Pronarët kanë përdorur mediat e tyre për përfitime në bizneset e tjera ku ata janë aksionerë fakt ky që ka ndikuar në vetëcensurimin e gazetarëve shqiptarë. Ky është një ndër konkluzionet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut në Shqipëri për vitin 2018.

Në këtë dokument thuhet se “shumë aksionerë të televizioneve private kanë përdorur hapësirat mediatike të transmetimeve për të influencuar qeverinë për përfitime kundrejt bizneseve të tjera që ata zotërojnë”, ndërsa shtohet se kjo praktikë ndiqet edhe për të siguruar dhe forcuar interesat politike.

Duke cituar indeksin e “Media Sustainabilit”  raporti evidenton se “praktikat menaxhuese të mediave shqiptare kanë sjellë reduktim të financave dhe cilësisë së raportimit në media çka ka prodhuar autocensurë në radhët e redaksive të lajmeve”.

Gjithashtu raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit është ndalur dhe te roli i AMA-s në tregun mediatik shqiptar duke thënë se “pavarësia e këtij autoriteti ka mbetur në pikëpyetje dhe funksionimi i këtij institucioni publik në raport me operatorët ka qenë i limituar”.

Dokumenti i përvitshëm i DASH përkon me publikimin e raportit të fundit të Qendrës Shqiptare MediaLook dhe MediaLook –media watchdog të cilët në raportin “Ndikimi i interesave ekonomike të pronarëve të medias vizive në raportimin e lajmit” evidentuan një numër të konsiderueshëm të kronikave reklamë në edicionet informative të televizioneve shqiptare por dhe dëmi që i shkaktohet cilësisë raportuese të lajmit nga aksesi i fondeve publike nga bizneset e tjera të aksionerëve të medias.

Gjithashtu MediaLook evidentoi se monitorimi i përmbajtjeve mediatike në lajmet qendrore të televizioneve për periudhën Tetor-Dhjetor 2018, dëshmoi se AMA ka qenë një “autoritet pa autoritet” pasi nuk ka rritur t’i imponohet mediave kombëtare për të parandaluar transmetimin e kronikave me natyrë tregtare, pavarësisht se në format si janë raportuar lajmet, ndalohen nga Kodi i Transmetimit të Mediave Audiovizive, një akt nënligjor i miratuar nga vetë AMA.

Ja çfarë thuhet në raportin e DASH:

Kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e shprehjes dhe shtypin e lirë dhe qeveria i ka respektuar në përgjithësi këto të drejta. Ka patur raportime se qeveria, bizneset dhe grupet kriminale kanë tentuar të influencojnë median në disa mënyra të papërshtatshme.

Liria e shtypit dhe e medias:

Mediat e pavarura kanë qenë aktive dhe kanë shprehur pikëpamjet e tyre megjithëse ka patur përpjekje direkte dhe indirekte të presioneve politike dhe ekonomike mbi median, përfshi kërcënimet, dhunën ndaj gazetarëve të cilët janë përpjekur për të investiguar krimin dhe korrupsionin.

Pronarët kanë përdorur lirshëm kompanitë mediatike për të përfituar favore dhe promovuar interesat e tyre kundrejt partive politike. Shume aksionerë të televizioneve private kanë përdorur hapësirat mediatike të transmetimeve për të influencuar qeverinë për përfitime kundrejt bizneseve të tjera që ata zotërojnë.

Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kanë detyruar mediat e pavarura në print dhe gazetarët të vetëcensurohen. Pasiguria ekonomike si rrjedhojë e mungesave të kontratave kanë reduktuar ndjeshëm në pavarësinë e gazetarëve çka ka ndikuar dhe në format e raportimit. Unioni i Gazetarëve Shqiptare ka vijuar raportimet e tij për një numër të konsiderueshëm mediash të cilët u vonojnë pagat reporterëve, në disa raste deri në dhjetë muaj. Problemet financiare kanë detyruar gazetarët të kërkojnë burime alternative, të jashtme të ardhurash për të mundësuar raportimet e tyre.

Organizatat jofitimprurëse kanë raportuar se etika në raportim ka pak prioritet në mbi 700 portalet në vend, duke ngritur shqetësimin mbi publikimin dhe shpërndarjen e fake news, prej të cilave kanë përfituar grupe të caktuara financiare ose politike. Megjithatë rritja dramatike e mediave online ka mundësuar një diversitet pikëpamjesh.

Në raportin e përvitshëm të Media Sustainability Index thuhet se fjala e lirë dhe pluraliteti i burimeve të lajmit ka pësuar një rënie të lehtë, por profesionalizmi dhe praktikat menaxhuese të medias kanë pësuar rënie. Kriza ekonomike dhe praktikat menaxhuese të mediave shqiptare kanë sjellë reduktim të financave dhe cilësisë së raportimit në media. Raporti i MSI ka evidentuar se shkurtimet e numrit të gazetarëve në redaksi të caktuara kanë prodhuar autocensurë.

Ndërkaq, pavarësia e Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA), organit rregullator të tregut të transmetimeve audiovizive ka mbetur në pikëpyetje dhe roli i këtij autoriteti në raport me operatorët ka qenë i limituar.

Dhuna dhe intimidimi

Ka pasur raportime të shumta të dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve e punonjësve të medias dhe politika e interesa të caktuara në biznes i kanë mbajtur ata nën presion.

Më 30 gusht, një person i paidentifikuar qëlloi me breshëri plumbash mbi shtëpinë e prindërve të gazetares Klodiana Lala. Nuk u raportuan lëndime por dëmi psikologjik, veçanërisht i vajzave të reporteres, të cilat gjendeshin në shtëpi në momentin e sulmit ishin të mëdha. Lala ka raportuar vazhdimisht mbi procese gjyqësore, reformën në drejtësi dhe krimin e organizuar. Në një postim të saj në Facebook, pas sulmit Lala theksoi se atentati lidhje me raportimet e saj. Policia nisi hetimet mbi këtë rast.

Në shtator kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë theksoi se 12 gazetarë kanë bërë kërkesa për azil në vendet e Bashkimit Europian, me arsyen kryesore se kishin marrë kërcënime për shkak të punës së tyre si reporterë.

Censura në media

Gazetarët në Shqipëri vetëcensurohen në mënyrë që të shmangin dhunën dhe kërcënimet si rezultat i raportimeve të tyre por dhe presionit të botuesve e drejtuesve të medias të cilët synojnë të vënë hapësirën mediatike në funksion të interesave të tyre politike dhe ekonomike.

Një monitorim i BIRN Albania në vitin 2015, një organizatë e fokusuar në gazetarinë investigative, u evidentua se kompanitë dhe reklamuesit e madhej ishin ndër burimet kryesore të presionit mbi median.

Ndërkaq, një studim i publikuar nga Unioni i Gazetarëve në muajin prill pohonte se censura dhe vetëcensura ishin problematikat kryesore të gazetarëve.

Shpifja në media

Ligji lejon që çdo individ të ngrejë padi penale dhe të marri kompensim financiar për fyerje ose publikim të qëllimshëm të informacionit me përmbajte të pavërtetë, fyerje ose shpifje. OJQ-të raportuan se gjobat, deri në tre milionë lekë (27,800 dollarë), ishin të larta dhe kjo ndikon në kufizimin e lirisë së shprehjes.

Në prill Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shprehu shqetësimin se gjatë katër muajve të parë të vitit, gjyqtarët dhe politikanët kishin ngritur 14 padi kundër gazetarëve.

Në vitin 2017, anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni, ngriti padi për shpifje kundër dy gazetarëve të BIRN dhe dy gazetarëve të Shqiptarja.com për raportimin e lajmit mbi deklaratën e tij të pasurisë, nën hetim nga prokuroria. Gjoni kërkonte si dëmshpërblim shtatë milionë lekë (64.800 dollarë) nga BIRN Albania dhe katër milionë lekë ($ 37.000) nga Shqiptarja.com, duke pretenduar se raportimet e tyre dëmtuan reputacionin e tij.

Pas disa seancave, gjykata vendosi në mars të pushojë çështjen ndaj Shqiptarja.com, sepse Gjoni dhe avokatët e tij nuk ishin paraqitur në pesë nga 11 seancat dëgjimore. Në qershor, gjykata pushoi dhe çështjen ndaj BIRN-it. Gjoni ankimoi të dyja vendimet dhe çështjet janë ende në proces.

Liria e shprehjes në internet

Qeveria shqiptare nuk ka kufizuar ose censuruar lirinë dhe përmbatjen mediatike në internet dhe ka patur disa raportime jo shumë të besueshme se qeveria ka monitoruar komunikimet elektronike online pa një mandat paraprak.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dha ultimatumin më 15 tetor që 44 portale online kishin në dispozicion 72 orë për të marrë një NIPT dhe për ta publikuar atë në faqet e tyre të internetit në të kundërt qeveria do ti mbyllte ato. Lista përfshinte disa portale, madje dhe faqen e BIRN. Në fund të vitit qeveria nuk i mbylli këto portale.

Ndërkohe sipas raportit të fundit të Internet World Stats 66% e e popullsisë në Shqipëri kanë akses dhe përdorin internetin.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu