Panairi i Librit 2018, Tiranë

Dy ditë pas çeljes së “Panairit të Librit 2018” në Tiranë, rrëmova nëpër faqe mediash online, shtëpish botuese, profile Facebook-u me qëllim që në një kohë të shkurtër të mësoja në detaje titujt e rinj të romanëve apo botimeve profesionale, për të cilat shfaq më shumë interes.

Por… një tmerr i vërtetë!

Asnjë media nuk ofronte këtë informacion për titujt e rinj. Tek-tuk ndonjë statistikë apo intervistë, por asnjë listë librash, të ndarë sipas kategorive, me përshkrime respektive dhe analiza për disa prej tyre.

Kërkoj në faqet e televizioneve kombëtare. Hap Top Channel, kontrolloj kanalin në You Tube dhe në total më shfaqen 5 postime për Panairin, por asnjë informues mbi zhanret dhe botimet e reja. Në Vizion Plus gjashtë lajme ndërsa në TV Klan një kronikë.

Të tre faqet online të televizioneve kishin të njëjtën problematikë. Asnjë prej tyre nuk gjeneronte një kontent të ndryshëm nga ai i kronikave të transmetuara në ekran, një karakteristikë kjo e web 1.0, gjeneratë që në perëndim është tejkaluar që në vitet 2004.

Kërkoj në të përditshmen më të madhe në vend, versionin online të gazetës Panorama. Gjithsej 8 artikuj, promovime librash në UET, një fotolajm dhe disa intervista.

Vijoj me Shekullin i cili kish publikuar pesë tituj, Gazeta Dita e Tema katër postime ndërsa Mapo 30 shkrime, ku afro 90% e tyre ishte vetëm mbi autorët që publikojnë në UET.

Sërish, asnjë të dhënë.

Zhvendos kërkimin tim në Google me fjalët kyçe “librat e rinj në panair”, “Panairi i Librit 2018”, “botimet e reja”, “titujt e rinj”, etj., por as këtu nuk shfaqen lajme e publikime mbi listën e librave e asfare analiza apo kritika mbi to.

Në ngjarjen më të rëndësishme kulturore të vitit, mediat vizive, print e online i ofrojnë audiencave të tyre 4-5 njoftime titujsh, shumë kronika-marketing dhe asnjë analizë apo kritikë të pavarur mbi librin duke krijuar kulturën e antikulturës! – , ndërsa studimi i INSTAT dhe raportimet alarmante se “1 mln shqiptarë nuk kanë lexuar asnjë libër gjatë vitit”, i’u var si këmbor në qafë publikut të etiketuar si analfabet…

A ka gjasa, që, në kushtet e sipërcituara, panorama të jetë ndryshe?! Fundja, a nuk është një prej funksioneve të medias edukimi i audiencave me raportime të plota e analiza të thella? Përse faqet e web të TV-ve duhet të ofrojnë të njëjtën përmbajte si televizioni, me tekste 10-15 radhë, të përshtatshëm për kronikat e lajmeve, kur në versionin online mund të plotësonin këtë informacion me kritikë, tabela, analiza, grafike, etj.? A mungojnë burimet njerëzore për ta gjeneruar një përmbajtje cilësore në web?

Sigurisht, që jo! Mungon koncepti për të konsideruar portalin online të TV-së, jo si një zgjatim i kanalit viziv, sikurse ndodh, por si një media alternative, pse jo dhe konkurrente brenda logos, e cila lëvron një gazetari multimediale dhe interaktive.

Kjo ka kosto, – mund të thotë dikush, – kërkon staf teknik dhe disa gazetarë. Patjetër që po, por dhe tërheqja e audiencave, e rrjedhimisht gjenerimi i të ardhurave nga reklamat, nëse ofron një model plotësues raportimi të thelluar, mbi lajme që vë fokusin vetë TV-ja, mund të jetë shumë më i lartë sesa modeli aktual i marketingut, ku reklamimi në web, ofrohet si bonus për sponsorët në ekranin e madh.

Përse gazetat hapin titujt e tyre me lajme televizionesh, lajme rozë apo deklaratash në studiot televizive, kur në botë printi, i cili rrezikohej nga portalet online ka arritur të shpëtojë vetveten së pari, duke u përshtatur me raportimin në linjë dhe së dyti, duke ofruar një përmbajtje shumë të thelluar, gati gati enciklopedike në letër… Gazetat e mëdha në perëndim, janë sot, shumë më tepër se më parë, media të kulturës, artit dhe debateve fetare e filozofike. Analizat e specializuara i mundësojnë kësaj të fundit mbijetesë dhe një përmbajte krejtësisht tjetër, nga raportimi televiziv dhe ai në web.

Ndërkaq, kërkimi vazhdon…

Fillimisht, në faqen e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, e cila për habi nuk ofronte asnjë të dhënë për këtë, e më pas në shfletimin një nga një të profileve të shtëpive botuese në rrjetet sociale. Ndërsa zhvendosja para-mbrapa mrrokllën e mouse-it, mes atij organizimi të çorganizuar, kuptova se po humbisja më shumë kohë online seç do të bëja po të ndalesha në stendat fizike të ngritura në Pallatin e Kongreseve.

Mjaftojnë 1 ose 2 orë para ekranit të kompiuterit për të kuptuar se lexuesit e librit po plaken! Për fat të keq aty ku janë audiencat e reja fushatat promovuese të shtëpive botuese janë thuajse inegzistente. Nuk ofrojnë as një shërbim me kosto ZERO, atë të librit elektronik, me pretendimin se nuk ekziston kjo kulturë e leximit ndër shqiptarët. Komunikimi dhe PR-i i tyre, sikundër 28 vjet më parë, është kryesisht linear dhe fizik, ndërkohë që koha, teknologjia dhe profesionet janë bërë dinamike dhe kanë ndryshuar katërcipërisht.

Shënim: Një punonjëse e Bukinist në Panairin e Librit, pas intersimit të shprehur më njoftoi se faqja që tregton libra ka hedhur një listë të gjatë titujsh të rinj, ende jo përfundimtare. Megjithatë, deri tani, ky është burimi i vetëm informacioni për lexuesin e interesuar për botimet e fundit.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu