Ndal!
Mjaft hapësirë keni vënë në dispozicion të mashtruesve dhe gënjeshtrave të tyre.
Analizoni punën tuaj!
Po lejoni politikën dhe politikanët t’iu përdorin si altoparlantë të qëllimit të tyre. Në vetëdijen tuaj, ju e kuptoni çfarë jeni duke bërë, e sërish e mohoni dhe mundoheni të justifikoni këto veprime.
Thoni se qëndrimet e Presidentit duhen publikuar, sepse çdo deklaratë e tij përbën lajm; pohoni se duhet të transmetoni konferencat e këshilltarëve dhe zëdhënësve të tij, ti citoni, sepse ato janë “sytë dhe veshët” e Presidentit dhe dinë se ç’ndodh brenda Shtëpisë së Bardhë.
Po gaboni!
Historikisht, politikanët kanë thënë gënjeshtra por këtë radhë është ndryshe. Qeveritarët i kanë shpallur luftë gazetarisë së ndershme, profesionistëve, fakteve, madje, vetë lirisë së shprehjes në përgjithësi: Po përdorin “fake news” si strategji!
Qëllimi i tyre është që publiku të mos ketë aftësinë për të kuptuar se cila është e vërteta dhe e drejta, që ai të jetë konfuz. Jo vetëm kaq! Qëllimi i tyre është që qytetarët të heqin dorë gazetaria, nga mediat, si pushteti i vetëm i cili mund të kthjellojë këtë mjegullnajë.
Ka ardhur koha që të ndaloni një moment, të reflektoni, të pranoni realitetin dhe të reagoni.
Gazetaria nuk është raportim shterp! Personat që ju mbuloni po mashtrojnë publikun, objektin dhe qëllimin tuaj kryesor të profesionit. Detyra juaj është që të ndihmoni publikun të informohet dhe të kuptojë atë që ligjvënësit, administratorët publik dhe qeveritarët po bëjnë me paratë e tyre, në emër të tyre.
Ju thoni se i lejoni qeveritarët të gënjejnë dhe më pas e refuzoni këtë gënjeshtër. Po ndonjëherë e bëni këtë, por ajo që ju bëni gjithnjë është se refuzoni të cilësoni gënjeshtrën, gënjeshtër! Madje, edhe kur e thoni, përzgjidhni një fjalë paksa më “objektive”, dhe e shkruani “e pavërtetë” edhe pse ju e dini shumë mirë se i gjithë qëndrimi apo deklarata është gënjeshtër.
Megjithatë, as kjo nuk mjafton!
Kërkimet kanë treguar se përsëritja e gënjeshtrës e përforcon atë. Ju thjesht po i jepni jehonë mashtrimeve dhe po i shumëfishoni ato. Duhet të ndaleni dhe të rishikoni edhe njëherë sistemin dhe mënyrën tuaj të punës. Pyetja që lind është: Në një botë ku njerëzit gënjejnë kaq paturpësisht, çfarë duhet bërë që ta frenojmë këtë fenomen dhe të përmbushim rolin dhe qëllimin kryesor të gazetarisë në shoqëri?
Zgjidhja është paksa radikale, për një situatë po kaq komplekse: Mos transmetoni mashtruesit “live” në televizion, në programet televizive të CNN, MSNBC, CBS etj., sepse praktika ka treguar që sa herë dalin në transmetim të drejtpërdrejtë, si këshilltarja e Trump për shembull, thonë publikisht gënjeshtrën e radhës!
Nuk mund të vijojmë përjetësisht kështu!
Mos ftoni asnjë mashtrues kalibri (politikan) në programet tuaja, zgjidhni fytyra të reja. Krijoni një politikë me “tolerancë zero” ndaj gënjeshtrës publike. Nëse kuptoni se edhe të rinjtë po mashtrojnë publikun tuaj, përjashtojini edhe ata nga lista, mos i ftoni më.
Sakaq, gazetarët që publikojnë mashtrimet e tyre duke marrë deklaratat nga Twitter apo Facebook, janë krejtësisht të pajustifikuar. Rregulli i parë që i paraprin publikimit është verifikimi i mesazhit, fakteve, pretendimeve dhe nëse nga “fact checking-u” juaj arrini në përfundim se deklarata është një gënjeshtër mos e publikoni atë. Kjo sigurisht kërkon kohë, por është shumë më e dobishme për ju, profesionin, median tuaj, dhe, mbi të gjitha, për opinionin publik.
E njëjta praktikë duhet ndjekur edhe me presidentin Donald Trump. Mos e fusni menjëherë në transmetim të drejtpërdrejtë! Regjistroni deklaratën për mediat, dëgjojeni çfarë thotë, bëni verifikimet tuaja dhe më pas publikoni të vërtetat dhe gënjeshtrat e tij, duke ia bërë të qartë këtë publikut.
Ky është raportim i përgjegjshëm, që i përmbahet të gjitha parimeve dhe praktikave profesionale të gazetarisë dhe që ndihmon publikun të kuptoj se çfarë po ndodh.
Me pak fjalë, bëni atë që sugjerojnë gazetarët e mediave “fact-checking: Mos e përsërisni gënjeshtrën! Niseni raportimin nga ajo që ju besoni se është e vërtetë. Dhe pasi të keni bërë raportimin tuaj, bashkëngjitni kronikës dhe artikullit deklaratën e plotë, të paedituar, të presidentit Trump.
E vërtetë, do ju ulet audienca, e ndoshta dhe klikimet në faqe. Por në këtë moment ju jeni përballë një vendimi: të zgjidhni mes gazetarisë dhe argëtimit!
Realiteti e pasqyron zgjedhjen tuaj, por nuk më mbetet gjë tjetër veçse të shpresojë se gazetaria dhe gazetarët do të rifitojnë dinjitetin e tyre dhe do të vijojnë ti shërbejnë të vërtetës dhe interesit publik.
Shënim: Artikulli është publikuar në Medium, u përshtat në shqip nga MediaLook.