Pas njoftimit në publik për një paketë antishpifje nga ana e qeverisë, që zgjoi një debat të madh në radhët e gazetarëve dhe ekspertëve të medias që shprehen shqetësimin se ky propozim është një përpjekje për të kontrolluar median online, kemi mbërritur në një terren konkret diskutimi dhe analize, pasi dy projektligje i janë prezantuar opinionit publik.

Nga artikulimet publike të grupeve të interesit janë të paktën tre modele filozofikë që po përplasen:

Modeli i parë, është propozimi i qeverisë me dy draftet konkrete që në thelb janë “arnim” ose korrigjim përmes shtojcave i dy ligjeve ekzistuese, atë “Për mediat audiovizive” dhe ligjin “Për komunikimet elektronike”.

Modeli i dytë, përfshin ato grupe gazetaresh, drejtuesish të mediave, opinionistë por dhe ekspertë komunikimi të cilët vënë theksin te një sistem vetërregullimi të tregut mediatik online dhe se çdo përpjekje për të korrigjuar problematikat me ligj, do të prodhonte censurë. Për hir të së vertetës edhe raportet ndërkombëtare, veçanërisht progresraporti i BE-së, deri tani kanë mbështetur këtë filozofi.

Dhe modeli i tretë, ku janë grupe të tjera gazetarësh, ekspertë të medias, studiues të komunikimit, të cilët janë të mendimit se duke parë peizazhin mediatik linear e online në Shqipëri dhe abuzimet e vazhdueshme me përgojim, shpifje e fake news, ku çdo media apo individ mund të thotë gjithçka për këdo, pa mbajtur asnjë përgjegjësi për atë që thotë e raporton, duhet të kufizohen. Pjesë e këtij mendimi është dhe redaksia e MediaLook.

Më 22 dhjetor, MediaLook publikoi një analizë mbi dy draftet e propozuara nga qeveria dhe të hedhura në diskutim publik nga AMA,  ku evidentoi problematikat e këtyre projektligjeve. Pa u zgjatur në ripërsëritje, ky model i parë bart një sërë ngërçesh konceptuale:

E para, dhe më e rëndësishmja është fakti se qeveria kërkon të korrigjojë këto defekte dhe të rregullojë tregun online të komunikimit horizontal, me një filozofi tërësisht vertikale, sikundër është ajo e ligjit “Për mediat audiovizive”, i konceptuar, me të drejtë, për mediat lineare, që kanë si karakteristikë të tyre dhe funksionojnë poashtu sipas një modeli vertikal;

E dyta, trajtesa e medias online me të njëjtën frymë sikundër dhe gazetat e televizionet lineare është problem në vetvete pasi kjo dëshmon se autorët e këtij drafti nuk kuptojnë thelbin komunikimit në web dhe tiparet e mediave të reja që funksionojnë horizontalisht, bazuar mbi konceptin e konvergimit mediatik, interaktivitetin, “bishtit të gjatë” të komenteve apo dhe duke zhvilluar forma të reja gazetarie si “gazetaria qytetare” e ajo e “agregatorëve të lajmit”. Nëse nuk kuptojmë këto parime, ne kemi “vrarë shpirtin” e web-it 2.0 dhe do t’i trajtojmë këto media si ato të gazetarisë së Gutenbergut;

E treta, draftligjet në fjalë prodhojnë një efekt joracional ndëshkimesh, ku një media televizive me audiencë masive për të njëjtin lajm “fake” të transmetuar, ndëshkohet disa herë më pak se një portal online me një audiencë qindra herë më të vogël. Masat ndëshkuese duhen vendosur vetëm nëse ka studime konkrete të tregut, të cilat duhet të ishin publikuar bashkë me draft-ligjin, ku të jepeshin raste konkrete se portale të caktuara prodhojnë më shumë dëme se media të konsoliduara me të njëjtin lajm. Nuk mund të ngrihet një bazë ligjore me perceptim apo shembuj kolektiv. Përgjegjësia është dhe duhet të jetë vetëm individuale dhe faktike, jo kolektive e mbi perceptime.

Së katërti, dy projektligjet aktuale ngarkojnë AMA-n dhe AKEP-in, si institucione të cilat do të kenë përgjegjësinë për zbatimin e ligjit dhe rregullimin e tregut, në një kohë kur të dy këto “autoritete pa autoritet”, janë kush më shumë e kush më pak, shkaktare të kësaj gjendje në median tradicionale televizive dhe kaosin e portaleve online.

Thënë këtë, dhe veçanërisht nëse i referohemi panoramës aktuale së një liberalizmi të shfrenuar portalesh, pa asnjë adresë dhe asnjë kontakt, pra përballë një “çorganizimi të organizuar” ku përgjegjës kryesor është AKEP, që ende nuk ka krijuar një regjistër me të dhëna të detajuara mbi pronarët e këtyre mediave, qëllimin dhe kategorizimin e tyre, merr një përgjigje dhe “modeli i dyte” i sipërcituar, ku mekanizmi i vetërregullimit nuk ka funksionuar dhe ka pak gjasa të funksionojë sepse mediat qoftë lineare dhe ato online nuk zhvillohen sipas rregullave të tregut, por edhe sipas imputeve të tjera financiare jashtë mediatike, që vijnë nga parti apo grupe të caktuara interesi.

Por mbi cilën filozofi duhet të ndërtohet një projektligj që të mos prodhojë censurë, sikundër sjellin dy draftligjet e hedhura për diskutim?

Nga të dhënat, konceptet dhe analizat që zhvillon, MediaLook gjykon se duhen hartuar jo disa nene, sikurse është bërë në dy projektligjet, por një ligj krejtësisht i veçantë që trajton specifikisht median online, duke mbajtur parasysh tiparet dhe karakteristikat kryesore të tyre në rrjet, sipas filozofisë horizontale të komunikimit.

Kjo do të thotë se, së pari, drafti i ri duhet të japë një përkufizim termash mbi “mediat online” e “portalet” si dhe të garantojë që parimet e interaktivitetit, “bishtit të gjatë”, pra komenteve, forma të raportimit multimedial, konvertimi mediatik, etj., jo vetëm që s’do të dëmtohen por përkundrazi, duhen konsideruar si “të shenjta” dhe një vlerë e shtuar e komunikimit dhe raportimit në internet.

Së dyti, asnjë gazetar apo media nuk duhet dhe s’ka pse të ketë frikë nga shpifja apo fake news. Por ligji i ri nuk mund t’i japë pushtetin dhe “spektrin e të vërtetës” dy institucioneve të cilat kanë dëshmuar katërcipërisht se janë “autoritete pa autoritet”, me probleme njëanshmërie, dhe, për më tepër, bashkëfajtore e këtij problemi, që pretendojnë se do të korrigjojnë. Ndëshkimi i një institucioni, deri në mbyllje të tij, është një masë që duhet dhe mund ta japë vetëm një palë e tretë, e pavarur si Gjykata.

Së treti, çdo masë ndëshkuese, siç janë gjobat, duhet të caktohen në përputhje me dëmin e shkaktuar. Është alogjike dhe mund të konsiderohet si mjet censure që një portal i sapokrijuar të dënohet më shumë se një televizion me audiencë të konsoliduar për të njëjtin lajm “fake” të publikuar. Këto masa, para se të caktohen në ligj, duhet të paraprihen nga studime konkrete.

Së katërti, formalizimi i tregut të mediave online, duhet kryer sipas të paktën dy fazave:

a.Regjistrimi falas (që duhet të ishte bërë) i çdo portali apo adrese interneti që operon në vendin tonë ose jashtë saj; Me regjistrim nënkuptohet identifikimi i pronarëve të tyre, adresë elektronike, person kontakti, qëllimi i tyre, etj…

b.Mbi këtë regjistër të dhënash, të bëhet kategorizimi i portaleve ose mediave në fitimprurëse dhe jofitimprurëse. Mediat fitimprurëse, përmes reklamave apo burimeve të tjera financiare, duhet të bëjnë dhe deklarime tatimore (të punonjësve, pagave..) dhe të pajisen me NIPT. Ndërkaq, ato jofitimprurëse, pa aktivitet tregtar, vijojnë të lirë në qëllimin dhe misionin e tyre.

Nga parashtrimi i mësipërm, përderisa trajtojmë një problematikë shumë sensitive, që prek dhe të drejtat kushtetuese, si liria e fjalës, e shprehjes dhe atë të medias do të ishte e udhës që draftet e propozuara të rikonceptohen si ligje të plota mbi median online, jo arnime ligjesh ekzistuese, duke mbajtur parasysh specifikat revolucionarizuese të web-it 2.0.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu