Takimi i katërt konsultativ mbi projektligjet antishpifje

Takimi i katërt konsultativ i Autoritetit të Mediave Audiovizive, Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare dhe Ministrisë së Drejtësisë me grupet e interesit për dy draftligjet e “paketës antishpifje”, përfundoi me një përplasje mes drejtuesve të këtij procesi.

Shkak për këtë janë bërë kërkesat në tryezë të përfaqësuesve të medias, konkretisht BIRN Albania rreth përputhshmërisë së draftligjit me modelin kroat, sikurse është pretenduar në njoftimet zyrtare (AMA, Diskutimet e përmbledhura dt.27 dhjetor 2018) dhe kritikës për hartimin e një drafti të pabazuar një studim të tregut, që kanë prodhuar sanksione abuzive për mediat online, ngritur nga Qendra Shqiptare MediaLook.

Në përgjigje të këtyre kërkesave zv/Ministrja e Drejtësisë, Teuta Vodo, është shprehur se përfaqësuesit e mediave duhet të kishin lexuar më parë relacionin e drafteve, pasi aty do të mund të merrnin informacione rreth të përbashkëtave mes modelit shqiptar të medias dhe atij kroat, një dokument i cili edhe pse faza e konsultimeve publike është përmbyllur tashmë, nuk u ka mbërritur mediave dhe organizatave që operojnë në këtë fushë. Kjo ka mjaftuar që mes përfaqësuesve të dy institucioneve bashkëhartuese të këtij drafti Ministrisë së Drejtësisë dhe AMA-s të përdoreshin deklarata me tone ultimative apo përgjigje me theks të pavarësia institucionale.

MediaLook ka arritur të sigurojë një kopje të relacioneve për të dyja projektligjet, në të cilën thuhet se përpiluesit e draftit kanë shqyrtuar një sërë eksperiencash në vendet e BE-së, por ka zgjedhur të ndjekë modelin kroat, megjithëse në asnjë rresht nuk përmenden të përbashkëtat që ka peizazhi mediatik tradicional e online në Kroaci me atë në Shqipëri:

“Gjatë përgatitjes dhe hartimit të dispozitave konkrete të këtij projektligji është marrë si model veçanërisht ligji kroat “Për mediat elektronike”, i cili që në nenin 1 të tij  parashikon se ky ligj rregullon të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e personave juridikë dhe fizikë, të cilët ofrojnë shërbime mediatike audio dhe audiovizuale dhe shërbimet e publikimeve elektronike nga rrjetet e komunikimit elektronik, duke vijuar më pas rregullimin e veçantë të secilit shërbim në dispozita konkrete të ligjit.
…Ndjekja e modelit të një shteti anëtar të Bashkimit Evropian, siç është Kroacia, për hartimin e këtij projektligji, por duke e përshtatur me kontekstin shqiptar është një argument tjetër bindës, që vërteton që me miratimin e këtij projektligji Shqipëria është në të njëjtën linjë zhvillimi me vendet e tjera të BE-së dhe nuk është në shkelje të legjislacionit komunitar.” ,- thuhet në relacionin e draftit “Për mediat audiovizive“.
Foto e faqjes së parë të relacionit për draftin “Për mediat audiovizive”

Gjithashtu, sikurse është shprehur shqetësimi dhe në tryezat konsultuese nga ana e përfaqësuesve të medias, MediaLook, vëren se as në relacionin bashkëlidhur këtyre drafteve nuk përmendet ndonjë studim, statistikë apo rast konkret, mbi të cilat është ndërtuar kjo bazë ligjore që ka prodhuar dhe gjoba irracionale ku mediat online gjobiten më shumë se televizionet kombëtare për të njëjtin lajm të publikuar, të cilat, sikurse është analizuar dhe më herët, prodhojnë censurë të medias dhe fjalës së lirë.

Ajo që bie tjetër në sy  në këto relacione për të dy projektligjet, që cenojnë drejtpërdrejtë dhe kushtetutën, është fakti se ato janë hartuar nga grupe pune të përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe ekspertë të fushës, pa evidentuar se cilët janë këto ekspertë qoftë të medias, teknologjisë së informacionit apo ata ligjorë.

Gjithashtu, për një çështje kaq sensitive si ajo e lirisë së medias, vërehet dhe mungesa e ekspertëve ndërkombëtarë të OSBE-së apo BE-së, një problematikë kjo e evidentuar edhe në letrën e Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir, i cili ofroi asistencën e OSBE-së për normalizimin e tregut pa dëmtuar lirinë e medias.

Më herët, pas thirrjes së OSBE-së, katër ndër organizatat më të mëdha ndërkombëtare për lirinë e medias dhe gazetarëve, si Reporterët pa Kufij, Qendra Europiane për Lirinë Mediatike, Federata Europiane e Gazetarëve dhe PEN International  i kanë kërkuar qeverisë shqiptare të heqë dorë nga dy draftligjet e propozuara nga shteti për rregullimin e medias online dhe regjistrimin e detyrueshëm të tyre.

Këtij apeli i janë bashkuar edhe shtatë organizatat jofitimprurëse që përfaqësojnë gazetarët dhe ekspertë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të cilat “besojnë se të dy projektligjet, në formë dhe në frymë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Të Drejtën Europiane, ndaj duhet të tërhiqen”.

 

Artikuj të tjerë mbi këtë çështje:

“Projektiligji antishpifje” i hap rrugë censurës: kthen gazetarinë në epokën e Gutenbergut
Filozofia e një projektligji të ri antishpifje: parime rregulluese që s’censurojnë median
Organizatat ndërkombëtare letër qeverisë: Hiqni dorë nga dy draftligjet për median!
Organizatat shqiptare: Projektligjet për mediat antikushtetuese, qeveria t’i tërheqë
OSBE: Ultimatumi i AKEP cënon lirinë e medias! Desir letër Ramës për asistencë në proces
Ultimatumi i një autoriteti (AKEP), pa autoritet!
Paketë antishpifje për “kamikazët mediatik”, jo taksë për fjalën e lirë

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu