Prej disa muajsh faqja e MediaLook në web, në rrjetet e tij sociale por dhe profili personal në Facebook i drejtuesit të MediaLook, kanë qenë në një sulm të vazhdueshëm raportimesh “për dhunim të standardeve të komunitetit të Facebook“.
Mëngjesin e kësaj të diele, faqja personale e administratorit Elvin Luku, prej ku menaxhoheshin rrjetet sociale të portalit www.medialook.al por dhe Qendrës Shqiptare MediaLook është mbyllur, duke e bërë të pamundur aksesimin e këtyre profileve. Megjithatë këto të fundit janë arritur të rikuperohen për shkak të të drejtave të dubluara të administrimit.
Sqarimi i vetëm që Facebook jepte ishte mesazhi automatik “ne kemi pezulluar llogarinë tuaj duke e bërë të paaksesueshme dhe jo vizibël te të tjerët. Ju keni 180 ditë kohë për apelimin e këtij pezullimi ose do të mbyllim llogarinë“. Pas kryerjes së apelimit, që konsistonte thjesht dhe vetëm në verifikimin e të dhënave personale, faqja e administratorit të MediaLook, prej ku menaxhoheshin dhe rrjetet sociale të saj “është mbyllur përfundimisht pa të drejta të tjera apelimi” me argumentin se ky profil, aktiv prej vitit 2008, “nuk përmbush standarded e komunitetit të Facebook”.
Kontenti që është ndarë në këtë faqe prej disa javësh ka qenë informacioni dhe kronikat e televizioneve lokale mbi një seri takimesh e tryezash që Qendra MediaLook dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kanë mbajtur në Shkodër, Elbasan dhe Vlorë për të diskutuar mbi “Propagandën, format e dezinformimit dhe llogaridhënien e pushtetit qendror e lokal”, në kuadër të programit #SustainMedia, me mbështetje të Giz Albania. Më herët një trajnim është mbajtur edhe me studentët e në Universitetin e Tiranës.
Një nga rastet që vazhdimisht është cituar dhe analizuar në këto diskutime ka qenë pikërisht hulumtimi i MediaLook për përdorimin e mediave nga Bashkia e Tiranës si dhe platforma NewsLab.
Mbyllja e rrejtit social, pason një mori sulmesh në faqen e web-it të www.medialook.al, që vijojnë prej fillimit të muajit Prill 2024. Sipas të dhënave që disponohen, sulmet e herëpas hershme kanë qenë të llojit “DDoS”, me IP nga India, Pakistani dhe një numër i madh nga Rusia. Megjithatë, kjo dëshmon pak për origjinën e tyre pasi është një praktikë e njohur ajo e përdorimit të IP-ve të vendeve të tjera, vecanerisht në rastet e sulmeve kibernetike.
Sulmi ndaj MediaLook rezulton i ngjashëm me një serë ofensivash kibernetike ndaj një mori mediash dhe komunitetesh online që publikojnë informacione, komente apo lajme me sens kritik ndaj pushtetit qendron dhe lokal. Dy ndër rastet më të rënda janë sulmet kibernetike ndaj Citizens Channel, që nisi me fshirjen e një sërë hulumtimesh dhe investigimesh të publikuar nga kjo media në web e rrjetet e saj sociale, e që përfundoi me mbylljen tërësore të website.
Nga ana tjetër, me një ofensivë dixhitale po përballet dhe media CNA, e njohur për artikujt e saj kritikë dhe investigimet në një mori fushash, vecanërisht ndaj cështjes së inceneratorëve në vend.
Duket, sikur censura mediatike ka kaluar nga sulmet e drejtpërdrejta të politikës ndaj medias apo gazetarëve, në goditje të medias dhe fjalës së lirë duke përdorur një ushtri “raportimesh kundër lajmeve” që merren në konsideratë nga gjigandët e rrjeteve sociale dhe e censurojnë postimin pasi e klasifikojnë si “dhunim të politikeve të tyre”.