Koncepte, arritje dhe përfundime dinamike në kërkimin shkencor ndërkombëtar

Krimi seksual mbi fëmijët është një dukuri që ka ekzistuar edhe përpara sesa web dhe komunikimi dixhital në Internet të bëheshin pjesë e komunikimit të përditshëm planetar. Mirëpo, ndërkohë që në shekullin e 21 –të platformat dixhitale në web, si edhe telefonia mobile e lidhur me Internetin fiks, ka ndryshuar jo vetëm format e komunikimit, por edhe sjelljet njerëzore, ka përfshirë në një komunikim të përbotshëm edhe fëmijët në mosha fare të mitura, rreziku i shfrytëzimit për qëllime seksuale ose abuzimi me fëmijët, është bërë një dukuri e rrezikshme, me përmasa shumë më të gjera sesa më parë, me tipare dhe mënyra të reja shfaqjeje, si edhe me tipologji përbërëse krejt të tjera.

Ky është një problem i madh shoqëror për të gjitha vendet, prandaj pavarësisht të dhënave jo të plota, dhe mangësive në legjislacionin shqiptar, apo në masat e marra për t’i mbrojtur të miturit nga abuzimi seksual me ta, ai duhet konsideruar si i tillë edhe në vendin tonë. Eshtë një shqetësim që ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave dhe të jetës të fëmijëve, me ruajtjen e tyre nga simptomat shpesh të pashërueshme të traumave psikopatologjike të ardhura nga abuzimi me ta, ka të bëjë me të ardhmen e brezave në dekadat e ardhëshme, si edhe është një dukuri që kërkon ndjeshmëri nga familja si edhe nga agjencitë e tjera të edukimit të fëmijëve dhe të të rinjve.

Dihet si edhe në fushat e tjera, duke qenë dhe një dukuri relativisht e re, kërkimi shkencor në vendin tonë mbi të, është në nivele të pakënaqëshme. Ndofta fillestare. Kjo lidhet me shumë faktorë pengues që kërkohet të përballen, por që nuk do t’i trajtojmë këtu. Shpesh mungon baza konceptuale, herë të tjera është e mangët metodologjia e kërkimit shkencor, jo rrallë mungojnë të dhënat statistikore në plan kombëtar ose lokal, janë të munguara institucionet që bëjnë ndjekjen dhe hetimin e këtij krimi masiv dixhital në Internet dhe në ekranet e tjera të vogla, sikurse mungojnë fonde për ta mbështetur atë.

Në këto kushte, mendohet se mund të jetë një mjet i mirë për ta zgjeruar dijen tonë lidhur me përballimin e shfrytëzimit të të miturve në web, duke u njohur sa më nga afër dhe gjeresisht me kërkimet shkencore dhe studimet që bëhen në vende të Perëndimit, duke përvetësuar prej andej përvoja, koncepte, rezultate në mënyrë që të bëhemi të ndërgjegjshëm dhe të përgatitur për ta studjuar problemin në kushtet tona konkrete. Këtu do të paraqesim vetëm aspekte të disa studimeve nga kjo fushë, por duke qenë fare të sigurt që kërkimi shkencor në botë sot lidhur me dukurinë e shfrytëzimit seksual të fëmijëve është shumë më i gjerë duke marrë përmasa të pamata në kërkime shkencore empirike, në artikuj shkencorë, etj.

Ajo që vihet re është se ka së paku tre nivele tipologjike të ndryshme që karakterizojnë këtë kërkimi shkencor.

Së pari, është kërkimi shkencor që ka si objekt konkret dhe të drejtpërdrejtë pikërisht abuzimin seksual me fëmijët në web.

Së dyti, janë studime mbi komunikimin dixhital dhe komunikimin në web, ku rreziku që paraqitet në këtë fushë dhe që lehtëson krimin seksual mbi fëmijët shihet si aspekt i kalimit të shoqërisë në komunikimin dixhital.

Së treti, janë studimet që kanë natyrë operacionale, pra që janë në shërbim apo vijnë nga shërbimet e hetimit, ato policore, mbi krimin seksual dixhital mbi fëmijët.

Në këtë paraqitje do të ndalet në këto çështje kryesore: Fillimisht do të jepen disa të dhëna nga qindra mijra që ekzistojnë si gjetje të kërkimeve të sotme shkencore për të treguar se kemi të bëjmë me një dukuri shumë të gjerë kriminale. Pastaj, do të tregohet sesi shkenca e sotme ka përpunuar disa koncepte politike dhe juridike për ta bërë krimin seksual ndaj fëmijëve në web të kapshëm nga sistemi gjyqësor dhe nga shërbimet e policimit në web. Më pas do të tregohet se përse web-i krahas avantazheve krijon edhe rreziqe specifike për të bërë që rreziku i krimit seksual dixhital mbi fëmijët të rritet. Do të ndiqet kjo pjesë nga një tjetër, e cila trajton karakteristikat e sjelljes të keqbërësve seksualë dixhitalë kundër fëmijëve. Më tej, do të shihet se cilat janë disa nga metodat shkencore që përdoren për të ndjekur dhe matur e parandaluar krimin seksual në web kundër fëmijëve. Për t’u përmbyllur me një përqasje psikoterapeutike të keqbërësve seksuale ndaj fëmijëve në web, çka do të na lejonte në fund disa përfundime. Burimet për këtë tekst vijnë nga dokumenta dixhitalë në web që përmbajnë rezultate dhe gjetje kërkimi shkencor, nga studime të botuara në revista shkencore ose në formë monografie si edhe nga një vëllim me studime shkencore empirike dhe teorike me titull Internet Child Abuse. [1]

  1. Abuzimi seksual me fëmijët në web dhe vështirësitë e matjes të tij.

Në një studim të disa viteve më parë theksohet se llogariteshin 4,2 milion website pronografike, që në kohën e studimit përfaqësonin mbi 10 përqind të të gjithë website-ve.  (Matt O’Brien, Stephen Webster, Assesment and Treatment Approaches with Online Sexual Offenders, Op. Cit.). Sigurisht që këtu matja e kryer mban parasysh një lloj subjektiviteti lidhur me përcaktimin e kategorisë të “website pornografik” në varësi të klasifikimit dhe parametrave të marrë në konsideratë nga studjuesit.

Megjithatë shifra në fjalë, e cila me siguri ka pasur më vonë dinamikën e vet rritëse, tregon në mënyrë të përmbledhur tre aspekte kuptimplota. E para, sesa e lehtëson një komunikimi dixhital i pakontrolluar në aspektet e veta të dëmshme krimin seksual mbi fëmijët. Jo vetëm për shkakun siç konsiderohet që poqese ky komunikim është i pakontrolluar, ai i ngjan një rruge a autostrade pa shërbim të ruajtjes të rendit. E dyta, tregon se keqbërësit seksual në web ose offline në botën e sotme nuk janë aspak një grup social i pakonsiderueshëm. Përkundrazi, ata duhet të përbëjë një segment shoqëror me shtrirje të ndjeshme. Kjo merret me mend edhe për arsye se nga website-t e rregjistruara si pornografike dhe që abuzojnë me imazhin e fëmijëve, ka një numur të konsiderueshëm prej tyre që u përkasin ose janë të hapura për synimet e komuniteteve të interesuara dhe të përfshira në këtë sjellje kriminale. Një pjesë e tyre realizojnë atë që e quajnë turizëm seksual me fëmijët, i cili ka një shtrirje të gjerë sidomos në vende me legjislacion ose me shtet të pandjeshëm ndaj kësaj dukurie. Së treti, shifra na tregon sesa i lartë është rrisku dixhital për t’u abuzuar seksualisht për një fëmijë që ka akses të pakontrolluar në navigimin në web ose në të gjitha platformat e mesazherive dixhitale të komunikimit në kohë reale, apo të teknologjive të reja të telekomunikacionit, të lidhura në Internet, dhe që përdorin edhe komunikimin visio si whatsapp-i, viber-i, skype, etj.

Nga të dhënat e marra nga institute sondazhesh, agjenci boll serioze dhe të besueshme, gjetur në web, rezultojnë të dhëna që dëshmojnë se përqindja e rasteve kur fëmijët ndodhen të ekspozuar ndaj krimit seksual dixhital, është shumë e lartë. Vetëm nga shifra e lartpërmendur rezulton që një ndër dhjetë website të vizituara nga një fëmijë në web ka rrezik mesatarisht të jetë një website që abuzon me imazhet seksuale të fëmijëve. Kjo tregon se çfarë rreziqesh paraqet lundrimi i paorientuar nga shkolla dhe nga prindërit për një fëmijë që futet në vorbullën e një komunikimi kaotik.

Të dhënat e mëposhtëme sado me rezerva që të merren  e konfirmojnë këtë. Me rastin e një Safer Internet Day, organizuar nga Komisioni Europian para disa vitesh theksohet që statistikisht studimet rezultojnë që ky rrezik për fëmijët e grupmoshave të ndryshme është goxhà i rritur. Pêrshembull njê sondazh pohon që 90 përqind e fëmijëve nga 13 deri 18 vjeç navigon në web krejt vetëm dhe pa asnjë kontroll prindëror ose nga ana e agjencive edukuese.

Sipas Barometrit “Fëmijët dhe Interneti” të kryer nga agjencia e sondazheve me besueshmëri të lartë Calysto, theksohet: 39 përqind e fëmijëve nga 13 deri 15 vjeç që navigojnë në web hyjnë në biseda në formë loje me nuanca erotike ose seksuale në Internet. 23 përqind e fëmijëve nga 11 deri 13 vjeç që navigojnë në web nisin të diskutojnë pa kufij me persona që nuk i kanë njohur fare më parë. Të panjohurit kështu kanë akses në kontaktin me fëmijët në web. Ajo çka prindërit bëjnë kujdes ta ndalojnë offline, ndodh gjerësisht në navigimin në Internet ose në komunikimet dixhitale në telefoninë mobile. Po ashtu theksohet që 15 përqind e fëmijëve të moshave nga 11 deri 13 vjeç janë ndodhur së paku një herë gjatë përvojave të tyre komunikuese para të papriturave të pakëndëshme, surprizave, duke konstatuar se nuk kanë qenë duke komunikuar me një bashkëmoshatar, por me një të rritur.

Të tilla të dhëna numerike dhe të tjera si këto tregojnë sikurse theksuam shpeshtësinë e dukurisë kriminale të abuzimit seksual me fëmijët në komunikimin dixhital. Por këto të dhëna duhen marrë me shumë rezerva.

Ka një arsye madhore që e bën të detyrueshëm kujdesin për t’i trajtuar të dhënat me shumë kujdes dhe maturi. Sipas statisticienëve në këtë fushë, sipas psikologëve për fëmijë, specialistëve të studimit të sjelljes të navigatorëve në web, del se një fëmijë i shqetësuar seksualisht, apo i abuzuar në web ose offline, e raporton me shumë vështirësi ose nuk e raporton fare përvojën e hidhur që ka kaluar. Ai pëson traumat psikopatologjike të lidhura me këtë abuzim, shfaq simptoma të tyre, por përvojën e hidhur traumatizuese e ka vështirë megjithatë ta raportojë në shkollë ose te prindërit. Kjo do të thotë që edhe studimet që rregjistrojnë të dhënat sigurisht kanë më pak prej tyre sesa ato janë në realitet. Por, jo vetëm kaq. Prindërit dhe shkolla shpesh nuk kanë fare vëmendje për këtë dukuri kriminale me pasoja të mbajtura fshehur nga viktimat e saj, fëmijët e abuzuar. Është pra një dukuri “e padukshme”, një ajsberg që tregon vetëm majën e tij. Kur prindërit ta zemë ndodhen para ngjarjeve të rënda lidhur me fëmijët e tyre të abuzuar seksualisht në Internet, shpesh është shumë vonë për të evituar pasoja shumë të dëmshme mbi fëmijët.

Ja si e paraqet këtë problem social dhe statistikor një kërkues shkencor i specializuar në këtë fushë: “Kërkimi shkencor ka treguar që një ndër katër fëmijë shfrytëzohen seksualisht në Internet… Ky kërkim ka provuar që edhe kur fëmijët, viktima të abuzimit seksual, nuk rrëfejnë se çfarë kanë pësuar, kjo nuk do të thotë aspak se dukuria nuk ka ndodhur. Të rrish në pritje duke shpresuar që viktimat t’a raportojnë abuzimin me ta – kjo nuk është fare një zgjidhje e problemit.(John Taylor, “Policing Social Networking Sites and Online Grooming”, Op. Cit.)

Eshtë me shumë rëndësi kjo e dhënë që vjen nga kërkimi shkencor Perëndimor. Ajo veç të tjerash ka rëndësi sepse ndihmon për përpunimin e metodave të duhura për t’a matur dhe mbi të gjitha për ta parandaluar dukurinë kriminale të abuzimit seksual dixhital me fëmijët. Kêshtu studjuesit kanë sugjeruar që policimi kundër kësaj sjelljeje kriminale në web të bëhet me metoda “proaktive”.

Çfarë janë këto metoda?

Ato kërkojnë që hetimi i kësaj dukurie të realizohet edhe duke i kërkuar në mënyrë aktive abuzuesit seksualë me fëmijët në Internet. Kërkohet kontakti aktiv me ta nga ana e shërbimeve të specializuara të policimit dixhital për të parë, matur, parandaluar dhe ndëshkuar sjelljen e tyre dhe pasojat e saj. Sigurisht kjo metodë ka edhe kufizimet e veta sepse shpesh hyn në “ujrat” e mbrojtjes të të drejtave të personit, si edhe u jep abuzuesve alibinë që nuk kanë qenë ata iniciatorë të një komunikimi abuzues, por të ftuar atje. Gjithsesi, studjuesit e legjitimojnë këtë metodë sakohë që në mungesë të saj personaliteti, identiteti, sjellja kriminale e keqbërësi që abuzon seksualisht me fëmijët në web mund të mos zbulohen kurrë edhe si pasojë e mosdenoncimit nga ana e viktimave.

2. Përpunimi i koncepteve dhe normave juridike mbi abuzimin seksual me fëmijët në web

Sikurse çdo veprimtari kriminale e re, edhe abuzimi ose shfrytëzimi seksual në web i fëmijëve, fillimisht u parashikua si krim brenda normave ligjore të mëparshme. Kjo ndodhi ose duke e përfshirë atë veprimtari kriminale si objekt për norma ligjore më të përgjithshme gjenerike sikurse ta zemë është Konventa e Kombeve të Bashkuara Për të Drejtat e Fëmijëve, ose duke bërë amendamente për formulime shtesë normave ligjore që kanë mbuluar fushën e krimeve ndaj fëmijëve dhe abuzimeve me to në vende të ndryshme. Gradualisht duke nisur nga dekada e parë e shekullit të 21-të nisën të përpunohen koncepte dhe norma ligjore ose ligje tërësorë që i referohen specifikisht kësaj veprimtarie kriminale.

Në kërkimin shkencor sikurse në gjuhën juridike nisën të hyjnë koncepte të tilla si “abuzim seksual dixhital me fëmijët”, “shfrytëzim seksual dixhital i fëmijëve”, “akte seksuale dixhitale me të mitur”, “Komunikim dixhital me të mitur me qëllim abuzimin seksual me ta”, “krim seksual dixhital”, “keqbërës seksual online ndaj fëmijëve”, “website pornografike me fëmijë” dhe kështu me radhë.

Në kërkimin shkencor nisin të përpunohen koncepte juridike për të cilët kishin nevojë edhe shërbimet e policisë, por edhe ligjëvënësit në formulimin e ligjeve përkatëse, si edhe gjykatat në dallimin e nuancave të ndryshme të veprimtarive kriminale kundër fëmijëve në web.

Pa mundur sigurisht të bëhet një analizë e hollësishme e të gjithë këtyre koncepteve, ndalemi në prekjen e disave prej tyre që përbëjnë edhe koncepte bazë.

Në një studim të rëndësishëm teorik në këtë fushë (Julia Davidson Legislation and Policy, Op. Cit.) ndalet më së pari te koncepti i “preliminary contacts” që një i rritur abuzues seksual në web me fëmijët vendos me navigatorë të mitur. Këto “kontakte paraprake” janë shumë të rëndësishme në përmbajtjen e tyre juridike meqë konstatimi i veprimtarisë kriminale penale në web kundër fëmijëve shihet jo thjesht si një akt i vetëm dhe i izoluar por si një vijëmësi veprimesh antiligjore, të dënueshme nga ligja, të cilat vërtetojnë edhe qëllimin e komunikimit abuziv në fjalë.

Ndër aktet e para ligjore të specifikuara dhe të përpunuara në mënyrë pakashumë të plotë përmenden  : “Sexual Offense Act” në vitin 2003, i vlefshëm dhe i zbatueshëm në Angli, Uells dhe në Irlandën e Veriut; “Protection of Children and Prevention of Social Offences Act” në vitin 2005, i zbatueshëm në Skoci; sikurse edhe ngritja e agjencive të para të hetimit të këtij krimi në web sikurse ka qenë e njohura “Crown Prosecution Service” (CPS) që vepron në Angli dhe Uells.

Në elementet përbërëse të “kontakteve paraprake”? studimi shkencor dhe koncepti juridik kanë futur si më poshtë:

  1. Konsiderohen raste të krijuara për të takuar në web një të mitur çka nënkuptohet në kontekstin lokal një fëmijë nën 16 vjeç.
  2. Raste të krijuara medoemos nga një i rritur.
  3. Duke përdorur Internetin ose çfardo teknologji tjetër elektronike që përdor kode dixhitale.
  4. Me qëllim që të përgatisë një veprimtari online ose offline seksuale me fëmijë nën moshën e përmendur.
  5. I rrituri abuzues nuk ka asnjë provë të mjaftueshme që ta bëjë të besojë që komunikuesi me të është mbi moshën 16 vjeç.

Në legjislacionin më të përparuar të vendeve të ndryshme me kulturë veçanërisht të ndjeshme kundër këtyre lloj krimeve nisin të formulohen më qartë përkufizimet e akteve paraprake dhe të komunikimit për qëllime abuzimi seksual me të miturit. Kështu përmendet ndër të parët Kodi Penal Norvegjez i cili parashikon dënime me disa vite burg dhe me gjoba të rënda për këdo “që bie dakord të takohet me një fëmijë nën 16 vjeç për qëllimin e kryerjes të një aktiviteti ose marrëdhënieje seksuale.”

Sikurse e saktëson studimi në fjalë, nocioni i “fëmijërisë” është përkufizuar me nuanca të ndjeshme në varësisë të perceptimeve që ka për “fëmijërinë” çdo kulturë e veçantë. Sigurisht që përcaktimi i “qëllimësisë të komunikimi” mbetet në nocion shumë elastik dhe që ka krijuar debate të ndryshme edhe brenda komunitetit të studjuesve. Kjo zakonisht mbetet për t’u zbuluar nga komunikimi i fshehur (covert policing) që bëjnë hetues të shërbimeve policore në web (web policing) duke krijuar kontakte me keqbërësit online dhe duke i tërhequr ata në atë që quhet “police trap” (kurth-rrjetë policor).

Po kështu është përpunuar edhe koncepti i “grooming”, i cili po ashtu specifikon nuanca të komunikimit dixhital seksualisht abuziv me të miturit. Ky koncept jo vetëm i përgjigjet realitetit të komunikimit abuzues si i realizuar në disa seanca ose për një kohë relativisht të gjatë, por përmbledh edhe parashikimin e teknikave që abuzuesit ose keqbërësit (offenders) përdorin në këto raste. Një komunikim abuzues që e përpunon të miturin duke fshehur identitetin dhe qëllimet e vërteta të keqbërësit. Kështu sipas studimit të cituar më lart, grooming përfshin:

  1. Përdorimin e rrjeteve sociale ose të platformave të tjera dixhitale në web ose të lidhura në Internet, apo edhe të komunikimit me video.
  2. Nga një i rritur për të komunikuar me një ose disa të mitur.
  3. Për t’i përgatitur fëmijët me qëllim abuzimin seksual me ta online ose offline.
  4. Duke fshehur identitetin dhe qëllimet e vërteta të abuzuesit.

Nga kjo pikëpamje, grooming përfaqëson një praktikë përpunimi, parapërgatitje, të të miturit nga ana e abuzuesit për ta shfrytëzuar më bërja më pas seksualisht atë.

Nga ana tjetër, akti ligjor në ShBA i quajtur “Child Online Protection Act” (COPA), i hyrë në fuqi në 2004 ka bërë objekt të vetin edhe veprimtarinë kriminale të quajtur e krijimit, stokimit apo e shpërndarjes të imazheve të turpshme me fëmijët (“decent images”). Në studimin e cituar më lart theksohet që “Në ShBA sipas COPA –s, ato që quhen imazhe të turpshme nuk duhet të kenë me patjetër një natyrë të hapur seksuale…Bërja e aksesueshme edhe për qëllime komerciale në web e materialeve që janë të dëmshme për fëmijët, sakohë që nuk sigurohet që fëmijët të kenë akses në to, konsiderohet një veprimtari antiligjore.”

Sigurisht ka një debat se çfarë do të quhet krijim, mbajtje ose përhapje e imazheve të turpshme me fëmijë. Përshembull në Zvicër nuk quhet kriminal akti i mbajtjes në kompjuter i këtyre imazheve duke u konsideruar si “computer storage” (magazinim kompjuterik). Gjithashtu gjykatat në vende të ndryshme nuancojnë vizualizimin personal të imazheve të turpshme nga krijimi apo shpërndarja e tyre për qëllime fitimi ose në website ose rrjete sociale komunitetesh të mbyllura pedofilësh apo abuzuesish seksualë me fëmijët në përgjithësi.

Ndërkaq termi “abuzim seksual me fëmijët në web” (digital sexual abuse), sipas studimit : Petter Gottschalk “Characteristics of The Internet Child Abuse”, është pjesë e abuzimit në përgjithësi me fëmijën. Ky i fundit përfshin edhe kequshqyerjen, dhunën, përdorimin në një punë të detyruar, përdorimi si fuqi puntore për qëllime fitimi, etj.

Përsa i përket abuzimit digital seksual, këtu futen elementët e mëposhtëm:

  1. Abuzimi i drejtpërdrejtë seksual
  2. Ekspozimi pa turp nga një i rritur i organeve të tij seksuale fëmijëve në web etj.
  3. Ushtron presion ose kërkon nga një fëmijë ta përdori atë për të prodhuar imazhe pornografike me fëmijë
  4. Nxitja e një fëmije në aktivitete seksuale për të cilat ky i fundit nuk është ende i përgatitur nga pikëpamja e zhvillimit të tij ose nuk është i ndërgjgjshëm për kuptimin e tyre
  5. Kur fëmija përdoret në këtë kuadër i detyruar me anë të ndëshkimit, dhunës ose duke u mashtruar.
  6. Përfshin prekjen në organet seksuale ose intime, puthjet intime, masturbimin e sforcuar, penetrimin ora, anal, vaginal, të anusit, fizik ose me anë të penetrimit dixhital.

3. Pse web-i e lehtëson abuzimin seksual me fëmijët?

Kërkimi shkencor perëndimor ka bërë një përkujdesje të veçantë metodologjike për të vënë në dukje që abuzimi seksual me fëmijët në web ose edhe në teknologjitë e reja të telekomunikacionit nuk duhet të trajtohet si një vazhdim i thjeshtë e abuzimit seksual me fëmijët offline. Sigurisht midis të dy realiteteve, njeri empirik dhe fizik dhe tjetri virtual e dixhital, ka lidhje, ndërkalime dhe ndërvartësi të cilat sigurisht duhen mbajtur shumë parasysh. Por, realiteti i keqbërjes seksuale ndaj fëmijëve në web, madje edhe sjellja e keqbërësve në web, pra sjellja e tyre digitale, është krejt tjetër nga ajo offline, sidomos kur është fjala nga teknikat e përdorura për t’ja arritur qëllimit.

Në një studim shkencor të lartpërmendur theksohen se cilat janë karakteristikat dhe mundësitë që jep teknologjia e web-it dhe si e përcakton ajo sjelljen e abuzuesve seksualë me fëmijët në web (Petter Gottschalk, Characteristics of the Internet Child Abuse, Op. Cit.). Vihet re një listë tiparesh dhe mundësish që e lehtëson dhe e zgjeron këtë abuzim:

  1. Web-i realizon atë që quhet “disconnecting”, pra shkëputjen e komunikimit sy më sy midis abuzuesit dhe të abuzuarit. Disa shprehje ose propozime që komunikimi ballëpërballë i bën të vështira nga turpi ose për arsye të tjera, komunikimi në web duke realizuar shkëputjen fizike të keqbërësit dhe viktimës, i bën të mundura.
  2. Web-i është një teknologji e ndërmjetësimit, ai realizon lidhje mes abuzuesit dhe viktimës si me tekst, ashtu edhe me zë, ose me figurë nëpërmjet webcam-eve, visio-komunikimeve, etj. Pra, nuk ka rëndësi vendi ku ndodhen ata.
  3. Universaliteti, çka do të thotë që web-i lejon të realizohen komunikime dixhitale nga cdo vend i Planetit duke realizuar atë që quhet një kriminalitet të ndërfutur midis hapësirave ligjore të vendeve të ndryshme.
  4. Web-i sidomos në rrjetet sociale lejon që krimet dhe abuzimet seksuale dixhitale të sjellin pasoja nga të cilat të përfitojnë pafuntësisht abuzues duke bërë që fëmija të abuzohet mijra e dhjetra mijra herë, pra aq herë sa klikohet mbi imazhin e tij.
  5. Web-i luan edhe një rol ekspresiviteti të vetes të navigatorit, por edhe një rol instrumental. Pra, nëpërmjet website-ve krijohen me imazhet e abuzimit me fëmijët, ose nëpërmjet manipulimit të tyre duke i bërë viktima të seksualitetit offline, të cilët kthehen në kanale shpërrndarjeje për qëllime fitime. Pra, fëmija i abuzuar kthehet në një mall për trafikun ilegal ndërplanetar.
  6. Web-i është “time moderator”, që do të thotë se realiteti dixhital në formën e një videoje, fotoje, a gjithçkaje tjetër që realizohet mund të konsumohet në cdo orë të ditës dhe të natës. Kështu edhe viktima mund të harselohet në cdo sekondë nga keqbërësi jo vetëm sepse web-i mund të përdoret kështu në kohë reale, por edhe sepse mesazhet që lihen në të ushtrojnë presion gjatë gjithë kohës mbi viktimën.
  7. Komunikimet në web janë “low cost” dhe nuk u kërkojnë shpenzime suplementare për çvendosje në territor abuzuesve, as pagesa hotelesh, konsumimi produktesh ushqimore përgjatë çvendosjeve të tyre, etj.
  8. Abuzuesi realizon atë që quhet “dyfishim elektronik të vetvetes”, pra të paraqitet jo sikurse ai është në të vërtetë, por sikundër ai dëshiron të paraqitet fillimisht për të vendosur kontaktin me viktimën e vet.
  9. Madje krijohet mundësia për “manipulimin elektronik të dyfishtë” si nga ana e abuzuesit, i cili zakonisht paraqitet si dikush tjetër, si bashkëmoshatar, me viktimën, por edhe vetë viktima, që hyn në lojë, edhe ajo mund të paraqesi veten jo sikundër është në realitet.
  10. Komunikimi në web nuk e thyen madje në disa drejtime e shton atë që quhet “asimetri e informimit”, sepse ka shumë mundësi që abuzuesi të fshehi të gjithë informacionin e vërtetë për veten e tij, ose ta paraqesi të deformuar atë, kurse viktima është i shfaqur me shumë elemente njohëse në rrjetet sociale. Për të abuzuesi mund të dijë shumë.
  11. Web ka kapacitete virtuale të pafuntme, mundësi për t’u shprehur me të gjitha kodet multimediale dixhitale, ka mundësi të realizojë përpunim të videove, të zërit, të rregjistrojë, të rrisi në mënyrë të konsiderueshme pixelin e fotove dhe imazheve të lëvizëshme, të bëjë montazh fotosh, etj.
  12. Komunikimi në web ka pavarësi ndaj kohës dhe hapësirave reale fizike.
  13. Web-i krijon atë që quhet cyberspace në kuptimin që ky realitet virtual nuk është thjesht një dyfishim i realitetit fizik, por është në vetevete një realitet më vete. Abuzuesi nuk ka medoemos nevojë të dali jashtë hapësirës virtuale të komunikimit për të marrë kënaqësitë e veta seksuale. Përkundrazi ai luan atje erotikisht me viktimën e tij.
  14. Web-i ka fuqi të ndërtojë edhe rrjete që janë shumë dinamikë, pra të përcjelli produktin e komunikimit në komunitete me sjellje seksuale abuzuese të ndryshme lidhur me viktimizimin e fëmijëve, vuajeristë, dhunues seksualë, fetishistë dixhitalë, turistë seksualë, etj.
  15. Web-i karakterizohet për t’a bërë të gjithëpranishëm abuzuesin pranë viktimës kudo që ky i fundit të ndodhet. Sidomos nëpërmjet navigimit dixhital në web nëpërmjet telefonisë mobile, viktima ndiqet kudo që ai të jetë, në shtëpi, në shkollë, në rrugë, etj.
  16. Web ka mundësi t’i dërgojë mesazhet në audienca të pafuntme duke abuzuar masivisht me fëmijën, duke ushtruar presion mbi të dhe duke e dhunuar moralisht viktimën përpara opinioneve publike shumë të gjera.
  17. Web-i realizon interaktivitetin e komunikimit duke bërë të mundur që në kohë reale abuzuesi të ushtrojë influenca të padëshirueshme mbi viktimën e tij.

Të gjitha këto karakteristika bëjnë që të ndryshojë tipologjia e vendit ku ndodh abuzimi seksual me fëmijën. Dikur ato bëheshin në bodrume, wc publike, stacione autobuzësh a depo periferike, kurse në web ato ndodhin edhe brenda banesave të fëmijëve.

Po ashtu, kërkimi shkencor pohon që është shpesh e vështirë të bëhet dallimi midis “digital self-disclosure” (zbulimi dixhital i vetvetes) realizuar nga fëmija ose adoleshenti në rrjetet sociale, sidomos ato për të rinjtë si Facebook, Instagram, My Sace, etj., dhe abuzimit me imazhet e fëmijëve nga keqbërës seksualë me ta.

Edhe në akte normative të BE janë vënë në dukje avantazhe që sjell web-i dhe përgjithësisht komunikimi dixhital  për abuzuesit seksualë me fëmijët. Ja çfarë deklarohet në një Vendim Kuadër të Këshillit të Europës në vitin 2009: “Përparimet në teknologji i kanë bërë sot këto probleme më të mprehta duke lehtësuar prodhimin dhe shpërndarjen e imazheve të abuzimit seksual të fëmijëve si edhe duke u dhënë keqbërësve anonimitetin dhe mundësinë ta shtrijnë aktivitetin e tyre në hapësirat e ndërmjetme të jurisprudencës të vendeve të ndryshme.” (Libër i cituar, fq. 15).

4. Modele sjelljesh të abuzuesve dixhitalë

Një nga kontributet më të rëndësishme të kërkimit shkencor Perëndimor është studimi i sjelljes të abuzuesve seksualë dixhitalë. Edhe njëherë ka vend të theksohet që kërkuesit shkencor unanimisht bien dakord që sjellja e abuzuesve dixhitalë ka specifikat e veta dhe nuk është aspak vazhdim linear i sjelljes të abuzuesve dixhitalë offline. Janë përpunuar modele sjelljesh abuzuese të cilat kanë një shkallë të lartë përgjithësimi duke përbërë standarde që lehtësojnë analizën dhe diagnostikimin e sjelljes deviante abuzuese online. Ky lloj modelizimi bihejviorist ndihmon jo vetëm organet e drejtësisë, por edhe familjet për të mbrojtur fëmijët nga shfrytëzimi dixhital seksual që mund t’i kërcënojë.

Sipas një studimi (SC Dombrovski, Safe-Guarding Young People, Op. Cit.), sjellja e abuzuesit seksual kalon këto etapa:

  1. Cyber – predatori simulon sikur është tjetër njeri dhe ka të tjera qëllime për të komunikuar, zakonisht hiqet si bashkëmoshatar me viktimën.
  2. Ndërmerr atë që quhet “proces çndalues” (desinhibition), duke u përpjekur të heqi çdo ndalesë për përmbajtjen e komunikimit midis tij dhe viktimës.
  3. Shfaq gradualisht fantazitë e tij deviante seksuale.
  4. E bën të pandjeshëm viktimën (e çsensibilizon) ndaj komunikimit mbi marrëdhënie seksuale midis saj dhe abuzuesit duke i trajtuar ato si raporte erotike ose përvojash seksuale normale.
  5. Kërkon marrëdhënie seksuale online ose offline të pakërkuara nga viktima.

Në një studim tjetër shkencor të rëndësishëm (John Taylor, Policing Social Networking Sites and Online Grooming, Op. Cit.) janë arritur në përfundime të vlefshme për të kategorizuar abuzuesit seksualë me fëmijët në web si edhe për të studjuar transformimin e statuseve të tyre. Sipas autorit kemi :

  1. Keqbërës që e kontaktojnë viktimën offline
  2. Keqbërës që e kontaktojnë viktimën online
  3. Keqbërës online që nuk e kontaktojnë viktimën. Ata janë më së shumti konsumues videosh ose fotosh, imazhesh dixhitale pornografike me fëmijë.

Sjellja e këtyre segmenteve të grupit social dixhital që kemi në studim është e ndryshme. Lidhjet dhe fuqia e transformimit të tyre nga njeri te tjetri janë të ndryshme. Kështu ka një shndërrim me mundësi më të rralla të abuzuesve online pa kontakt me viktimën në keqbërës me kontakt offline me të. Por, ka nga ana tjetër një shndërrim më të lehtë dhe më të shpeshtë të keqbërësve online me kontakt me viktimën në keqbërës me kontakt offline. Ka një transformim të mundshëm të nivelit të lartë të keqbërësve online pa kontakt me viktimën në keqbërës offline në kontakt me viktimën.

Lidhur me abuzuesit me imazhet e fëmijëve si subjekte pornografike të qarkulluara në web, sipas studimit të mësipërm, mund të thuhet se ata ndahen në segmente me statuse të ndryshme dhe me rrezikshmëri me shkallë të ndryshme nga pikëpamja e vepimtarisë kriminale që ushtrojnë. Dallohen pra:

  1. Abuzuesit reaktivë. Këta kërkojnë imazhe pornografike që shfrytëzojnë seksualisht fëmijët dhe bashkëveprojnë personalisht me këto imazhe duke kënaqur pulsionet e tyre erotike.
  2. Kërkuesit aktivë të imazheve pornografike abuzuese me fëmijë.
  3. Mbledhësit e imazheve pornografike me fëmijë
  4. Angazhuesit e fëmijëve në venien në skenë të marrëdhënieve ose pamjeve pornografike.
  5. Abuzues në hapësirën publike të cyberspace me imazhet pornografike me fëmijë.
  6. Promotorë të këtyre aktiviteteve antiligjore që abuzojnë me fëmijën. Këta e mbështesin këtë veprimtari kriminale me fonde, platforma, mjete, etj.

Sipas atij që quhet sipas emrit të autorit “modeli i Finkelhorit” (D. Finkelhor, Child sexual abuse: New theory and Research, Op. Cit.) te çdo abuzues seksual dixhital, sipas studimeve të tij, ndodhin katër procese pa të cilat ngjarja nuk ndodh:

  1. AbuzuesI ka një bllokim të realizimit të nevojave të tij seksuale offline.
  2. Ai kapërcen normat e brendshme morale ndaluese për veprimtarinë që kryen.
  3. Ai kapërcen bllokimet e jashtme etike në komunikimin me viktimën e tij.
  4. Ai thyen rrezistencën e viktimës së tij.

5.Hetimi online ndaj abuzuesve dhe ndihma e shëndetit mendor të tyre

Sikurse edhe në rastin e shumë veprimtarive të tjera kriminale shoqëria postmoderne i trajton ato edhe si veprime të paligjshme dhe të ndëshkueshme nga ana e drejtësisë, por edhe me një bazë devijimesh psikopatologjike. Ndëshkimi i keqbërësve abuzues seksualë dixhitalë nuk përjashton aspak, përkundrazi e nënkupton ndihmën mjeksore ndaj tyre. Sidomos ndihmën lidhur me shëndetin e tyre mendor.

Kërkimi shkencor në këtë pikë ka kërkuar bashkëveprimin midis kriminalistit, neurologut, psikologut, psikiatrit, sociologut, specialistit të sjelljes sociale online, etj.

Në mjaft studime hidhet dritë për simptomat neuropsikiatrike dhe psikopatologjike të abuzuesve seksualë në web me të miturit. Midis tyre, një kërkim shkencor i thelluar që citohet shpesh (Matt O’Brien dhe Stephen Webster, Assesment and Treatment Approaches With Online Offenders, Op. Cit.) ka listuar një sërë treguesish psikologjikisht deviantë të abuzuesve seksualë dixhitalë. Në çdo rast konsiderohet që niveli i fantazive të tyre seksuale është shumë më i lartë sesa ai i keqbërësve seksualë offline me fëmijët që shkojnë drejut kontaktit fizik me ta.

Metodologjikisht, kërkimi shkencor e vendos theksin te fakti se studimi i sjelljes psikologjike devijante të abuzuesve seksualë dixhitalë me fëmijët nuk është i lehtë. Kjo sepse ata studjohen nëpërmjet diagnostikimeve dhe procedurave komunikuese nga ana e mjekve psikiatër, etj., të ndodhur në kushte hetimi.

Dy vështirësi lindin.

E para lidhet me faktin që ata nuk janë shumë të besueshëm në rrëfimet e tyre sepse priren ta fshehin aktivitetin e tyre abuzues.

E dyta sepse duke dashur të perfitojnë lehtësira në gjykim, shpesh përgjigjen jo realisht dhe sinqerisht por ashtu sikurse ata mendojnë se do të donte mjeku i tyre.

Gjithsesi në studimin e mësipërm numurohen këto devijanca psikopatologjike të rregjistruara te një numur relativisht i konsiderueshëm abuzuesish:

  • Fantazi seksuale dhe erotike të rritur me prirje deviante në dëm të viktimave fëmijë.
  • Ka që vuajnë nga trauma psikologjike të ardhura prej abuzimeve seksuale që janë bërë me ata vetë në fëmijëri.
  • Jo pak prej tyre vuajnë nga mungesë empatie nga të tjerët dhe nga mungesa e shprehjes të vlerësimeve intime nga njerëzit e afërt ose rrethi social.
  • Ka që vuajnë nga çrregullime obsesive kompulsive ose fiksime psikike të adresuara te fëmijët si pasojë e përvojave të tyre në kohën e fëmijërisë ose adoleshencës të hershme.
  • Çrregullime të ndryshme të personalitetit në formën e paranojës ose skizofrenisë.
  • Vetëvlerësim i ulët
  • Bllokim për arsye të ndryshme i realizimit të nevojave seksuale.
  • Hiperseksualitet, etj.

Nga ana tjetër, kërkimi shkencor mat edhe shkallën e suksesit të hetimit dhe zbulimit të vepritarisë antiligjore të abuzuesve seksualë dixhitalë me fëmijët.

Nga një monitorim në rezultatet e këtij kërkimi rezulton që theksi vihet te parandalimi i krimit të shfrytëzimit seksual në web të fëmijëve. Pra vlerësohet hetimi proaktiv duke bërë “online covert policing”, çka korrespondon me paraqitjen e hetuesve policorë në komunikimin në web si viktima të mundëshme për predatorët seksualë.

Nga ana tjetër ka ndodhur ajo që quhet “law enforcement”, pra përforcimi i normave ligjore qoftë me rritjen e ndëshkueshmërisë, qoftë me plotësimin e normave ligjore me të gjitha nuancat juridike që i përgjigjen specifikat e krimit seksual me fëmijët në web.

Në vende të ndryshme aplikohet lista e unifikuar e IP (Internet Protocol)  e atyre që konsiderohen si abuzues seksualë dixhitalë të njohur nga shërbimet e policisë dhe nga sistemi i drejtësisë.

Në Angli përshëmbull vepron Multi – Agency Panel Protection Arrangements (MAPPA), e cila kombinon shërbimet e policisë, shërbimeve sociale, ato të drejtuesve të komuniteteve lokale, etj., për njohjen, rregjistrimin dhe mbajtjen nën vëzhgim të personave të njohur si abuzues seksualë dixhitalë. Inspektorët e këtyre shërbimeve në emër të interesit madhor dhe prioritar të fëmijës kanë mundësi edhe të bëjnë vizita të papritura në banesat dhe në memorjet e kompjuterave të personave nën vëzhgim.

Aplikohet bllokimi i menjëhershëm i website-ve që vjedhin identitetin e llogarive të të tretëve në web me qëllim që të shpërndajnë produkte pornografike me fëmijë, etj. Matet koha e bllokimit të tyre e njohur si procedurë “take down”.

Nuk kursehet që në raste recidivistësh të rrezikshëm me hiperseksualitet të procedohet edhe me medikamente anti-androgjenie për të ulur urinë seksuale të abuzueve që e shprehin këtë prirje. Sikurse nuk mungon të përdoret edhe poligrafi për të matur shkallë, e sinqeritet të rrëfimeve të tyre.

Në vende të ndryshme ka butonë të kuq që mund të klikohen mbi imazhet e videove që shfaqen në web, ose edhe mbi fotot dixhitale, klikimi i të cilave njofton drejtpërdrejt dhe në kohë reale shërbimet e policisë në web për rastet e abuzimeve seksuale me fëmijë, etj.

6. Përfundime

Si përfundim, mund të themi se:

  1. Ndjekja e sjelljes deviante në web, në këtë rast e abuzuesve seksualë me fëmijët, sikurse sjellja e cdo lloj komuniteti, përbën një fushë të re të kërkimeve në fushën e shkencave të komunikimit duke rifutur në to fuqishëm një grup shkencash të rinovuara me kërkime të reja sikurse është sociologjia, psikologjia, kriminologjia, etj.
  2. Kërkimi shkencor në këtë fushë ecën sa drejt modelimit teorik aq edhe drejt aplikimit në ndihmë të ndjekjes dhe zbulimit të abuzuesve dixhitalë nga ana e shërbimeve të specilizuara.
  3. Drejtësia sikurse edhe shërbimet policore online kanë nevojë si për koncepte të reja juridike dhe sociologjike, ashtu edhe për t’u pasuruar korpusi ligjor me norma të reja specifike për krimin dixhital kundër fëmijëve. Vetëm në këtë mënyrë Interneti, web-i, telefonia mobile nuk do t’u ngjajnë një hapësire ku lulëzon krimi i pandëshkuar.
  4. Metoda interaktive e “online covert policing ”, krahas ndëshkimit të rreptë nëpërmjet “law enforcing” të abuzuesve dixhitalë seksualë me fëmijët, si edhe si edhe e ndihmës në kuadrin e shëndetit mendor, bëhen të detyrueshme nga vetë specifikat e aktivitetit kriminal në fjalë.
  5. Statistikat dhe kërkimi shkencor duhet të ballafaqohen me dy vështirës bazë : E para ka të bëjë me raportimin e vështirë nga viktimat e pasojave të pësuara nga krimi online, dhe e dyta, nga fakti se çdo proces intervistimi i abuzuesve të kapur nga shërbimet përkatëse përmban rrezikun e të qënurit jo transparent dhe jo adekuat.
  6. Kërkimi shkencor provon që recidivizmi është një nga karakteristikat e krimit të abuzimit seksual me fëmijët, prandaj në respekt të drejtave qytetare si edhe të sigurimit të të drejtave të mbrojtjes të fëmijëve, gjenden forma efikase për vëzhgimin dhe mbajtjen nën kontroll të abuzuesve edhe pas përfundimit nga ana e tyre të dënimit të marrë.

[1] Julia Davidson, Petter Gottschalk, (edit), Internet Child Abuse, Routledge, botimi I parë, Oxford 2011.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here