Gjatë 12 muajve të fundit, rreth 42 për qind e të miturve dhe fëmijëve të moshës 11-16 vjeç kanë parë ndonjë imazh seksual në internet, nga të cilët, 16.8 për qind shohin imazhe të tilla për çdo ditë apo gati çdo ditë, 12 për qind një apo dy herë në javë.

Teknologjitë e reja të informacionit kanë transformuar shoqërinë në shekullin e ri. Ky transformim ka ndodhur për sa i përket këmbimit dhe ruajtjes së informacionit, duke u konsoliduar tashmë si mënyra të reja të komunikimit në sferën politike, ekonomike si dhe në fushën e dijes. Ajo që pranohet gjerësisht është se moshat e reja janë përdoruesit më të mëdhenj të teknologjive të komunikimit, ndërsa ndikimi më i madh është te fëmijët. Përdorimi gjithnjë e më i madh i teknologjive të reja dhe internetit te fëmijët, ka transformuar edhe jetën e tyre shoqërore, në krahasim me dekadat e mëparshme, ashtu siç është transformuar edhe mënyra tradicionale e  promovimit të inovacionit, arsimit, tregtisë etj. Rëndësia e internetit në punë, në arsim, komunitet, në politikën publike, në jetën familjare dhe marrëdhëniet shoqërore, shtron pyetje të reja për studiuesit, për politikë-bërësit dhe publikun dhe veçanërisht për të rinjtë që janë përdorues të mëdhenj të këtyre teknologjive.

Studimet e tanishme në vendet evropiane kanë treguar se në vitet e fundit ka pasur një rritje të përdorimit të internetit nga fëmijët e moshës 9-16 vjeç, ndërsa prindërit gjithnjë e më shumë po tregohen joefikasë në ushtrimin e kontrollit prindëror kur bëhet fjalë për abuzimin dhe praninë e produkteve pornografike. Rreth 15 për qind e familjeve në 25 vende evropiane, konsiderohen të jenë familje jokompetente për të ushtruar kontrollin e nevojshëm mbi fenomenet e dëmshme në internet për fëmijët e tyre (Paus-Hasebrink et al., 2013). Ndërsa nuk ka studime mbi sasinë e përdorimit të internetit në Kosovë, ekzistojnë disa burime të besueshme (alexa.com) që vërtetojnë se Kosova është një përdoruese e gjerë e rrjeteve sociale në krahasim me vendet europiane. Vendi bën një përjashtim specifik nga vendet e tjera duke patur një portal online si web-in më të vizituar, në kontrast me vendet europiane te të cilat Google renditet si përdorues i parë.

Qëllimi kryesor i këtij studimi ishte identifikimi i situatës reale të përdorimit të teknologjisë online në Kosovë, koha e kaluar në internet dhe produktet që i konsumojnë online fëmijët e moshës 11-16 vjeç. Për t’u realizuar kjo është përdorur një pyetësor i standardizuar (i Livingstone et al. 2011)  por i përshtatur për kontekstin kulturor të Kosovës. Janë anketuar 280 nxënës të moshës 11-16 vjeç nga tre shkolla të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, në zona urbane dhe rurale, të të dy gjinive.

Rrjetizimi i shoqërisë në internet

Shoqëria e rrjetizuar (Castells, 2009) që ka kulmuar me përdorimin e gjerë të rrjeteve digjitale, ka transformuar shoqërinë. Ky transformim më masiv është për nga ndërlidhja dhe nderveprimi social,  e jo për nga suksesi i avancimit teknologjik, konvergjencës e digjitalizimit (Cardoso, 2006). Kjo ndërlidhje nuk ndodh kur individi gjindet fizikisht në lagje, në vendin e punës apo shtëpi, por në të gjitha këto kur ai futet në internet. Sipas Couldry (2012), interneti është hapësirë ​​institucionale e qëndrueshme e ndërveprimit dhe e ruajtjes së informacionit, ku tregohet dhe mund të tregosh e gjesh gjithçka, në një mjedis në të cilin është bërë sot njësh koha dhe hapësira. Kjo nënkupton se në internet kemi sot një hapësirë ekpsozimi për të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, ndërsa rrjetet sociale kanë shënuar kulmin e shtrirjes dhe përdorimit në këtë drejtim. Lehtësia e përhapjes së informacionit aty dhe ku gjithkush flet për gjthçka, ka bërë gjithashtu që ky informacion të ketë shpesh mangësi të mëdha të cilësisë dhe verifikimit.

Filtrimi i informacionit sot është bërë një dramë e madhe veçërisht për fëmijët. Përveç ndërlidhjes mes individëve në internet në nivel global, duke zhdukur kështu distancat fizike, ka një problem me filtrimin e informacionit që qarkullon online. Me rrjetet sociale, sipas Umberto Eco (2015), u është dhënë e drejta e barabartë që të flasin për një çështje një nobelist dhe një “imbecil”, i cili, më parë merrte guximin të flasë për çështje të rendësishme vetëm në një bar të lagjes pasi t’i kishte hedhur nja dy gota verë dhe ata atëherë nuk e dëmtonin shoqërinë. Përkundër anëve pozitive që kanë, rrjetet sociale sot kanë shtuar kolonën e budallenjve dhe problemi këtu mbetet ai i filtrimit (Eco, 2015). Wolton (2009) vlerëson se interneti ka një oqean me informacione, por për çdo ditë shtrohet pyetja se si të vendosen marrëdhënie me dikë në mënyrë sa më të lehtë, lirshme dhe origjinale, sepse në këtë kanal komunikimi të gjithanshëm gjithkush komunikon për gjithçka, ndërsa shpesh besueshmëria lë për të dëshiruar. Interneti është një hapësirë e madhe e lirisë, por edhe perversiteti më i madh financiar, kriminel, mafioz, propagandistik, magazini më i madh i zhurmës dhe manipulimeve që kur informacionet thelbësore nuk janë vërtetuar (Wolton, 2009, p. 55). Të kuptosh rolin që luajnë mediat në zhvillimin e fëmijëve si individë do të thotë të kuptosh marrëdhëniet e brendshme në familjen e fëmijës dhe të menaxhosh jetën e përditshme të tyre (Paus-Hasebrink, I., Kulterer J., & Sinner Ph. 2019.)

Por, teknologjitë dhe interneti paraqesin kryesisht një hapësirë argëtimi për fëmijët. Ata gjithashtu realizojnë edhe komunikime të ndryshme me miqtë e tyre virtualë, por edhe marrin informacione të ndryshme. Këto informacione mund të jenë informacione për shoqërinë, apo dije shoqërore, por edhe dije shkencore online. Të rinjtë vrapojnë në internet për të ushqyer dhe zgjeruar rrjetet e tyre të komunikimit dhe investojnë në këto rrjete një sasi të konsiderueshme të kohës së tyre (Livingstone, 2010, 156). Përdorimi i resurseve globale për t’u përballur me kushtet lokale tregon se njerëzit në shoqëri, e veçanërisht fëmijët, duke pasur parasysh edhe kontekstin kulturor, nuk i interpretojnë njëjtë mesazhet e pranishme në internet apo nuk bëjnë përzgjedhje të njejtë të infomacionit online. Shqetësimet më të mëdha sot janë nga prindërit për fëmijët e tyre, sepse interneti është unik dhe global, por ai përdoret nga kultura të ndryshme dhe kushte të ndryshme sociale të njerëzve në botë dhe fëmijë me edukime të ndryshme. Shkalla e përdorimit varet edhe nga lehtësia apo vështirësia e qasjes në internet që është e ndryshme në pjesë të ndryshme të botës, ndërsa në Europë dominon kryesisht një infrastrukturë mjaft e zhvilluar e qasjes në internet edhe për fëmijët.

Përkundër të mirave të pafundta që ka interneti sot, sa u përket rreziqeve, prindërit gjithashtu kanë perceptime të ndryshme për rreziqet e fëmijës online. Shkallën e ndjeshmërisë e rrisin mediat në radhë të parë, të cilat raportojnë për rreziqet e internetit te fëmijët. Në vendet ku shtypi shpreh shqetësim të konsiderueshëm për rreziqet e përmbajtjes online, do të ketë më shumë shqetësim prindëror për këto çështje në krahasim me vendet ku raportimi i mediave për këto çështje është i ulët (Hasebrink et al. 2010).

Për këto arsye, viteve të fundit është rritur interesimi i studiuesve për raportin ndërmjet adoleshentëve dhe mediave të reja apo rrjeteve sociale. Ata interesohen për kohën që e kalojnë adoleshentët online, por edhe se çfarë konsumojnë ata online dhe si shoqërohen në platformat virtuale. Studime të tjera interesohen për qëllime të realizimit të marketinmgut online, komunikimit politik, ideologjik etj. Në shkencat e komunikimit dhe edukimit kërkimet në përdorimin e internetit nga fëmijët strihen ndërmjet rrezikut dhe dobisë, apo thënë ndryshe, ndërmjet kalimit të kohës, argëtimit dhe përdorimit të fuqisë së komunikimit digjital për gjëra pozitive.

Në Kosovë nuk ka studime të tilla. Por, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës (MAShT) në vitin 2019 ka mbështetur projektin kërkimor “Fëmijët online në Kosovë, përdorimi i internetit dhe eksperiencat” i cili është realizuar nga stafi i Kolegjit AAB në Prishtinë dhe në bashkëpunim me Universitetin për të Huaj të Peruxhas (Itali), i drejtuar nga shkruesi i këtij artikulli, pjesë e të cilit studim do të paraqiten edhe më poshtë. Rezultatet nga ky studim dëshmojnë për një përdorim enorm të rrjeteve sociale, një kohë të gjatë qëndrimi në ekranet e vogla nga grupmosha 11-17, e cila ka qenë target i këtij studimi.

Rreth 60% e fëmijëve 11-16 vjeç me profile në Instagram e Facebook, të ekspozuar ndaj “grabitqarëve online”

Fëmijët kosovarë të moshës 11-16-vjeçare në vend të Facebook-ut siç e përdorin gjerësisht mosha pak më e rritur, përdorin me të madhe Instragramin. Rreth 30 për qind e të anketuarve kanë thënë se kanë një profil në Facebook, por 54 për qind e kësaj moshe kanë thënë se kanë një profil të vetin në Instagram dhe 4 për qind të tjerë se kanë më shumë se një profil në Instragram. Rreth 6 për qind janë përgjgigjur se kanë edhe profile të tjera në rrjete të tjera sociale, përveç Instragmit dhe Facebook.

Telefoni mobil është teknologjia më e përdorur nga kjo grupmoshë nga të gjitha teknologjitë që përdorin fëmijët e kësaj moshe, si kompjuteri, lap-topi apo tablet/iPod. Rreth 92 për qind janë shprehur se kanë një telefon të mençur dhe vetëm 8 për qind kanë thënë se nuk posedojnë një telefon të vetin. Mosha më e vogël, 11-vjeçarët, ishin ata që nuk kishin një telefon të vetin. Me aparatin telefonik ata më shumë rrinë online.

Gjatë ditëve të mësimit (e hënë-e premte)
Vetëm disa minuta në ditë 7 %
Rreth një orë në ditë 16 %
Rreth 1-2 orë në ditë 20 %
Rreth 2 orë në ditë 13 %
Rreth 3-4 orë në ditë 6 %
Rreth 4 orë në ditë 9 %
Rreth 5-6 orë në ditë 20 %
Asnjë 3 %
Nuk e di 6 %

Fig. 1. Koha e kaluar online nga fëmijët e moshës 11-16 vjeç në Prishtinë.

Të gjithë djemtë e moshës 11-16 vjeçare janë përgjigjur pozitivisht se kanë luajtur lojëra kompjuterike, vetëm apo kundër të tjerëve në kompjuter. Prej tyre, 28 për qind e respondentëve kanë thënë se këto lojëra i kanë luajtur për çdo ditë dhe 59 për qind luajnë një apo dy here në javë. Me rrallë se një here në muaj kanë thënë 12 për qind. Në anën tjetër, vajzat, janë pak më pak adhuruese të lojërave kompjuterike sesa djemtë. Rreth 84 për qind e tyre kanë deklaruar se kanë luajtur lojerë të tilla, përkundër djemve që të gjithë janë përegjigjur pozitivisht.

Gjatë 12 muajve të fundit, rreth 42 për qind e kësaj grupmoshe kanë parë ndonjë imazh seksual në internet, në rrjete sociale apo në ndonjë web faqe dhe 31 për qind e të tjerëve janë shpehur se nuk kanë parë një foto të tillë. Pjesa tjetër janë përgjigjur ose se nuk preferojnë ta thonë, ose se nuk e dine, apo 17 për qind. Nga ata që kanë parë, 16.8 për qind shohin imazhe të tilla për çdo ditë apo gati çdo ditë, 12 për qind një apo dy herë në javë, të tjerët më rrallë, si dhe, 15.8 për qind kanë thënë se nuk e dine ose nuk preferojnë ta thonë.

 

 

PO

 

 

JO

Përditë apo gati përditë Një apo dy herë në javë Nuk di/nuk mbaj mend
 

A

Përdor internetin  për detyrat e shkollës

 

76.2 23.8% 17.6 14 % 54
 

B

Shikoj video apo dëgjoj muzikë 87.9 12.1 44 % 18 % 38
C Shoh/shkarkoj filma 57.9 % 42.1 % 14 % 36 % 50
 

D

Lexoj diçka në internet 44 % 54 % 30 % 18 % 52
E Facebook 28 % 72 % 14 % 6 % 12 %
F Instagram 94 % 6 % 86 % 8% 6 %

Fig. 2. Për çka e përdorin internetin fëmijët kosovarë?

Kjo moshë dëshmohet më e aftë se prindërit e tyre për sa i përket teknologjisë informuese, wi-fi apo rregullimit të ndonjë nagtërrese në telefonat cellularë. Rreth 58.8 për qind e nxënësve të kësaj moshe kanë thënë se prindërit u kërkojnë ndihmë teknologjike atyre dhe se ata dine më shumë se prinderit e tyre në këtë fushë, kundrejt 31.2 për qind të cilët janë shprehur se janë më pak të përgatitur se prindërit e tyre.

Përfundime

Më parë fëmijët përqendrimin më të madh e kishin në televizor, më pas në lojëra në ekran dhe së fundmi në tëlefona të mençur të lidhur në internet. Kjo ka shtuar vëmendjen e studiuesve dhe shqetësimin e prindërve për arsye se teknologjia është bërë më pak e menaxhueshme dhe e kontrollueshme nga prindërit në krahasim me njohuritë e fëmijëve të tyre. Edhe fëmijët e Kosovës janë përdorues të mëdhenj të internetit, ndërsa ata janë adhurues më të mëdhenj të mesazhit të lehtë në rrjetet sociale, pra fotografisë. Kjo vërtetohet nëpërmjet rezultatit se 90 për qind e të anketuarve kishin të paktën një profil në Instagram dhe të cilit e kontrollonin gati për çdo ditë. Në dallim prej vendeve europiane ku Facebook është më i përdorshëm në këtë grupmoshë, fëmijët e kryeqytetit kosovar pëlqejnë më shumë foton dhe më pak tekstin. Kjo dëshmon edhe përqindjen e lartë të konsumit të imazhit seksual, ku mbi 30 për qind e kësaj grupomoshe shohin imazhe me përmbajtje seksuale disa here gjatë javës. Gjetjet gjithashtu tregojnë se ka perënduar më koha e kontrollit prindëror nëpërmjet restriksionit të faqeve të internetit siç ndodhte vite më pare në kompjuterat personalë. Sot fëmijët janë shumë më të përgatitur teknologjikisht sesa prindërit e tyre.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu