Ditën e fundit të paralajmërimit që kryeministri shqiptar, Edi Rama, bëri në një postim në Twitter, për regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Biznesit të portaleve, AKEP, një institucion që konsiderohet si i pavarur (sipas ligjit nr. 9918, datë 19.5.2008 – I ndryshuar) ka vendosur një ultimatum 72 orësh, për publikimin e NIPT-it nga ana e 44 portaleve online.

Pas skadimit të këtij ultimatumi, specifikohet në komunikatën zyrtare, AKEP do të mbyllë çdo portal online që është i paregjistruar në QKB!

Në një njoftim të dytë sqarues, publikuar sërish në faqen e AKEP, theksohet se kjo procedurë regjistrimi duhet të realizohet në përputhje me “legjislacionin që rregullon veprimtarinë tregtare në Republikën e Shqipërisë”  dhe sipas rregullores nr. 2/2008 (e ndryshuar):

AKEP ka sqaruar se çdo subjekt duhet të kryejë procedurat sipas legjislacionit që rregullon veprimtarinë tregtare në Republikën e Shqipërisë dhe duhet të regjistrohet sipas ligjit “Për qendrën kombëtare të regjistrimit” dhe të vendosë NIPT(NUIS) në faqen e internetit sipas përcaktimeve të nenit 2 pika 5 të Ligjit.
Edhe sipas rregullores nr. 2/2008(e ndryshuar) “Për administrimin e domaineve .al dhe nëndomaineve .com.al, .org.al .net.al .edu.al .gov.al dhe mil.al” subjekti duhet të përditësojë informacionin për poseduesit dhe përdoruesin e domainet .al dhe ta dërgojë informacionin në AKEP ([email protected]) ose pranë Regjistruesit ku ka regjistruar domainin .al

Por pavarësisht këtyre njoftimeve, Autoriteti për Komunikimet Elektronike dhe Postare, sikurse dhe ligji nr. 9918, dt. 19.05.2008 (i ndryshuar) dhe rregulloret në fjalë, nuk sqaron dy elementë bazik për këtë çështje: E para, cili është përkufizimi ligjor për “portalet online”, dhe kategoria të cilave iu kërkon me detyrim regjistrim në QKB; së dyti, çfarë ndodh me ato faqe interneti, media online ose blogje, të cilat nuk kryejnë veprimtari tregtare.

Për të nxjerrë në pah këtë kakofoni dhe paqartësi ligjore dhe institucionale të këtij autoriteti publik, e cila pas kërcënimeve përcillet dhe te mediat online, që përbën dhe një tentative për të censuruar fjalën e lirë në media, do rikthejmë në vëmendje të publikut Shqiptar, mënyrën sesi AKEP ka operuar deri më tani për regjistrimin e faqeve online me domain .al

A ka gisht AKEP në identifikimin dhe regjistrimin e munguar të portaleve?

Për të regjistruar një portal me domain “.al”, operohej në dy mënyra, sikurse njoftohet edhe në faqen zyrtare të Autoritetit të Komunikimeve Elektronik dhe Postarë:

Mënyra e parë opsionale ishte “regjistrimi i domainit nëpërmjet AKEP, me plotësimin e formularëve. Dhe dokumenti i parë që duhet plotësuar ishte ai i “aplikimit për regjistrim” i cili kërkonte të dhënat e mëposhtme, sipas opsioneve të përfituesit të adresës:

  1. Emrin e faqes dhe domain;
  2. Statusin e përfituesit të emrit dhe të dhënat e tij personale;
  3. Emrin e kontaktit administrativ;
  4. Të dhënat e kontaktit teknik;
  5. Të dhënat teknike
  6. Të dhënat e kontaktit për likuidimin e faturës.

Ndërsa e dyta, po ashtu opsionale, ishte fakti që AKEP kishte akredituar shtatë operatorë, të cilët pas përcaktimit të emrit dhe kundrejt pagesës online, të regjistronin emrin e faqes, që bëhej aktiv pas rreth 24-48 orësh.

Për marrjen e kësaj adrese, as operatori i shitjes së domaine-ve dhe as AKEP nuk kanë kërkuar informacionet e mënyrës së parë mbi gjeneralitetet e poseduesit, adresën fizike apo elektronike, numër kontakti, qëllimin e përdorimit, etj., duke shkaktuar këtë kaos me të cilët mediat online po përballen sot, për shkak të autoritetit të munguar të këtij institucioni publik.

Kjo është gjeneza e problematikës së portaleve të paidentifikuara për të cilën flet kryeministri por ajo nuk është shkaktuar nga mediat online por nga procedurat e ndjekura prej AKEP si institucion përgjegjës për regjistrimin e tyre.

Çfarë do të ndodh me portalet që nuk kanë veprimtari tregtare?

Sipas rregullores nr. 02, dt. 21.02.2008 (e ndryshuar) për “Regjistrimin dhe Administrimin e Emrave të Domain-eve nën .AL dhe nën domain-et .gov.al, .mil.al, .edu.al, .com.al, .org.al dhe .net.al” mbi të cilën operon AKEP, në Nenin 7.1 /a, thuhet se “dhe individët kanë të drejtën e posedimit të një ose disa emra domainesh”:

7.1/a. Posedues të një ose disa emra domainesh nën zonen .al: .com.al, org.al dhe .net.al, kanë të drejtë të jenë individët, personat fizikë dhe juridikë publikë dhe privat dhe personat fizik tregtar, që sipas procedurës së regjistrimit, plotësojnë të gjitha kushtet dhe kërkesat e kësaj rregullore.

Dhe në “formularin e aplikimit për regjistrim”, që gjendet në faqen zyrtare të AKEP, kategoria “individ” përjashtohet nga plotësimi i disa të dhënave, përfshi këtu dhe NIPT-in (shih foton e mëposhtme), që sot po kërkohet me insistim, fillimisht nga kryeministri dhe aktualisht nga vetë institucioni që është përgjegjës për regjistrimet e tyre.

Kategoritë e përjashtuara për plotësim kur poseduesi i faqes është individ

Ndaj, përpara se të drejtohet gishti mbi median online, e cila sigurisht ka një sërë përgjegjësish të tjera për informacione të pasakta, të paverifikuara dhe për shpifje, dhe përpara se të vendosen ultimatume për regjistrimin e munguar të saj në vite nga AKEP, do të ishte e udhës të identifikohen dhe rikuperohen hallkat që nuk kanë funksionuar dhe më pas të sqarohen të gjithë operatorët për hapat e mëtejshme.

Dhe, në këtë moment, çdo kërcënim për mbyllje të mediave serioze dhe joserioze online, me urdhër politik, do të krijonte një precedent të rrezikshëm, që nuk i ndodhi Shqipërisë as në vitin 2000, kur KKRT-ja e atëhershme licencoi televizionet private, që funksiononin prej 5-6 vitesh në mungesë të një kuadri ligjor.

 

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu