Vendimi për prishjen e qendrës albanologjike dhe shkatërrimin e instituteve si pjesë e një institucioni kërkimor shkencor të pavarur, e krahasoj me vendimet prishëse më shkatërrimtare që fatkeqësisht kanë rënë mbi Shqipërinë në këtë shekullin e fundit.
Njësoj ta zemë si vendimi për ndalimin e librave të dëmshëm nga qarkullimi me vendim të qeverisë në vitin 1946, njësoj si shkatërrimi i ligjeve në 1967, nga e cila goditje Shqipëria nuk po e merr veten edhe pas 60 vjetësh në respektimin e ligjeve, njësoj si vendimi për tufizimin në 1981, që nuk la këmbë derri dhe lope në këmbë, njësoj si vendimi për të lejuar piramidat financiare që e hodhën Shqipërinë në vaj e zi në 1997!
Nga pikëpamje shkencore, ngjitja me ash është me këto pasoja për ata që kuptojnë sadopak nga menaxhimi i kërkimit shkencor, se të tjerët nuk pretendoj të kuptojnë:
– I heq shkencat shoqërore albanologjike nga duart e një drejtimi të zgjedhur nga komuniteti shkencor, dhe i vendos në drejtimin e një forumi, asambleja e ash ku kërkuesit shkencor jo vetëm nuk ushtrojnë asnjë vullneti, por e shohin me dylbi të drejtën për të zgjedhur drejtuesit e institucionit.
– I vendos studjuesit e shkencave shoqërore dhe albanologjike të moshave mesatare 40 – 50 vjeç nën autoritetin e akademikëve që janë në moshën mesatare nga 70 deri 80 vjec. Pra, nën drejtimin e një brezi të plakur.
– I vendos kërkuesit shkencor të albanologjisë, të cilët kanë mundësi fizike, dhe mendore të bëjnë punë të lodhëshme në terren, ekspedita, misione eksplorimi, vëzhgime, intervis-a, anketa në terren, nën kontrollin dhe drejtimin institucional të një grupi shoqëror studjuesish, të nderuar sigurisht, me kontribute, sigurisht, por që në shumicën e tyre nuk kanë më asnjë mundësi fizike dhe materiale për të qenë në terren, atje ku ballafaqohesh me faktet shkencore, ose në punë të lodhëshme në arkiva.
– I vendos forcat e gjalla për punë, forcat aktive kërkuese shkencore të studjuesve të albanologjisë nën drejtimin dhe kontrollin, nën autoritetin e studjuesve, sigurisht me kontribute dikur, por që kanë dalë në pension. Për herë të parë ata që ligjërisht janë në statuse pune, vihen në historinë e njerëzimit nën autoritetin e pensionistëve.
– Vendos brezin e studjuesve të shkencave shoqërore dhe të albanologjisë, që bëjnë kërkimin shkencor dhe janë në kulmin e mundësive për t’u ballafaquar me korpuse dokumentare dhe me fakte terreni, etj. në vitet 2020, nën autoritetin e një asambleje, sigurisht, me individë me kontribute, por që ekanë pasur pjekurinë dhe kulmin e tyre, mesatarisht në vitet 80 ose 90, hajde deri në vitet e para të shekullit tonë. Pra, brezi i shekullit 21 vihet nën kontrollin e brezit të një shekulli më parë.
– Studjuesit e shkencave shoqërore dhe të albanologjisë që janë të specializuar në disiplinat specifike përkatëse vihen nën autoritetin e një grupi akademikës, të nderuar sigurisht, por që në gjysmën e tyre, kur të votojnë, duhet të përballojnë me intuitë dhe disiplinë institucionale gjatë vendimarrjeve paditurinë tërësore shkencore në fushat albanologjike. Të studjosh yjet, ose thellësitë e shtresave të tokës, tërmetet, apo të shohësh përhapjen e një virusi nuk ka fare lidhje ta zemë me ison gjirokastrite apo me kostumet e Mirditës, lëre me rregjimet politike gjatë historisë në Shqipëri, apo me fonetikën. Shkenca vihet në autoritetin e intuitës, dija shkencore vihet nën kontrollin e opinionit.
– Studjuesit e shkencave shoqërore dhe të albanologjisë kanë detyrime ligjore për plane pune, etj., kurse një pjesë e konsiderueshme e akademikëve, sado shumë të nderuar dhe me kontribute në të kaluarën, ligja nuk u njeh asnjë detyrim në qendrën akademike.
– Për herë të parë punonjësit shkencorë studjues të albanologjisë vihen në kontrollin dhe drejtimin e punonjësve të jashtëm, sepse akademikët me përjashtim të nja katër a pesë prej tyre të gjithë janë punonjës që nuk bëjnë pjesë në organigramën e punonjësve të akademisë të shkencave.
– Pjesa më e madhe e kërkuesve shkencorë të albanologjisë ka përfunduar studimet universitare dhe ato doktorale me programe mësimore dhe shkencore të pas viteve ’90, një pjesë e madhe me diploma të huaja, kurse ata vendosen pas kësaj nën drejtimin e kontrollin e akademikëve, sigurisht të nderuar, por që në pjesën dërmuese kanë bërë studime universitare me programe të shkollës të izolimit diktatorial dhe pa diploma të huaja. Flas mesatarisht. Në këtë mënyrë formimi i pasviteve 90 vendoset nën mendësinë e formimit të viteve 80.
– Të mos harrojmë që studjuesit e shkencave shoqërore vendosen edhe një herë nën drejtimin dhe orientimin e akademikëve, të nderuar sigurisht, por pjesa e tyre më afër albanologjisë, ka drejtuar dikur albanologjinë dhe më pas natyrshëm ka shkuar në pension. Edhe një herë kemi restaurimin e drejtuesve të larguar nga postet e dikurshme, tashmë në pension, që do të kontrollojnë ish punonjësit e tyre.
Ja çfarë bënë!
– Vkm u kërkon kërkuesve shkencorë të albanologjisë të bëjnë punë për fjalorin, enciklopedinë, tekstin e historisë, ndërkohë që në vend që këto projekte të shkonin atje ku e kishin vendin, në albanologji, shkon shkenca atje ku vërtiten projektet. Të imagjinosh që studjues të rinj të albanologjisë, të cilët kanë nevojë të bëjnë studime bazike në kërkimin e tyre shkencore, u kërkohet të bëjnë punime fundore karriere sikurse janë fjalorët dhe enciklopeditë.
Cila do të jetë pasoja në njëzet vjetët e ardhshëm : Askush nga ata që ndikuan vkm nuk do të jetë në gjendje pune, uroj të jenë në jetë, në shtëpitë e tyre, jo në azile, e spitale, por një gjë dihet: Shqipëria atëmot do ta dijë edhe më pak se kjo e sotmja se kush ka qenë, kush është dhe kush do të jetë!
Nuk di nëse është ky qëllimi i tufëzimit të instituiteve të albanologjisë, por di si buka që ha se kush do të jetë pasoja!