode kampionimi joprobabiliste me intervale të rregullta kohore (në total 15 ditë monitorim), mbi produktin mediatik që publikohet në versionin online. Në total janë marrë në shqyrtim 30 ndër mediat më të mëdha tradicionale e të reja në Shqipëri.
Nga monitorimi rezulton se artikujt apo kronikat e transmetuara gjatë kësaj periudhe në faqet online të televizioneve kombëtare në transmetimet dixhitale, Top Channel e TV Klan, në mbi 65% të përmbajtjes së tyre në tekst përputhen me njoftimin e dërguar nga zyra e PR-it të Bashkisë së Tiranës. Ndërsa në televizionin Vizion Plus ngjashmëria rezulton të jetë 58% (tekst + sinkron i zbardhur). Nga vëzhgimi është vërejtur se një pjesë e konsiderueshme e fotove dhe videove të transmetuara në këto ekrane kanë qenë të ngjashme me ato të shpërndara nga Bashkia Tiranë.
Gjithashtu, monitorimi evidenton se krahas televizioneve, ndikimi i Bashkisë së Tiranës duket i konsiderueshem edhe mbi lajmet e publikuara në versionin online të gazetës me tirazhin më të madh në vend, Panorama. Sipas këtij vëzhgimi rezulton se ngjashmëria e lajmeve te publikuara nga faqja www.panorama.com.al me njoftimet në faqen e Bashkise së Tiranës është 86.4%.
Por ky monitorim është cilësuar si i paplotë nga kryeredaktori i Gazetës Panorama, Robert Rakipllari, pasi sipas tij, në objektin e hulumtimit krahas mënyrës së pasqyrimit të njoftimeve të Bashkisë duhet të ishin përfshirë dhe artikujt e tjerë kritikë që kjo e përditshme ka bërë në versionin e saj online:
“Ne nuk i botojmë te gjitha njoftimet e Bashkisë, sepse ajo dërgon njoftime nga dy ose tre ne dite, por filtrojmë dhe botojmë ato njoftime që mendojmë se kanë interes për publikun. Ne i qëndrojmë versioneve zyrtare, dhe për sa kohë që botohen kanë interes për publikun, por krahas kësaj ne bëjmë kërkimet dhe lajmet tona për Bashkinë, të cilat monitorimi juaj nuk i përfshin dhe për mendimin tim ai është i paplotë.”, – deklaron Rakipllari.
Në këtë matje të MediaLook, evidentohet edhe një statistikë shqetësuese mbi portalin e parë të lajmeve në Shqipëri, www.balkanweb.com, që është dhe faqja online e një prej televizioneve kryesorë informativ në vend, News24. Nga monitorimi rezultoi se mesatarja e përputhshmërisë mes lajmeve të Balkanweb dhe njoftimit të Bashkisë Tiranë ishte 93%. I kontaktuar nga MediaLook, drejtori i përgjithshëm i News 24, Balkanweb dhe Gazetës Shqiptare, z.Andi Tela, ka thënë se nuk mund të jepte një koment për këtë, pa shqyrtuar më parë problematikën.
Në radhët e mediave të tjera vërehet një ngjashmëri shumë e madhe mes lajmeve të Bashkisë dhe gazetës Tema Online, ku mesatarja e përputhshmërisë përgjatë 15 ditëve të vëzhguara rezulton të jetë 82.1%. Portalet që plotësojnë listën e dhjetë mediave që publikojnë lajme me kontent të ngjashëm me atë të institucionit vendor, janë Shqiptarja.com, Syri.net, Albeu e Gazeta Dita.
I kontaktuar nga MediaLook, kryeredaktori i gazetës Dita, Adrian Thano, theksoi se përgjegjës për këtë problematikë, pjesë e të cilës është dhe portali i tij, janë gazetarët:
“Gjithë brezi i gazetareve që del nga gazetaria sot është i dështuar, pa asnjë lloj ambicie, as një lloj pasioni, nuk dinë të raportojnë! Kjo reflektohet edhe në këtë që ke konstatuar edhe ti, ku i marrin ato komunikatat e shtypit dhe kjo nuk ndodh vetëm për Bashkinë, por edhe për institucionet e tjera, është e njëjta histori.”, – shprehet Thano.
Drejtuesit e portalit Albeu janë shprehur për MediaLook se në rastet e publikimit të artikujve mbi Bashkinë Tiranë, etika profesionale e kërkon dhe botimin e plotë të njoftimeve të palës së prekur. Ndërsa kryeredaktori i Gazetës Tema Online ka thënë se një pjesë e aktiviteteve ndiqen në mënyrë më të thelluar, ndërsa pjesa tjetër publikohet e paedituar edhe për të plotësuar rubrikat e shumta të faqes. Ndërkaq, MediaLook ka kontaktuar edhe drejtuesit e tjerë të portaleve të sipërcituara, të cilët janë rezervuar të komentojnë vëzhgimin.
Krahas gjetjeve të mësipërme, ajo që ka rënë në sy gjatë monitorimit është fakti se çdo aktivitet i Bashkisë së Tiranës, pavarësisht nëse përmbante apo jo informacion me interes të gjerë publik është pasqyruar në të paktën 25 media kryesore në vend.
Në lajmet e publikuara nga këto media, në pjesën dërrmuese të rasteve është vënë re mungesa e rolit të gazetarit si një filtër mes njoftimeve të Bashkisë dhe publikut, duke bërë me qëllim ose jo propagandën e këtij institucioni. Këta të fundit, me konsensusin edhe të editorëve të cilët kanë detyrë të kontrollojnë produktin final të lajmit, luajnë thjesht rolin e transmetuesit të këtyre kronikave të parapërgatitura.Metodologjia e monitorimit
MediaLook ka përdorur një metodë kampionimi joprobabiliste me intervale të rregullta kohore përgjatë periudhës mars-maj 2018. Në rastin konkret matja është kryer për pesë ditët e fundit të muajve mars, prill dhe maj të këtij viti, pra në total është vëzhguar mënyra e pasqyrimit të njoftimeve për shtyp të Bashkisë Tiranë në faqet online të televizioneve, gazetave dhe portaleve për 15 ditë.
Por si është realizuar kjo matje?
MediaLook ka mbledhur njoftimet për shtyp që specialistët e zyrës së PR-it pranë Bashkisë së Tiranës u ka dërguar çdo redaksie lajmesh, të cilat përkojnë dhe me deklaratat që publikohen edhe në faqen online të saj.
Më pas janë hapur disa llogari në portalin www.copyleaks.com, një ndër programet më të përdorur në nivel botëror për evidentimin e plagjiaturës. Ky program përdor algoritme inteligjente për të skanuar dhe evidentuar tekste të ngjashme në përmbajtje në të gjitha gjuhët.
Në rastin konkret, janë marrë tekstet e njoftimeve të Bashkisë së Tiranës dhe janë hedhur në program, e më pas ky i fundit ka rrëmuar në motorët e kërkimit dhe ka gjeneruar në mënyrë automatike faqet me tekst të ngjashëm. Programi në fjalë, jo vetëm që evidenton adresat ku janë publikuar këto tekste, por gjurmon dhe numrin e fjalëve të përbashkëta, të cilat i shpreh në fjalë dhe përputhshmërinë e teksteve në përqindje.
Pasi janë mbledhur të dhënat për 15 ditë monitorim, ka rezultuar se nga 15 njoftime për shtyp programi ka gjetur gjurmë të tyre në të paktën 442 faqe të ndryshme portalesh dhe profile në rrjetet sociale.
Megjithatë, duhet evidentuar se përgjatë kërkimeve janë vërejtur disa problematika, pasi programi Copyleaks nuk arrinte ti evidentonte të gjitha sajtet objekt studimi, për shkak të flitrave mbrojtës që kishin disa prej tyre. Në këto raste, MediaLook ka zhvilluar në mënyrë manuale krahasimin e lajmeve me tekstet e Bashkisë Tiranë.
Sakaq, sikurse mund të evidentohet në databazën e publikuar nga MediaLook vërehet se në lajmet e televizioneve, që për nga vetë mediumi kanë formë tjetër të shkruari, ka më pak tekst por përqindja e ndikimit nga lajmet e bashkisë rezulton të jetë e relativisht e lartë. Duhet thënë se në këto raste është analizuar numri i fjalëve që përputhet me njoftimin e Bashkisë, në raport me totalin e fjalëve të lajmit. Theksojmë se si në rastin e televizioneve ashtu dhe ato të portaleve online në përqindjen totale të përputhshmërisë është matur lajmi (tekst + sinkron i zbardhur) dhe është krahasuar me tekstin e plotë të njoftimit të Bashkisë.
30 televizione, gazeta e portale online të monitoruara
Në fakt, objekt monitorimi në idenë fillestare kanë qenë të gjitha mediat që operojnë online, nga ku programi Copyleaks do të evidentonte gjurmë të tekstit të njoftimeve të Bashkisë Tiranë. Por nga testimi paraprak i metodologjisë, sipas termave të gazetarit Philip Meyer që njihet për aplikimin e zhanrit të “gazetarisë së përpiktë”, mediat online të vëzhguara u reduktuan në 30. Ja cilat janë ato:
Nga ky total mediash, pas përpunimit të të dhënave të monitorimit është realizuar klasifikimi i dhjetë prej mediave të cilat në raportimin e tyre, përgjatë periudhës së vëzhguar, kanë patur përputhshmëri më të lartë të lajmeve të tyre krahasuar me Bashkinë Tiranë.
Shënim: Për të aksesuar informacionin e detajuar ne databazë duhet të klikoni mbi fotot.