Burimi: Press Association

Shqipëria u refuzua edhe për të paktën 18 muaj nga vendet e bllokut për t’i çelur negociatat që do ta çonin drejt rrugës së integrimit në Bashkimin Europian.

Lajmi nuk suprizoi asnjë qytetar shqiptar.

Por, ajo çka për habinë e të gjithëve po ndodh është përcjellja këtij lajmi nga politika, gjysma e të cilës është zyrtarisht në festë, ndërsa gjysma tjetër në “ditë zie”.

Për qeverinë, gjithçka pas të martës mbrëma është luftë PR-i. 

Për opozitën, beteja e radhës është të tregojë që ajo kishte të drejtë. 

Ajo që nuk kemi parë ende është raportimi objektiv i medias për të deklriptuar vetë qëndrimin e unionit dhe për të sqaruar opinionit publik se çfarë ka ndodhur: a janë hapur apo jo negociatat për Shqipërinë?

Varësisht misionit që ka si pushtet i katërt dhe pavarësisht politikës së ndarë edhe kur bëhet fjalë për një ngjarje me interes të tillë, siç është hapja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, përpjekjet e të gjithë spektrit mediatik për të bërë detyrën e saj janë pothuajse inekzistente.

Kanë kaluar 3 ditë nga përgjigja “pa përgjigje” e Këshillit Europain dhe gjithçka thuhet në gazeta, televizione e portale është thjesht dhe vetëm një konfuzion me kakofoni deklaratash, interpretime të palëve politike, për të mos mohuar disa përpjekje sporadike që mundohen të hedhin dritë mbi të vërtetën e hidhur, por vetëm kaq.

Kryeministri i Shqipërisë sa vjen dhe po e shkoqit më tepër JO-në që ka marrë Shqipëria nga Brukseli, ndërsa qytetarët shqiptarë edhe pse e perceptojnë atë, nuk arrijnë ta gjejnë të pasqyruar askund në mediat që kanë për detyrë informimin e tyre.

“Kemi një tekst që na mundëson neve që të bëjmë punë tonë dhe të gjithë ata që kishin hall se do t’ju ngriheshin në këmbë njerëzit që, “pse i hapët menjëherë negociatat me Shqipërinë dhe me Maqedoninë” të bëjnë punën e tyre, – të thonë, “JO”. Ja, kjo është e gjitha! Është një qasje kompromisi e subjektivitetit politik të vendeve anëtare pas raportit të objektivitetit teknik të Komisionit Europian”.

Ishte kjo deklarata më e fundit e Kryeministrit Edi Rama, teksa rrekej tu mbushte mendjen shqiptarëve se është bërë aq punë e shkëlqyer diplomatike në Paris, Hagë, Berlin e Bruksel sa ambasadorët tanë atje të meritojnë edhe Medalje Mirënjohjeje për këtë nga vetë kreu i qeverisë.

Brukseli i ka thënë qartazi JO, ndërsa ne i gëzohemi një PO-je hipotetike. Gjithçka është kompromis. Dhe këtë e pranon edhe vetë kreu i qeverisë.

Një “JO” të tillë e kanë pranuar me gjysmë zëri edhe dy prej protagonistëve të zgjerimit me seli në Bruksel, Federica Mogherini e Johaness Hann, të cilët përpiqen thjesht të mbrojnë punën e Komisionit Europian, që, duhet pranuar, vlen edhe për vitin në vazhdim, për të cilin thuhet se do të nisë menjëherë puna.

“Të gjitha grupet politike dhe partitë, autoritetet vendore dhe shoqëria civile duhet të punojnë së bashku më shumë se kurrë për tu përgatitur për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe për të marrë përgjegjësinë e plotë të këtij procesi.”

Ishte kjo një pjesë e deklaratës së përbashkët Mogherini-Hahn, ku nënvizohet po ashtu se, “në çastin kur negociatat të hapen zyrtarisht, ju do të jeni tashmë duke vrapuar”.

Pra, nga gjithçka që pohohet është e qartë se hapje zyrtare negociatash nuk ka, madje nuk ka asnjë garanci për një datë të mundshme për hapjen e tyre.

Kjo përligj më së miri faktin se amullia e mediave në vendin tonë është e pajustifikueshme. Pjesa dërrmuese e tyre nuk i ka kthyer në kryetituj këto deklarata, të cilat do ti jepnin fund dilemës së përgjithshme, u hapën apo u shtynë negociatat.

Edhe kur gjërat janë të qarta si kristali mediat tona iu mveshin hije dyshimi që nuk dëmton askënd tjetër, veçse publikun, atë qytetar që sa vjen e po priret të shohë si më të besueshme median e huaj dhe jo atë të përcjellë nga pasqyrimet mediatike shqiptare, ku në po të njëjtën mënyrë duket sikur respektohet gërmë për gërmë e frymë për frymë PR-in zyrtar i politikës së ngurtë shqiptare, që as vetë nuk e beson se vërtet po ndikon në mënyrën e të menduarit të shqiptarëve. Qytetarët shqiptarë, të tejngopur nga mashtrimet dhjetëra vjeçare, në lëmin e një milionë titujve shqip që lexojnë kanë filluar t’i perceptojnë edhe të vërtetat si gënjeshtra.

E në fund, ajo që media duhet të bëjë, është thjesht të jetë pak më e vëmendshme, të mos shohë vetëm mesazhet që ju vijnë të gatshme nga deklaratat e gjata të politikanëve, por, ndonjëherë, mjafton të lexojë mes rreshtash për të kryer misionin e saj informues.

Kryeministri e tha qartazi, përgjigja e hapjes së negociatave ishte, – “për ne “PO”, për 28 vendet anëtare “JO”. Kjo nuk lë më vend për interpretim. Në të kundërt, thjesht po i bëjmë qejfin vetes.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu