Një arkivë “cloud” me domain “.al” të Shqipërisë dhe logo foton e Al Capones ofron afro 45 GB materiale pedopornografike me të mitur, adoleshentë e të rritur kundrejt pagesave në internet, ndërsa operon e pashqetësuar nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare apo Sektori i Hetimit të Krimit Kompjuterik në Policinë e Shtetit.

Pas investigimit të MediaLook mbi krimet seksuale me të mitur në Shqipëri, për një periudhë dhjetë vjeçare, nga viti 2010-2019, shoqata “Meter”, e cila prej vitesh publikon raporte vjetore në kuadër të Observatorit Botëror Kundër Pedofilisë, ka sinjalizuar përmes email edhe Qendrën Shqiptare MediaLook në lidhje me faqen “file.al” që përmban mbi 700 materiale pornografike me minoren.

I njëjti email, të cilin agjencia italiane e ka referuar në autoritetet policore të Katanias, i është dërguar dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, por pavarësisht se kanë kaluar gjashtë ditë nga sinjalizimi, agjencia shqiptare nuk ka ndërhyre ende për të fshirë materialet, të cilët janë lehtësisht të aksesueshme kundrejt pagesave që fillojnë nga 15 $.

Nga vëzhgimi i MediaLook vërehet se në këtë arkivë “cloud” ofrohen video me përmbajte të rëndë pornografie të abuzimeve me fëmijë, meshkuj e femra, të moshave nga 5-6 vjeçare e deri te 12, 13 e 14-vjeçare. Përmbajtjet multimediale janë të formateve video, foto, GIF, linqe por dhe regjistrime nga komunikimet online me të mitur. Volumi i gjithë kësaj databazë me materiale pornografike online shkon në më shumë se 45 GB.

Ky kontent është lejuar të qarkullojë lirshëm nga AKEP në zonën “.al” të administruar prej tij dhe nuk është zbuluar as nga sistemet e Policisë së Shtetit për krime të tilla seksuale online.

Materialet pedopornografike në adresën me domain “.al” të Shqipërisë u gjurmuan nga sistemi kompjuterik i Shoqatës Meter Online e cila ka si qëllim parësor denoncimin e adresave dhe site-ve me përmbajtje të dyshimtë te autoritetet lokale, ndër të cilat dhe AKEP për rastin Shqiptar. Kjo Shoqatë që operon prej vitit 1989 në Itali. Ajo ka një bashkëpunim shumë të ngushte me agjencitë dhe strukturat policore të Polonisë, Gjermanisë, Francës, etj.

Cfarë është File.al?

File.al është një arkivë online ku ngarkohen materiale multimediale të formateve të ndryshme në “cloud” me qëllim transferimin, shpërndarjen dhe e tyre nga kompjuteri, tablete e smartphone. Ajo është e ngjashme me arkiva si WeTransfer, Dropbox, Google Cloud, etj, por mesa kuptohet nga përmbajtja e materialeve të ngarkuara, filtrat në serverët e këtij shërbimi janë thuajse inekzistent.

MediaLook tentoi të gjurmonte IP-të që gjenerohen nga adresa www.file.al dhe nga një kërkim i thjeshtë në internet rezulton se serverët e saj rezultojnë të jenë në Moldavi, por ky informacion duhet marrë me rezervë për shkak të mundësive teknike për të devijuar IP-të.

Shqipëria e gjashta në Europë për domaine “.al” me përmbajtje pedofilie

Në raportin e fundit të Observatorit Botëror Kundër Pedofilisë, publikuar më 3 qershor 2020, Shqipëria renditet në vendin e gjashtë, tre shkallë më poshtë se viti i kaluar, për videot, fotot apo linqet me përmbajtje të abuzimit seksual me të mitur që vinin nga adresat me prapashtesën “.al” të Shqipërisë.

Gjithsej, sistemi kompjuterik i gjurmimit të materialeve problematike online të shoqatës “Meter”, ka pikasur 21 raste, shumë më pak se 302 formate të gjurmuara në vitin 2018. Kjo sipas inxhiniereve të kësaj agjencie lidhet dhe me faktin se “tregtarët e seksit” me të mitur por dhe vetë predatorët online kanë sofistikuar mënyrat e tyre për të konsumuar pedofilinë online dhe kjo s’do të thotë aspak se ka një rënie të këtyre rasteve.

Por pavarësisht këtyre statistikave të Observatorit Botëror Kundër Pedofilisë, në investigimin e publikuar nga MediaLook më 13 Prill 2020, AKEP deklaronte se “përgjatë periudhës 2010-2019 nuk është konstatuar faqe me domain në zonën .al me përmbajtje pornografie ose materiale të dëmshme me të mitur.

Ndërkaq, në përgjigje të një kërkese nga MediaLook, Prokuroria e Përgjithshme  bënte me dije se gjatë pesë vjetëve të fundit, Janar 2014- Qershor 2019, nga një numër i konsiderueshëm referimesh për nenin 117 të Pornografisë ku klasifikohen edhe çështjet e krimeve seksuale me të mitur, kanë nisur hetimet për 128 raste, nga të cilat 12 janë pushuar dhe vetëm dy janë dërguar në gjyq. Këto të fundit, pra vetem 1.56% e rasteve, kanë përfunduar me një vendim dënimi.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

3 KOMENTE

  1. Nuk duhet ta etiketoni AKEP si fajtor, sepse ai e ka te ndaluar te shqyrtoje permbajtjet e faqeve te internetit.
    Emri i domainit eshte thjesht bashkim karakteresh dhe nuk te ndalon AKEP te marresh emrin gomari.al dhe aty te publikosh per Lopet. Edhe emri i domainit medialook.al mund te perdorej per cfaredo lloj gjeje.
    Keshtu qe shume mire qe ngrini problemin por mos e quani si nje skandal te AKEP.
    Se pari duhet gjetur kush institucion ka kompetence te shqyrtoje kete permbajtje, sepse AKEP e ka te ndaluar me Ligj, sic e paska thene ne shkresen e tij. Keshtu qe edhe shkrimi juaj kerkon riredaktim.

  2. Ska lidhje Akepi me kete problem. Une kam nje domain hapsyte.al dhe bej aty shkrime per luften e trete boterore qe mund te vije dhe video te luftes se dyte boterore ku ka edhe vrasje te cdo lloji. Pse qenka Akep problem? Emrin e domainit e merr ne AKEP sic e do dhe mesojeni qe domaini perdoret per shume gjera teknike ku perfshihet edhe pasja e nje faqe interneti, per emaile, etj. Pra ska lidhje fare AKEP me problemin.

  3. Z. Ervin, po sikur ta shitni domainin medialook.al dhe ai qe e merr ta mbushe me permbajtje pornografike, kush e ka fajin? Akepi? Cpune ka Akepi me cfare permban faqja e internetit? Merruni me problemin dhe adresojeni tek Qendra Shqiptare per Mbrojtjen e te Drejtave te Femijeve. Ata e dine kush ta kompetence te shqyrtoje pornografite. Mesa di une e ka Policia dhe Prokuroria kete si detyre. Nese keta ja kerkojne Akepit ta mbylle si faqe, le ta mbylle. Por nuk i mbyll dot gjithe faqet Akepi se keshtu mbyllet interneti. Pra, behet denoncim, fillojne investigimet dhe hetimet, gjendet pronari i kesaj faqe dhe i vihen prangat. Kjo nuk eshte e veshtire sepse dikush paguan online per ti pare dhe ai qe merr leket eshte autori i faqes dhe videove. Pra ja ku u gjet dhe kapet.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu