Autoriteti i Medias Audiovizive ka dështuar në mbikëqyrjen e tregut mediatik për të parandaluar transmetimin e kronikave me natyrë tregtare në edicionet informative, duke i hapur rrugë “trysnisë” se interesave ekonomike nga subjekte të lidhura me strukturën pronësore ose shoqërive të tjera për të dëmtuar një raportim të drejtë dhe të pavarur në funksion të interesit publik.
Në një hulumtim të Qendrës Shqiptare MediaLook, e cila ka kryer një monitorim tre mujor të edicioneve qendrore informative në kanalet zyrtare në YouTube, në tre televizionet kombëtare TV Klan, Vizion Plus e Top Channel, gjatë periudhës 1 Tetor – 31 Dhjetor 2018, janë evidentuar një numër i konsiderueshëm i të ashtuquajturave “kronika-reklamë”.
Bëhet fjalë për lajme me natyrë tregtare, “që favorizojnë shoqëri të veçanta tregtare ose subjekte të lidhura direkt apo indirekt me ortakët apo aksionarët e shoqërive audiovizive”, që neni 45/4 i ligjit nr.97/2013 “Për Mediat Audiovizive” dhe akti nënligjor “Kodi i Transmetimit për Median Audiovizive”, i miratuar me vendimin nr. 288, dt. 11.12.2017 nga AMA, i ndalon për t’u transmetuar.
Nga vëzhgimi tre mujor që MediaLook i ka bërë 276 edicioneve informative të orës 19:00 dhe 19:30 të tre televizioneve kombëtare kanë rezultuar një total prej 51 kronikash, nga të cilat 20 në TV Klan, 18 në Vizion Plus dhe 13 lajme në televizionin Top Channel. Ndërkaq, koha totale kushtuar këtyre lajmeve për periudhën e monitoruar është 35.59 minuta në Vizion Plus e ndjekur nga 35.19 minuta në TV Klan dhe një kohë transmetimi afro 13 minuta në Top Channel. Të dhënat për këtë të fundit duhen marrë me rezervë për shkak se edicionet informative të këtij kanali janë hedhur të pa plota në faqen zyrtare në YouTube dhe kronikat mbi lajmet e kinemasë janë përllogaritur apriori 45 sekonda.
E megjithatë, edhe pse monitoron edicionet informative dhe i pasqyron këto të dhëna në buletinet periodikë të saj, AMA duket se nuk ka arritur të evidentojë problematikën e “kronikave-reklamë” në lajme. Në raportin vjetor për vitin 2017, ky institucion pohon se ka vëzhguar “rreth 2100 edicione në subjektet audiovizivë kombëtarë”, por nuk raporton raste të tilla lajmesh. Këto të fundit nuk janë pikasur as përgjatë monitorimit të fundit të detajuar për gjysmën e dytë të vitit 2017, pavarësisht se në të janë zhvilluar analiza të detajuara të tematikave dhe minutazhit të edicioneve informative. (AMA, Buletinin Nr.4).
Ndërkaq, Kuvendi i Shqipërisë në rezolutën vlerësuese të punës së AMA-s për vitin 2017, i kërkon këtij institucioni që përgjatë 2018-ës, ndër të tjera, të vijojë punën edhe “me shqyrtimin e tematikave mbi përmbajtjet e transmetuara nga OSHMA-të, duke garantuar respektimin e ligjit dhe Kodit të Transmetimit për reklamat dhe komunikimet tregtare…”.
Kronika të njëanshme “reklame” në lajmet e televizioneve kombëtare
Sa i takon tipologjisë së lajmeve të evidentuara përgjatë hulumtimit rezultojnë të paktën dy lloje: E para, kronika që raportojnë në favor të bizneseve të caktuara në sektorë të ndryshëm ekonomik, pjesë e të njëjtit grup aksionarësh të televizioneve kombëtare, dhe, së dyti, raportime në favor të bizneseve të caktuara kundrejt apo jo interesave ekonomikë, por pa lidhje të drejtpërdrejt apo indirekte, sipas informacioneve në QKB, mes pronarëve të tyre.
E ndërsa të dhënat e detajuara mund të aksesohen në databazën e krijuar prej Qendrës Shqiptare MediaLook, po ilustrojmë secilën prej tipologjive të sipërcituara me shembuj kronikash të transmetuara në këto televizione.
Në kategorinë e parë, përfshihet p.sh. grupi i lajmeve mbi kinema “Imperial” në Top Channel, ku pasqyrohen filmat që do të shfaqen. Në pamje të parë këto lajme përmbajnë një interes të caktuar për atë publik që kërkon alternativa argëtuese, por ato ndalohen për t’u transmetuar në këtë formë, nëse do t’i përmbahemi “Kodit të transmetimit për median audiovizive”. Në seksionin 4 për “transmetimin e programeve informative”, në pikën 4.15 dhe 4.16 theksohet se “informacioni nuk duhet të përdoret për përfitime të tjera të drejtpërdrejta nga ana e pronarëve të mediave audiovizive” dhe i kërkohet OSHMA-ve të “shmangin promovimin e padrejtë të kronikave me natyrë tregtare duke përdorur parimin e proporcionalitetit në mënyrë që të mos favorizohen shoqëri të veçanta tregtare ose subjekte të lidhura direkt ose indirekt me aksionarët e shoqërive audiovizive”.
Kjo do të thotë se, në mënyrë që këto lajme të bëhen të transmetueshme për publikun, pavarësisht lidhjes së aksionarëve të televizionit me kompaninë “Empire” që mundëson blerjen e filmave dhe shfaqen e tyre në kinema, gazetari, krahas informacionit mbi premierat në kinema “Imperial”, duhet të japë informacion dhe mbi filmat që shfaqen në kinematë e tjera në treg, “Millenium” e “Cineplexx”. Nga ana tjetër, në këtë ekran është konstatuar vetëm një “kronikë reklamë” e bizneseve pa lidhje të drejtpërdrejta ose tërthore sipas QKB-së të pronarëve të tyre.
Ndërkaq, në po të njëjtën kategori përfshihen edhe disa kronika të transmetuara në Vizion Plus. Për shembull, lajmi i datës 21 dhjetor, me temë “Një rezidencë e re në kryeqytet: “Concord” e “Edil” vendosin standardet në ndërtimin e banesave”. Bazuar në të dhëna të Qendrës Kombëtare të Biznesit, konstatohet se kompanitë që thuhet se kanë sjellë risi dhe standarde të reja në biznesin e ndërtimit janë dy shoqëri që i përkasin të njëjtit grup pronarësh. Por përtej këtij fakti, ajo që e bën problematike dhe të njëanshme këtë lloj raportimi me natyrë tregtare, është se gazetarët nuk i referohen asnjë burimi të pavarur, jashtë konfliktit të interesit, përkundrazi, për të shpjeguar këto risi intervistohet drejtoresha e marketingut të një prej kompanive ndërtuese, e cila ka si detyrë dhe qëllim parësor të saj promovimin dhe rritjen e numrit të shitjes së apartamenteve të reja në shoqërinë ku është punësuar. Problematika të ngjashme vërehen edhe në kronikat e tjera që janë evidentuar gjatë monitorimit.
Nga ana tjetër, tipologjia e dytë e lajmeve të vërejtura gjatë këtij hulumtimi, ajo e raportimeve në favor të bizneseve të caktuara kundrejt apo jo interesave ekonomikë, evidentohet në televizionin Klan, i cili, duhet thënë se gjatë monitorimit nuk ka transmetuar asnjë kronikë që i përket tipologjisë së parë. Ajo që bie në sy është se thuajse në të gjitha kronikat me natyrë tregtare, si për shembull “Hapet showroom i Globe tek Toptani Shopping Center: Ulje deri ne 50% për mbi 1 mijë produkte” apo “GoTECH ul çmimet deri në 55%: Super oferta dhe dhurata deri në 6 janar”, etj., vërehet lehtësisht se nuk përdoret një “gjuhë raportimi’ gazetareske por ka nuanca të theksuara marketingu, që nga paraqitja e vazhdueshme e firmave, logove apo prezantimin e produkteve të caktuara një nga një. Thuajse në të gjitha rastet, personat e intervistuar janë punonjës të kompanive që reklamohen, në pozicionet e menaxherëve të marketingut apo ato të shitjeve dhe nuk ka informacione apo të dhëna për kompanitë e tjera konkurrente, për të ruajtur “parimin e proporcionalitetit” dhe për të “mos favorizuar subjekte të caktuara tregtare”.
Ajo që u konstatua edhe në këtë monitorim, për tipologjinë e dytë të lajmeve, ishte tendenca në rritje e kronikave të tilla reklamë në periudha festash, atëherë kur dhe kompanitë dhe bizneset zhvillojnë fushata ofertash për të rritur klientelën e tyre. Madje, në disa raste, në faqet e subjekteve tregtare në Facebook e YouTube, krahas promove për produktet renditen edhe lajmet-reklamë të bëra në kronikat e televizioneve.
Duke parë këto forma raportimi, MediaLook kontaktoi gazetarë dhe ish-gazetarë në televizionet kombëtare por ato nuk pranuan të komentonin mbi këto lloj kronikash. Në komunikimet “off record”, një pjesë e tyre pohuan se videot por dhe tekstet për këto lajme janë pothuajse të gatshme nga zyrat e marketingut të kompanive që promovohen dhe se vetë reporterët kanë pak ose aspak hapësirë për t’i rikonceptuar në funksion të një raportimi profesional.
A cenon aksesi në fondet publike raportimin e lajmit?
Më 10 Korrik 2018, në kulmin e protestave, forumeve publike, reagimeve të një grupi të gjerë intelektualësh kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, por, edhe një grupi tjetër punonjësish dhe intelektualësh në favor të projektit të Bashkisë së Tiranës, në MediaLook botohet një opinion me titull: “Teatri po prishet! Cili është qëndrimi editorial i mediave kombëtare?”
Thelbi i këtij shkrimi, ishte se përtej raportimit të përditshëm mbi zhvillimet e aktualitetit edhe për Teatrin që presupozohet të jetë i drejtë dhe i pavarur, televizionet kombëtare që raportojnë në emër të interesit publik, mund të transmetonin një shënim editorial (që ndryshon katërcipërisht nga kronikat e lajmeve) ku të shprehen publikisht pro ose kundër, si kudo në botë, për një nga ngjarjet më madhore historike të kulturës shqiptare. Por një shënim i tillë editorial nuk u bë, pavarësisht se ai njihet si praktikë e mediave tona, përfshi dhe ato me licencë transmetimi kombëtare.
Arsyet e këtij qëndrimi me mosqëndrim mund të jenë të shumta, ndofta edhe parimore e filozofike!
Megjithatë, gjatë hulumtimit, MediaLook ka arritur të mbledhë informacion se vetëm gjatë vitit 2018, një prej kompanive të lidhura me një televizion ka marrë nga Ministria e Kulturës një shumë prej rreth 1.98 miliardë lekësh të vjetra, për kolaudim godinash që i përkasin këtij dikasteri publik. Nga kjo shumë 1.14 mld lekë të vjetra janë marrë nga kontratat e shërbimit në një kohë kur sapo kishte nisur protesta për Teatrin Kombëtar, rezistencë e cila vijoi për disa muaj. Po kështu, ka të dhëna se kompani të lidhura me televizionet marrin tendera edhe nga institucione të tjera publike.
Problemi nuk qëndron te këto kontrata dhe fondet e përftuara të cilat mund të jenë në përputhje me ligjin, por te një shqetësim i gjerë publik, i cili përbën edhe një nga pyetjet kryesore fillestare të këtij hulumtimi:
– Sa hapësirë u mbetet gazetarëve të te gjitha televizioneve për të raportuar në mënyrë të drejtë dhe të pavarur, në një kohë kur sipas të dhënave të QKR-së dhe AMA-s, aksionarët e tyre janë të lidhur dhe me një gamë të gjerë shërbimesh dhe fushash duke nisur nga kompanitë e telekomunikacionit, bankat, ndërtimet, universitetet private, spitalet, hidrokarburet, ujit të pijshëm, etj.?
– Dhe së dyti, a ka gjasa që kjo strukturë pronësore e centralizuar, tashmë me ligj si për televizionet lokale private ashtu edhe për televizionet kombëtare, ta dëmtojë akoma më shumë lajmin dhe informacionin si një të mirë publike, sikurse konceptohet në frymën e ligjit por dhe literaturat bashkëkohore perëndimore?
Televizionet Top Channel, TV Klan, e Vizion Plus janë pasuri kombëtare
Qëllimi i këtij hulumtimi nuk është “gjuetia” e shkeljeve apo gabimeve në edicionet informative të televizioneve apo sa para kanë përftuar bizneset e lidhura me aksionarët e tyre, por shumë më tepër se kaq. Synimi parësor i tij është të evidentojë, siç do analizojmë në vijim, se devijancat e prodhuara në kronikat e sipërcituara me natyrë tregtare prej këtyre mediave vijnë edhe për shkak të një autoriteti rregullator, që siç vërehet, nuk ka fuqi t’u imponohet operatorëve.
Thënë këtë, ajo që duhet evidentuar se tre operatorët Top Channel, TV Klan e Vizion Plus konsiderohen pa dyshim si pasuri kombëtare, për të paktën katër arsye kryesore:
Së pari, këto OSHMA operojnë në një spektër frekuencash të kufizuar që është një pasuri publike dhe në thelb ato administrojnë këtë aset të të gjithë shqiptarëve. Jo më kot ligji detyron AMA-n të monitorojnë cilësinë dhe ofertat programore në varësi dhe të kritereve sipas licencave që janë shpërndare;
Së dyti, për shkaqe historike: televizionet në fjalë kanë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin jo vetëm të sektorit teknologjik e mediatik ndër vite, që ka rezultuar ndër më të zhvilluarit në Ballkan e më gjerë, por në demokratizimin e mbarë shoqërisë. Këtu nuk duhet lënë pa evidentuar dhe kushtet shumë të vështira sociale, politike dhe ekonomike ku kanë operuar këto OSHMA që nga viti 1995, kur lindi televizioni i parë privat e deri në ditët e sotme (E.Luku, Lindja e televizioneve private në Shqipëri, Tiranë 2012, f.182-194);
Së treti, për kapitalin që qarkullojnë: këto operatorë por dhe të tjerët privat lëvizin një total parash që përllogaritet të jetë sa afro 1/25 e buxhetit publik të Shqipërisë, duke krijuar vende pune, zhvillim të kapitalit, investime në teknologji të reja, etj. Sipas një studimi të fundit, të ardhurat e qarkulluara variojnë në “rreth 100-120 milionë euro nga reklamat, shitjen e të drejtave të transmetimit të operatorët kabllorë lokalë por dhe abonimet me kartë nga audiencat televizive”. (Departamenti i Gazetarisë & komunikimit, Modelet ekonomike të industrisë televizive në Shqipëri, Tiranë 2017, f.11);
Së katërti, sepse lajmi që transmetohet është një e mirë publike. Sikurse theksohet në shënimin e seksionit 4 të “Kodit të Transmetimit për Mediat Audiovizive”, aktit nënligjor në zbatim të ligjit “Për Mediat Audiovizive”, ndër parimet themelore është që “veprimtaria informative audiovizive, pavarësisht nga operatori i shërbimit mediatik audioviziv që e ushtron, përbën në të gjitha rastet një shërbim me interes të përgjithshëm publik…”. Jo vetëm kaq, por dhe autorët më në zë bashkëkohor, fitues të çmimit “Pulitzer” në gazetari si Alex S. Jones (A. Fuga, Metamorfozë dhe metakomunikim, Tiranë 2017, f. 314-326) apo dhe ekspertë të ekonomisë së medias dhe gazetarisë si Victor Packard, Mark Cooper (McChesney & V. Pickard, “Will the last reporter please turn out the lights : the collapse of journalism and what can be done to fix it”, The news press 2011, f.174, f.315-316) e Gillian Doyle (G.Doyle, Ekonomia e Medias, Tiranë 2015, f. 24-27) etj., e analizojnë lajmin jo vetëm si një “mall” me natyrë specifike por edhe si një të mirë publike.
Në “kurthin” e monopolit mediatik, zgjidhja është…
Vëzhgimi i MediaLook evidentoi se Autoriteti i Medias Audiovizive ka “pak autoritet” ndaj televizioneve kombëtare private dhe nuk arrin t’i imponohet dhe të parandalojë transmetimin e kronikave me natyre tregtare.
Shkaqet mund të jenë të shumta, por një ndër to është dhe ndryshimi i ligjit “Për median audiovizive” pas shfuqizimit me vendimin nr.56, datë 27.07.2016 nga Gjykata Kushtetuese të paragrafit 3 të nenit 62 të tij, i cili parashikonte që “asnjë person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, të mos ketë më shumë se 40 për qind të kapitalit të përgjithshëm të shoqërisë aksionare, që zotëron një licencë kombëtare për transmetimet audiovizive”.
Sikurse lexohet në këtë vendim ndryshimi ligjor erdhi pas një procesi të nisur me kërkesë të Shoqatës për Mediat Elektronike të Shqipërisë, që pasoi përpjekjen e dështuar në kuvend për të votuar të ashtuquajturin “Amendamentin Balla”. Ky i fundit hasi me një rezistencë të fortë të përfaqësuesve të Bashkimit Europian, OSBE-së dhe Këshillit të Europës të cilët ngritën alarmin “për rrezikun e koncetrimit të grupeve mediatike dhe krijimin e monopolit në treg”.
Por ajo që vlen të evidentohet është se Autoriteti i Mediave Audiovizive, si subjekt i interesuar, është shprehur në favor të heqjes se një kufizimi të tillë të kuotave duke e cilësuar këtë pikë të nenit 62 si “jokoherent me ndryshimet e tregut mediatik” dhe duke pohuar se disponon mekanizma të tjerë ligjorë për të mbikëqyrur operatorët:
Subjekti i interesuar, AMA, parashtroi në mënyrë të përmbledhur këto argumente:
-
Kriteri kufizues i vendosur në paragrafin 3 të nenit 62 të ligjit për mediat për përqindjen e pjesëmarrjes së aksioneve nuk është në koherencë me ndryshimet në tregun mediatik.
-
Kufizimi objekt gjykimi ka pasur si nevojë të ekzistencës garantimin e shumëllojshmërisë në tregun audio dhe audioviziv, që në fakt garantohet me një sërë mekanizmash të tjerë, si kufizimi i numrit të licencave që mund të zotërojë një subjekt tregtar, kufizimi i numrit të programeve, në varësi të llojit të licencës që disponon, për një subjekt të pajisur me licencë për transmetime numerike ose për ofrimin e shërbimit të programit audio ose audioviziv, si dhe kufizimi i përqindjes së reklamave.
-
Ky kriter kufizues mund të jetë edhe diskriminues, se për ofruesit e shërbimeve mediatike që ofrojnë shërbime audiovizive në rrjetin e internetit, nuk ka një përcaktim të tillë. (Gjykata Kushtetuese, vendimi nr. 56, datë 27.07.2016)
Praktikisht, Autoriteti i Medias Audiovizive, organizmi rregullator për fushën e mediave elektronike, është shprehur në gjykatë në favor të monopolit mediatik për televizionet kombëtare private dhe se vëzhgimi i mësipërm konstaton se “mekanizmat e tjerë” nuk po funksionojnë për të siguruar respektimin e “Kodit të transmetimit” nga ana e operatorëve.
Me vendimin e sipërcituar të Gjykatës Kushtetuese, institucion aktualisht jashtë funksionit për shkak të largimit të shumicës së anëtarëve të kësaj trupe gjykuese gjatë procesit të vettingut, ligji ka pak gjasa të ndryshojë.
Megjithatë, ekspertët e medias evidentojnë disa rrugëdalje nga ky “kurth monopolistik”, i cili fillon pikësëpari me forcimin e autoritetit të AMA-s kundrejt operatorëve.
Një studim i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në UT, me temë “Modelet ekonomiket të industrisë televizive në Shqipëri”, rekomandon Autoritetin që përgjatë “procesit të rinovimit të licencave të vendosen kërkesa cilësore për nivelin e përmbajtjeve të transmetimit televizive, respektimin e kuotave për prodhimin e filmave, dokumentarëve të artit e kulturës shqiptare dhe krijimin e përmbajtjeve për platformat numerike; rritjen e presionit të AMA-s në mënyrë që financimet e reklamave të mos mbeten brenda kompanive televizive të të njëjtit grup aksionarësh; rritje e transparencës së pasqyrave financiare për shpenzimet dhe të ardhurat për njësi kohe transmetimi apo dhe mbulim i gjithë territorit të vendit me internet në mënyrë që audiencat të aksesojnë ofertat televizive edhe përmes shërbimeve numerike.
E derisa këto rekomandime të vihen në zbatim, ajo që opinioni publik por dhe vetë OSHMA-të presin nga organi rregullator i tregut televiziv është zbatimi i një kodi të cilin e ka miratuar po vetë.
Metodologjia e hulumtimit
Për të realizuar këtë hulumtim Qendra Shqiptare MediaLook ka zgjedhur kryqëzimin e variablave, të siguruara nga monitorimi i televizioneve kombëtare, mbledhja dhe përpunimi i të dhënave kuantitative mbi bizneset pranë QKR-së sipas lidhjeve lineare dhe të tërthorta, të kombinuara me informacione kualitative të siguruara nga gazetarë, agjenci dhe punonjës në institucione publike. I gjithë ky produkt është pasqyruar në tabela, grafikë dhe skema interaktive në një databazë online.
Në parantezë duhet evidentuar se objekti i hulumtimit është përqendruar në tre televizionet kombëtare duke u nisur nga rëndësia, mbulimi dhe impakti që këto OSHMA kanë në opinionin publik, e dhënë kjo që buron nga fakti që ato zotërojnë një licencë kombëtare por dhe nga të dhënat e raporteve të organizatave vendase e të huaja sipas të cilave këto shoqëri përfitojnë më shumë se gjysmën e shpenzimeve që gjenerohen nga tregu i reklamave. Megjithatë, Qendra Shqiptare MediaLook nuk pretendon në asnjë moment se raportimet me natyrë tregtare janë një fenomen që kufizohen vetëm në televizionet e marra në analizë.
Për t’u rikthyer në shpjegimin e metodës së parë, MediaLook ka kryer një monitorim të edicioneve kryesore informative të orëve 19 dhe 19 e 30, në faqet zyrtare në YouTube të tre televizioneve kombëtare Top Channel, TV Klan e Vizion Plus. Vëzhgimi ka mbuluar një periudhë tre mujore të lajmeve, nga data 1 tetor – 31 dhjetor 2018. Nga përpunimi i të dhënave rezulton se në total janë parë 276 edicione informative. Pra, bëhet fjalë për 138 orë transmetimi të shkarkuara ose 8280 minuta të analizuara. Nga ky total, janë evidentuar të paktën 84 minuta kronika me natyrë tregtare, sa tre edicione informative. Të gjitha këto lajme janë ngarkuar në databazën e krijuar prej Qendrës Shqiptare MediaLook, duke i bashkëlidhur informacionet bazike mbi temën, datën e transmetimit, minutat e transmetimit dhe lidhjen hiperlink me edicionet e lajmeve në kanalet respektive në YouTube.
Gjithashtu, MediaLook ka aksesuar dhe analizuar mbi 250 dokumente zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit për periudhën Tetor-Dhjetor 2018, ligjin dhe aktet nënligjore “Për Mediat Audiovizive”, raporte e buletine nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, vendime të aksionarëve të shoqërive të mara në analizë, studime të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, Reporterëve pa Kufij & BIRN Albania, të dhëna faturash mbi disbursimin e parave nga dikasteret publike si Ministria e Kulturës, Shëndetësisë, etj., dhe raporte të organizatës Freedom House. Nga përpunimi i këtyre dokumenteve janë realizuar dy skema në formën e pemës gjenealogjike të lidhjes së bizneseve parësore, dytësore e më gjerë, një prej të cilave është pasqyruar dhe në databazë. Gjithashtu është realizuar një grafik me fitimet vjetore të këtyre televizioneve për periudhën 2013-2017. Pjesa dërrmuese e këtyre dokumenteve zyrtarë janë ngarkuar në platformën online.
Krahas të dhënave kuantitative dhe kualitative që janë evidentuar më sipër duhet thënë se analiza është mbështetur dhe në një literaturë të autorëve më në zë bashkëkohor mbi standardet e raportimit të lajmit dhe ekonomisë së medias, ndër të cilët mund të përmendim Alex S. Jones, Bill Kovach, Victor Pickard e Gillian Doyle.
Shënim – Hulumtimi i Qendrës Shqiptare MediaLook u realizua:
Me mbështetjen financiare të Fondit të Asistencës për Median, Zyra e Marrdhënieve me Publikun, Ambasada e SH.B.A.-së në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.