Në 1 prillin e këtij viti kryeministri paralajmëroi përgatitjen e një podcasti ku do të zhvillonte biseda me të ftuar të ndryshëm, ku përfshiheshin edhe kandidatë për kryetar të bashkive të vendit që do të garonin në zgjedhjet e 14 majit.
Një lëvizje e tillë e kryeministrit Rama, tashmë në rolin e gazetarit-moderator ishte një tjetër formë e përdorimit të medias, këtë radhë me një medium të ri. Qëllimi i kreut të qerverisë ishte shndërrimi i podcastit në një instrument të propagandimit të ideve të tij politike.
Për këtë arsye, ai e zgjeroi natyrën e të ftuarve të tij, duke përzgjedhur figura dhe personazhe që kishin mbështetje të gjerë publike. I tillë ishte edhe rasti i fituesit të Big Brother VIP Albania II, 2023, Luiz Ejlli.
Duke pasur parasysh se Luiz Ejlli ishte një personazh mjaft i ndjekur në spektaklin televiziv “Big Brother Vip Albania II, 2023”, kryeministri Edi Rama e përdori figurën e tij jo vetëm gjatë fushatës elektorale por edhe fill pas saj.
Në intervistën e zhvilluar në podcastin e tij, Rama arrin që përmes vetë fjalëve të Luiz Ejllit, ta shndërrojë atë në kapital politik.
Kështu në intervistën e zhvilluar më 20 maj në podcastin e kryeministrit të titulluar “Flasim”, Luiz Ejlli i rikthen përballë falënderimin Benet Becit, ish-drejtorit i KESH-it, për punësimin e tij në këtë institucion, duke përjashtuar edhe termat i “majtë”, “i djathtë” për të shmangur perceptimin e gabuar në opinionin publik.
“Unë isha në punë edhe në kohën e të djathtës, por mbeta pa punë dhe më futi zotëria në fjalë dhe i jam shumë mirënjohës.
Për ata që thonë “Luiz, u bëre i majtë, i djathtë, i mesëm” me këto nuk merrem, nuk merrem me këtë pjesë.
Unë nuk jam bukëshkelës, unë vlerësoj individin, vlerësoj njeriun dhe në këtë rast është Beneti”, shprehet këngëtari Luiz Ejlli në podcastin e Edi Ramës.
Në këtë bisedë, Luiz Ejlli nuk shmang as qëndrimin e tij politik siç është rasti i zgjedhjes së Benet Becit në krye të Shkodrës duke thënë se qyteti i tij i lindjes “zgjodhi për herë të parë me tru”.
“Unë them se është hera e parë që Shkodra ka zgjedhur me tru, me mend e jo me zemër, kanë votuar me mend. Ka parë Benetin dhe ka parë Shkodrën, ka parëecurinë e Shkodrës 30 e disa vjet dhe ka thënë “Pse jo, çfarë kemi për të humbur? Jemi në këtë gjendje që jemi sot, pse jo?”, – u shpreh Ejlli.
Në fakt, në këtë rast, Luiz Ejlli citon fjalët e Edi Ramës të thëna një ditë para intervistës më 19 maj nga qyteti i Shkodrës.
“Këtë herë kanë votuar me mend jo me zemër. Puna është t’u fitosh zemrën, atë nuk ta japin këta se e kanë si puna jote djathtas. Kur të hysh në zyrë je vetëm, duhet të dish të thuash jo. Në momentin që ta kanë dhënë besimin me mendje, të vënë lupën. Pritshmëria është shumë e madhe. Ndërsa aty ku e merr me zemër besimin, siç e kanë marrë këta 30 vite, aty e mbyllin njërin sy. Kurse ty nuk të fal njeri asgjë”, u shpreh Rama më 19 maj, duke iu drejtuar kryebashkiakut të sapozgjedhur Benet Beci.
Pas mesazhit nga Shkodra, Rama adreson ndaj Benet Becit edhe një paralajmërim në formë “kërcënimi” për qëndrimin në postin e kryetarit të bashkisë së Shkodrës, gjithnjë duke përdorur figurën e Luiz Ejllit.
“Kështu që nga ty unë pres të rrish në Shkodër, Benet. Këtë mos ta diskutojmë sepse pastaj do na hape shumë probleme e larg qoftë se unë një zëvendësues e kam gati”, tha Rama duke iu drejtuar Benet Becit, në podcastin me Luiz Ejllin.
Trajektorja politike e Luiz Ejllit: nga Berisha tek Rama dhe Benet Beci
Elementët politikë në spektaklin Big Brother Vip Albania u vërejtën kur një nga personazhet kryesore siç ishte Luiz Ejlli përmendi emrin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Në janarin e këtij viti, Luiz Ejlli bëri një krahasim mes tij dhe figurës së Sali Berisha kur deklaroi se “Unë vdes për të. Politika pa Berishën është si shtëpia e Big Brother pa mua”.
Luiz Ejlli vijoi të vlerësonte figurën e Sali Berishës brenda shtëpisë së Big Brother-it teksa ngriti një dolli për të; “Këtë gotë e çoj për Sali Berishën, e kam idhull, legjendë!”.
Një deklaratë e tillë mori vëmendjen e mediave dhe për këtë u pyet edhe vetë Berisha se si e komentonte ai gjestin e Luiz Ejllit. Sipas Berishës, Ejlli ka përdorur talentin e tij për të tërhequr fansa në mënyrë të shpejtë.
“Është një demokrat i njohur në të gjitha qëndrimet e tij, me një energji të pashtershme siç e dëshmon. Një njeri, një mjeshtër në marrëdhëniet publiket në fushën e tij të showbiz.
Ka përdorur të gjithë talentin e pamohueshëm për të tërhequr fansa, mbështetës, simpatizantë me shpejtësi të jashtëzakonshme.
Gjithmonë artistët janë kampionë në mediat sociale. E falënderoj shumë për dollinë”, tha Berisha në një intervistë për Syri Televizion.
Pas shfaqjes së simpatisë ndaj liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha, protagonisti kryesor i “Big Brother Albania”, Luiz Ejlli filloi të shfaqë simpatinë edhe për kryeministrin Edi Rama, për të cilin shprehu dëshirën që të kishte një video-call me të.
“Dua një video-call me Ramën, është shumë tip, është shumë karizmatik, na mori dhe malli me e pa, 4 muaj pa e parë, ishim mësuar ta shohim përditë”, u shpreh Luiz Ejlli, në fillim-majin e këtij viti.
Teksa Luiz Ejlli u mbijetonte nominimeve brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, ai bëri një krahasim me fitoret e zgjedhjeve të Edi Ramës kur iu drejtua banores tjetër, Kiara Titos se “e treguam veten. Jemi bërë si Edi Rama s’na mund kush në zgjedhje”.
@bigbrotheral2 #olta #sabiani #kristi #arbana #bigbrotherkosova #bigbrotheralbania_vip #luizkiara #kiaratito #kiara #bigbrotheralbaniavip #bigbrotheralbania #luiz #luizejlli #oltagixhari #sabian #fypシ #fyp ♬ original sound – FD
Përpos mesazheve sporadike të lëshuara për Sali Berishën në fillim dhe më pas për kryeministrin Rama, përdorimi politik i Luiz Ejllit nga ekrani kombëtar Top Channel arriti kulmin më 30 prill 2023, kur ai rrëfeu raportin e tij me kryebashkiakun aktual të Shkodrës, Benet Beci, dikur drejtues i KESH-it.
Rrëfimi i Luizit erdhi përgjatë fushatës elektorale, kur partitë politike po luftonin për të bindur votuesit për zgjedhjet vendore të 14 majit. Shkodra vijonte të ishte bastion i së djathtës dhe Partia Socialiste kishte vendosur një kandidat si Benet Beci që vinte nga radhët e së djathtës së dikurshme me qëllimin për të fituar një nga bashkitë më të rëndësishme.
Për këtë arsye, duke parë rritjen dhe popullarizimin e figurës së Luiz Ejllit në “Big Brother” , (që sipas ekspertë të IT, emri i Luizit kërkohet në Google dhe rrjete sociale (në Tik-Tok arriti 1 miliardë shikime) shumë herë më shumë se Berisha apo Rama) ai u pa si një element mjaft përforcues për imazhin dhe ndikimin që mund të kishte në favor të kandidatit për bashkinë e Shkodrës, Benet Beci.
Dhe për këtë mjaftoi rrëfimi i Luiz Ejllit në dhomën e Big Brother Albania VIP për të treguar se si dikur kur ai gjendej në vështirësi financiare, Benet Beci asokohe drejtor i Korporatës Elektro-energjetike Shqiptare i erdhi në ndihmë duke e punësuar në institucionin që drejtonte.
“Kur nuk të ndihmojnë ata që mendon se i ke pasur afër, si mund të pretendosh të të ndihmojë dikush vetëm pse është shkodran. Personi në fjalë quhet Benet Beci, një familje shkodrane që unë e njoh shumë mirë, dhe e kam marrë në telefon. Ma ka hapur telefonin direkt. I thashë çfarë ke mundësi ndonjë vend pune, unë do ta bëj. Më ka ndihmuar, më ka futur në punë direkt dhe i jam mirënjohës gjithë jetën” , u shpreh Luizin mbrëmjen e 30 prillit.
Duke ditur ndikimin e madh që kishte Luiz Ejlli, vetë Benet Beci e shpërndau këtë deklaratë në rrjetin e tij social, në “Instagram”.
Deklarata e Luiz Ejllit tregon edhe një aspekt tjetër përveç atij të përdorimit politik të figurës së tij. Ai tregon hapur se si është shkelur ligji për nëpunësin civil (që parashikon se punësimi bëhet përmes konkurrimit dhe procedurës së verifikimit) me mënyrën e punësimit të tij në KESH kur shprehet se “më ka ndihmuar, më ka futur në punë direkt dhe i jam mirënjohës gjithë jetën”.
Popullariteti i Luiz Ejllit rritej ndërkohë që fushata elektorale kishte hyrë në dinamikën e saj përgjatë muajit prill. Një nga elementët që favorizonte aktorët politikë në përdorimin e figurës së Luiz Ejllit për kapital politik, ishte edhe shtyrja e finales së “Big Brother Albania VIP 2”.
Megjithëse finalja e spektaklit ishte parashikuar të mbahej më herët ajo u zhvillua mbrëmjen e 6 majit teksa një javë më pas (më 14 maj) qytetarët do të drejtoheshin për në kutitë e votimit për të zgjedhur drejtuesit vendorë.
Veliaj e martoi gjatë fushatës! “Falsifikimi” Ejllit sfidoi arrestimin e Ahmetaj
Përpara mbylljes së natës finale, në të cilën u shpall fituesi i paralajmëruar, Luiz Ejlli, politika ndërhyri sërish. Për epilogun e historisë së dashurisë së ngjizur brenda shtëpisë më të njohur në Shqipëri mendoi kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, njëherësh kandidat i Partisë Socialiste për kryeqytetin.
Mesnatën e 7 Majit, Veliaj celebroi dhe drejtoi ceremoninë e martesës së Luiz Ejllit me prezantuesen televizive, Kiara Tito. Ceremonia arriti audiencën më të lartë të këtij spektakli, që u transmetua live edhe në rrjetin social ‘Facebook’ të Erion Veliajt. Videoja e ceremonisë së martesës së Luizit dhe Kiarës mori 472,714 shikime dhe gjeneroi gati 24 mijë like, share, emoji dhe komente.
Pavarësisht pompozitetit me të cilin u shoqërua ceremonia, martesa e çiftit Ejlli-Tito, në bazë të ligjit është e jashtëligjshme dhe e pavlefshme të paktën deri në atë kohë.
“Përpara lidhjes së martesës nënpunësi i gjendjes civile bën shpalljen e saj duke e afishuar në vende të caktuara nga bashkia aktin, ku tregohet identiteti, profesioni, vendbanimi dhe vendqendrimi i bashkëshorteve të ardhshem si dhe vendi ku do të lidhet martesa”, thuhet në një nga pikat e ligjit mbi formën e lidhjes së martesës.
Përdorimi politik i Luiz Ejllit nuk përfundoi me natën finale, kur ai u shpall fitues. Pas daljes nga “Big Brother” më 11 maj, Ejlli udhëtoi drejt qytetit të Shkodrës, ku iu bashkua fushatës elektorale të Benet Beci.
Madje, në një video të publikuar në rrjetin social “Facebook”, Ejlli adresoi ndaj Becit sërish fjalët e mira që kishte thënë në dhomën e rrëfimit.
“Kur kisha vërtet nevojë për dikë, i vetmi njeri që sinqerisht më hapi telefonin ishte Benet Beci. Është njeri i mirë, do jetë njeri i mirë, dhe juve do ju ndihmojë gjithsecilit me të gjitha mundësitë që ka”, u shpreh Ejlli gjatë takimit elektoral të Benet Becit në Shkodër.
Përdorimi i Luiz Ejllit dhe popullaritetit nga ana e Partisë Socialiste, kryesisht për qarkun e Shkodrës, rezultoi mjaft efikas teksa kjo forcë politike fitoi nga zgjedhjet e 14 majit, 53 bashki në total bashkë me Shkodrën, bastionin e fundit të demokratëve.
Fama e Ejllit ka rezultuar si një mjet i fuqishëm për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik. Ndërkohë që në media nisën të qarkullonin informacionet e para se SPAK do të dërgonte në Kuvend një kërkesë për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Ahmetaj, e që u pasua më pas me serinë e lajmeve për largimin apo jo të tij nga vendi, paralelisht, në televizione e portale online u publikuan lajmet për dënimin ose jo të Luiz Ejllit nga Gjykata e Lushnjës, proces i cili me hartën e re vijon në Rrethin Gjyqësor Fier.
Dilema për dënimin apo jo të Ejllit vijuan për të paktën dhjetë ditë, deri më 18 Korrik, kur Gjykata njoftoi shtyrjen e seancës. Kjo ngjarje përkon dhe ushtrimin e kontrollit nga SPAK në shtatë banesa, katër nga të cilat apartamentet e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj, në të cilën u sekuestruan “dokumente me interes për hetimin si dhe kompjuter lap – top, telefona celularë, USB, etj.”
Popullariteti i fituesit të Big Brother VIP 2, një armë e fuqishme propaganduese për politikën, është në fakt njëherësh dhe mallkimi i këngëtarit. Fama e tij, madje, me gjasë edhe procesi gjyqësor, do të përdoren ende për disa kohë për sfumuar skandalet politike të radhës. Nuk kemi parë gjë akoma!