Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut e cilëson urdhërin e SPAK ndaj Lapsi.al si një vendim që cënon hapur lirinë e medias pasi bie në kundërshtim me Konventat Ndërkombëtare. Ajo vendosi t’i kërkojë qeverisë së Shqipërisë të ndalojë hapat për sekuestrimin e pajisjeve të punës, kompjuterave serverave dhe celularëvesë të Lapsi.al.
“Autoritetet duhet të ndalojnë zbatimin e vendimit të ndërmjetëm të Gjykatës së Shkallës së Parë të Specializuar Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nr. 131 të 18 prillit 2021 dhe të ndalojnë sekuestrimin e çdo pajisjeje për ruajtjen e të dhënave dhe të dhënave kompjuterike / elektronike që u përkasin gazetarëve” – thuhet në njoftimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Vendimi u mor pas një kërkesë për pezullim të dërguar në këtë gjykatë nga aplikantët Aramand Shkullaku, Andi Bushati dhe Lapsi .al të përfaqësuar nga avokati Dorian Matlija. Kërkesa është dërguar mbrëmjen e 19 Prillit 2021, menjëherë pas vendimit të dhënë nga Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila lejonte prokurorinë të sekuestronte kompjuterët, celularët dhe çdo paisje elektronike të redaksisë së Lapsi.al.
Në një intervistë avokati Dorian Matlija, shpjegon rëndësinë që ky vendim i Gjykatës së Strasburgut ka për lirinë e medias në Shqipëri, që dukshëm sipas vendimit, është cenuar nga veprimet hetimore të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Oficerët e policisë gjyqësore, të hënën, kërkuan të sekuestronin gjithë pajisjet e punës dhe databazën e të dhënave personale, që kanë rrjedhur prej Partisë Socialiste në mënyrë të paligjshme dhe po përdoren për fushatë zgjedhore.
LAPSI.AL nuk pranoi të dorëzonte materialet pasi ato mbrojnë burimin informacionit dhe tashmë këtij qëndrimi të gazetarëve i ka dhënë të drejtë edhe gjykata e Strasburgut.
Vendime të tilla kaq urgjente merren shumë rrallë nga
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, e cila në këtë rast ka çmuar prioritare lirinë e medias dhe mbrojtjen e burimit të informacionit.