Më 13 shtator, Danah Boyd, themeluese e institutit kërkimor “Data & Society”, i tha gazetarëve pjesëmarrës në konferencën e përvitshme të Shoqatës së Redaksive Online se “Media ka rënë në kurth!

“Shpresoj të dëgjoni dhe kuptoni këtë që po them”, – shtoi Boyd, “sepse sistemi ynë demokratik varet pikësëpari nga pranimi i faktit se po ju manipulojnë”.

Kur fliste për manipuluesit, studiuesja i referohej më së shumti provokatorëve, personave që ecnin përpara me Fake news apo me teori konspirative. Ajo shtoi se këta individë do të vijonin me këtë strategji agresive publike, pasi, në këtë mënyrë, siguronin mbulim mediatik, jo vetëm nga gazetat dhe portalet opozitare por edhe nga organizatat apo qendrat e faktimit dhe verifikimit të informacionit. Ato krijojnë audiencën e tyre, zgjojnë interesa të caktuar përmes ideve provokuese dhe bindin publikun se mediat tradicionale janë kundër tyre.

Boyd gjithashtu paralajmëroi gazetarët se strategjitë e reja të manipulimit të medias ndryshonin nga skemat klasike pasi sot personazhet publikë kërkojnë mbulimin “negativ” të medias, e provokojnë qëllimisht atë me synim që idetë dhe veprimet e tyre popullarizohen dhe simpatizantët të shtohen.

Ata synojnë që mediat të kërkojnë dhe përgënjeshtrojnë pohimet e tyre, pasi në këtë mënyrë u bëjnë më shumë jehonë. Në periudhë afatgjatë, një personazh publik i cili përgënjeshtrohet vazhdimisht nga mediat për atë që bën dhe thotë, krijon dyshime te një pjesë e audiencës e cila nuk arrin më të dallojë se cila është e vërteta dhe çfarë po i fshihet publikut.

Strategjia e tyre është e qartë, por media duke e pafuqishme për të dalë nga kjo grackë, shprehet Boyd e cila zbërthen këtë skemë:

  1. Manipuluesit mediatik krijojnë spektakël përmes mediave sociale, në mënyrë që të përthithin mbulimin e mediave tradicionale;
  2. Artikulojnë fraza që prekin dhe nxisin audiencat e reja dhe që janë lehtësisht të identifikueshme nga motorët e kërkimit;
  3. Janë të gatshëm të bëhen “martirë dixhitalë” me qëllim që të radikalizojnë të tjerët.

Studiuesja e Microsoft ne fushen e efekteve mediatike në shoqëri deklaroi se ekziston vetëm një mënyrë për t’i dhënë fund këtij problemi: Injorimi personazheve kontrovers dhe fokusim në raportimin e pikëpamjeve politike që nuk kanë përmbajtje urrejtje dhe konspirative.

Jam menduar gjatë mbi fjalimin e Boyd të mbajtur së fundi por ka disa personazhe dhe manipulues mediatik që janë krejtësisht unik në llojin e tyre dhe që nuk zgjidhen as nga propozimi i saj: Po flas, sigurisht, për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Trump di si të tërheqë vëmendjen e medias

Javën e kaluar, opinioni publik amerikan mësoi sesi një mbështetës i zjarrtë i Presidentit Trump dërgonte pako-bombë te kundërshtarët e tij politikë dhe në zyrat e mediave opozitare. Gjatë fundjavës një terrorist anti-semit, hyri në një sinagogë në Filadelfia dhe vrau 11 besimtarë hebrenj, pas paralajmërimeve të kreut të shtetit se hebrenjtë fshiheshin pas fluksit të emigrantëve që Presidenti i cilëson si një kërcënim ekzistencial për shoqërinë Amerikane.

Ndërsa mëngjesin e kësaj të hëne, Trump deklaroi në Twitter:

Ka një zemërim të madh në vendin tonë i cili shkaktohet nga raportimin i papërshtatshëm, madje mashtrues, i lajmeve. Mediat e lajmeve të rreme janë armiku i vërtetë i popullit. Këto media, duhet të ndalojë armiqësinë e hapur dhe të dukshme dhe të raportojë lajmet me saktësi dhe drejtësi. Kjo do të shuante flakët…

Është e lehtë të lexosh tweet-et e Trump dhe të kuptosh kujdesin me të cilën ato janë hartuar. Por ka një frazë në këtë status që Trump e kupton se do të krijojë shumë zemërim mediatik: “Mediat si armiku i vërtet i popullit”.

Mediave nuk u bëhet vonë kur Presidenti i cilëson ato si prodhuese të fake news. Por t’i cilësosh “armiq te popullit” vetëm një ditë pasi një person me probleme mendore dërgoi pakot me bombë në zyrat e tyre, kjo është diçka që gazetarët kurrsesi nuk mund ta injorojnë dhe Trump e di këtë.

Por ky mesazh nuk ishte i rastësishëm, përkundrazi, i mirë koordinuar dhe me qëndrimin e Shtëpisë së Bardhë.

Pasditen e të henes, zëdhënësja për shtyp Sarah Sanders mbajti konferencën për mediat dhe siç u kuptua qëllimi ishte një dhe i vetëm: konfront i filmuar me mediat:

Jim Acosta: A mund të specifikoni se çfarë kuptoni ju dhe Presidenti me “armiq të popullit”?
Sarah Sanders: Nuk do t’iu jap një listë, por unë mendoj se ato individë e kuptojnë shumë mirë se kush janë.

Dhe pasi situata nxehet, Sanders përcjell mesazhin që ajo kish për qëllim që qytetarët ta dëgjonin:

Ju keni një përgjegjësi shumë të madhe në raport me vendin tuaj. Por 90% e raportimeve tuaja për presidentin janë negative, pavarësisht faktit se reformat në këtë vend po shkojnë shumë mirë, dhe pa marrë në konsideratë se kreu i shtetit po mban premtimet që ai bëri në fushatë dhe ku u mbështet nga 63 milionë amerikanë, që përbëjnë shumicën dërrmuese.

Ishte një fjalim perfekt! Në të kombinohej sulmi ndaj medias me thirrjen për mbulim të drejtë të zyrës së presidencës dhe një gënjeshtër e qëllimshme për mbështetje masive ndaj Trump, në një kohë që dihet botërisht se presidenti humbi votën popullore. Por kjo gënjeshtër është një magnet që media nuk mund të rezistojë pa e raportuar.

Trump ka nevojë për një armik, dhe armiku që ka zgjedhur është media

Disa ditë pas inaugurimit të Presidentit Trump, strategu i atëhershëm i zyrës së tij Steve Bannon dha një intervistë për New York Times: “Dëshiroj të evidentoj se media është partia e vërtetë opozitare këtu.”

Dhe të njëjtin mesazh e përsërit sërish: “Ju jeni partia opozitare, jo ajo demokratike. Ju jeni opozita. Media është partia opozitare”.

Donald Trump gjithnjë e ka trajtuar presidencën e tij si një reality show dhe çdo spektakël i tillë ka nevojë për personazhin negativ. Që nga dita e parë, Trump i tregoi publikut se media është “djalli”. Me një parti demokratike të pafuqishme, media ishte forca e vetme opozitare që do ti jepte kuptim stilit qeverisës së Trump.

Problemi qëndronte se media nuk dëshironte të ishte në pozicionin e partisë opozitare, por vetëm të mbulonte me raportim presidencën. Që në krye të herës, gazetarët kërkuan të normalizonin mënyrën e të bërit politikë nga Shtëpia e Bardhë. Ka patur jo pak raportime të cilat tregonin se Trump po tregonte maturi dhe po ndryshonte sjelljet e tij, tashmë në zyrën ovale.

Por përgjigja që ata morën nga Presidenti ishte vetëm provokimi. Ai provokonte vazhdimisht mediat duke i bërë ata të duken si opozita e tij e vërtetë, e gatshme për të gënjyer në mënyrat nga më absurdet dhe duke i sulmuar këto të fundit me çmime “Fake news”, të cilat Trump i shpërndante në Twitter për javë të tëra.

Media, sigurisht, reagonte në mënyrë të logjikshme duke mbuluar dhe demaskuar qëndrimet publike të Trump, duke u siguruar që ai ka gënjyer publikisht dhe duke evidentuar deklaratat e tij me përmbajtje dhune.

Por pas këtyre raportimeve negative Trump dilte në publik dhe theksonte: E shikoni? Ju thashë që këta janë partia opozitare.

Me fjalë të tjera, Trump manipulon median duke e sulmuar pafundësisht atë, në mënyrë që media të kundërpërgjigjet dhe kështu fiton më shumë mbulim televiziv (jo vetëm) dhe i tregon publikut se ato janë kundër tij. Ai dëshiron që mediat ta sulmojë atë në mënyrë që vëmendja të zhvendoset te ajo që ai thotë dhe teoritë e tij konspirative që hedh në publik. Lufta me median i siguron atij më shumë audiencë se çdo të merrte nëse do të mbante një fjalim mbi reformat politike apo uljen e taksave.

Problemi qëndron se Donald Trump nuk dëshiron të jetë një zyrtar i zakonshëm. Ai dëshiron të jetë dhe të ndihet Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shënim: Analiza është publikuar në VOX. U përshtat në shqip nga Elvin Luku

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu