Pas një procesi të stërzgjatur, Shqipëria ka mbyllur transmetimet analoge në Tiranë dhe Durrës, dy prej qyteteve më të mëdha, ku banojnë rreth 1/3 e popullsisë së Shqipërisë.

Ky zhvillim i rëndësishëm që i hap rrugë transmetimeve dixhitale, pason fikjen e sinjalit analog fillimisht në Berat, për të vijuar me dy qarqe të tjera si Fieri dhe Korça.

Por pavarësisht fushatave që janë ndërmarrë nga AMA për të informuar qytetarët dhe subvencionimit të dekoderave, të paktën në letër, për rreth 80 mijë familje në rang kombëtar me të ardhura të ulta ekonomike, duket se qytetarët shqiptarë janë gjendur të papërgatitur për këtë hap, të cilët kanë mbetur në terr informativ.

Të prekur nga kjo fazë switchover-i, nuk janë vetëm familjet në nevojë, por edhe ata qytetarë të cilët kanë një televizor smart, por pa dekoderin DVB-T2 Universal të inkorporuar. Një argument për këtë janë dhe radhët e gjata të qytetarëve në Tiranë e Durrës për të marrë “në ofertë” një dekoder.

Sa është kostoja që rëndon mbi xhepat e qytetarëve, krahas privimit të një shërbimi që konsiderohet si e drejtë e garantuar nga Kushtetuta, kjo mbetet për tu parë në ditët në vijim. MediaLook do t’i kushtojnë një hapësirë të konsiderueshme këtij procesi, i cili, ndonëse rezulton të jetë shumë i vonuar (Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet e fundit në rajon që nuk kanë kaluar në transmetimet dixhitale), është një domosdoshmëri.

Por çfarë është televizioni dixhital? Cili është impakti i tij te audiencat? A është kjo një fazë e tejkaluar nga koha për shkak të shërbimeve televizive të konverguara? Si ndikon në marketing dhe tregun e reklamave? A ka impakt në programacionet televizive, si ndryshojnë ato?

Këto pyetje e veçanërisht eksperiencat perëndimore në këtë fazë tranzitore të kalimit  nga sistemi analog në atë dixhital, në të cilën Shqipëria duket se po has vështirësi shumë të mëdha, do të trajtohet gjerësisht në vijim të këtij artikulli.

Çfarë është televizioni dixhital?

Kalimi nga transmetimet analoge në ato dixhitale krijon disa avantazhe, ndër të cilat mund të evidentohet: a) lirimi i spektrit të kufizuar të frekuencave dhe përdorimi më efikas i tyre. b)  rritja e cilësisë së transmetimit dhe shërbimeve interaktive televizive; c) zhvillimi ekonomik përmes rritjes së konkurrencës me platformat e tjera kabllore, satelitore ose IPTV.

Në një shpjegim të tij, profesor i njohur i shkencave të komunikimit, Hernan Galperin, e përkufizon kalimin drejt televizionit dixhital si një revolucion në historinë e transmetimeve tokësore:

Tranzicioni nga një botë me spektër të kufizuar frekuencash, platforma me shërbime të njëanshme drejt një bote programesh me kërkesë, terminalesh inteligjente dhe opsioneve të shumta të kanaleve, mund të përkufizohet si procesi i kalimit nga televizioni analog në atë dixhital. E cilësuar si shpikja më e rëndësishme në historinë e kësaj industrie, televizioni dixhital, përfshin rikonfigurimin e një sektori, i cili, përtej peshës ekonomike, luan një rol thelbësor në procesin e demokratizimit dhe zhvillimit të kulturës qytetare. Padyshim, kjo nuk është hera e parë që industria televizive përballet me një riorganizim masiv. Por, në pjesën dërrmuese të rasteve, zhvillimet teknologjike të së shkuarës, si: kalimi nga televizioni bardh e zi në atë me ngjyra apo përmirësimi i sistemeve analoge, kanë sjellë një progres në kufijtë e evolucionit.          
Tranzicioni drejt televizionit dixhital është një gjë krejtësisht ndryshe: po flasim për revolucion! Ai kërkon ndryshimin e gjithë infrastrukturës së prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes se materialit, nga kamerat në studio tek antenat. Kërkohet një qasje e re me prodhuesit e përmbajtjes dhe mbrojtjen e tyre nga thjeshtësimi i shumëfishimit të materialeve me një klikim të vetëm. Kërkohen, gjithashtu, platforma të reja për shikuesit, që të kenë mundësinë të lundrojnë e të përftojnë të gjithë gamën e shërbimeve që ofron ky sistem i ri, ashtu si motorët e kërkimit na mundësojnë sot lundrimin në internet. (Martin Cave, 2006, p. 2)

Problematikat e evidentuara nga studiuesi Galperin, nga ndryshimet në infrastrukturë te të drejtat e autorit dhe interaktiviteti, do të trajtohen më hollësisht në vijim.

Avantazhet dhe problematikat e procesit të dixhitalizimit

Kalimi nga sistemi transmetimeve analoge tokësore në ato dixhitale është shoqëruar me debate e problematika në shumë vende të botës. Natyrisht, çdo shtet ka patur specifikën e tij, pasi ky proces kompleks varet nga disa faktorë: ekonomikë, socialë, infrastrukturorë, por edhe demografik. Por, ne do të ndalemi në disa prej këtyre çështjeve, me qëllim për të sjellë eksperienca të shteteve që mund të vlejnë në rastin shqiptar.

a. Praktikat e digital switchover në SHBA, Europë e Japoni

Një nga problematikat kryesore dhe që në vetvete, përmban disa nënçështje është mënyra sesi duhet të realizohet switchover-i dixhital.

Praktika ka treguar se, përgjithësisht, periudha tranzitore e kalimit nga sistemi analog në dixhital është mbi dhjetëvjeçare. Në SHBA, për shembull, ndonëse procesi i dixhitalizimit nuk ishte i panjohur pati disa shtyrje të afateve. Fillimisht u përcaktua nga Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) që kjo datë të jetë 31 Dhjetor 2006, me të drejtë rishqyrtimi të saj çdo dy vjet. Më pas, afati përfundimtar, që mban dhe firmën e Presidentit Obama, u shty në 12 Korrik 2009, por përsëri nuk u realizua. (Evan Kwerel and Jonathan Levy, 2006, p. 25) Kërkoheshin sërish zgjatje afatesh.

Dy ishin problematikat kryesore: E para lidhet me pajisjen e të paktën 85% të familjeve amerikane me set-top box, aparati që konverton sinjalin dixhital në atë analog. Me qenë se ligji theksonte specifikisht se askush nuk duhet të privohet nga e drejta për këtë sinjal, Administrata Kombëtare e Telekomunikacionit dhe Informimit (NTIA) vendosi të ashtuquajturën set-top box subsity, pra subvencionimin me 40 $ për familje, në mënyrë që të siguronin një aparat të tillë. U përcaktua që në total zëri i këtij fondi të ishte 840 milionë $, me të drejtë rritje deri në 1.34 miliardë $. Me këtë shumë mbulohej thuajse e gjithë popullsia me kupon, rreth 112 milionë familje, që vlerësohet të jetonin në SHBA, në vitin 2007. Pritoritet në marrjen e një kuponi të tillë kishin disa shtresa në nevojë me mundësi të pakta ekonomike si të moshuarit, pensionistët, personat me aftësi të kufizuar, emigrantët dhe familjet në zonat rurale, të cilët ishin më të predispozuar për të përdorur antenën në vend të kabllit apo satelitit.

Elementi i dytë ishin kategoria e të ashtuquajturve mikro operatorëve. Në këtë grup bënin pjesë rreth 120 televizione, kryesisht në zona rurale, që u lejuan të vijonin transmetimet analoge tokësore deri në 1 Shtator 2015, për shkak të mundësive të pakta financiare për të ndryshuar infrastrukturën.

Gjatë periudhës tranzitore, veçanërisht mes viteve 2006-2008, në SHBA ka patur teste të vazhdueshme në simulcast të sistemit të ri dixhital.

Këto masa në Amerikë u morën në funksion të tre arsyeve kryesore. E para, për të ofruar një shërbim të plotë dhe më të mirë për shikuesit; E dyta, për të mbajtur të ndara platfomat në mënyrë që të konkurrojnë dhe me ato satelitore e kabllore; E treta, për të liruar spektrin e frekuencave, një pjesë e të cilave u nxorrën në ankand.

Ndërkohë, Evropa ofron modele të ndryshme për kalimin nga sistemi analog në atë dixhital. Në këtë kontinent shtetet ndahen në dy grupime të mëdha:

  1. Shtetet në të cilat transmetimet tokësore kanë shtrirje më të madhe në vend, siç ndodh në Francë, Itali, Britani, Spanjë e Greqi;
  2. Vendet ku transmetimet tokësore përbëjnë sistemin dytësor pas platformave satelitore e kabllore. Kështu ndodh në Zvicër, vendet skandinave e ato të Beneluksit, apo dhe në Gjermani.(Gilles Fontaine & Gerard Pogorel, 2006, p. 65)

Në kategorinë e parë procesi i dixhitalizimit është më i komplikuar. Sfida ka qenë e madhe për shkak se infrastruktura dhe përshtatja e shikuesve, që përbëjnë pjesën dërrmuese, me një mënyrë të re të të parit televizor duhej realizuar në një kohë më të shkurtër. Ndërsa në kategorinë e dytë, situata paraqitej më e menaxhueshme duke patur parasysh se tashmë popullsia ishte e integruar në platforma të tilla të dixhitalizuara satelitore apo kabllore. Megjithatë, transmetimet tokësore dixhitale mund të sillnin dhe një hov të ri në ekonomi, për shkak të rritjes së konkurrencës.

Sfida e parë që paraqitej është mbulimi me sinjal dixhital i 85-90% të popullsisë. Dy studiuesit Fontaine e Pogorel theksojnë se për të plotësuar këtë proces, pra të konvertimit të sinjalit dixhital duhet një modul i nevojshëm në çdo shtëpi. Ata thonë se ka dy mënyra për të nxitur qytetarët të pajisen me një set-top box. E para është të kushtëzosh shërbimin me marrjen e një aparati të tillë, duke mos lënë mundësi të tjera; ndërsa, opsioni i dytë, është nxitja e tyre për ta blerë modulin. Për këtë të fundit shtete si Gjermania e Italia kanë ofruar subvencione për marrjen e këtyre aparateve. Në SHBA e Japoni, krahas ndihmës ekonomike për shtresat në nevojë, marrja e një set-top box-i është nxitur nga futja e shërbimit HDTV si një risi teknologjike. Në Holandë e Gjermani u propoganduan opsionet e reja të Transmetimeve Tokësore Dixhitale duke vënë theksin te mundësia e një shërbimi portabël. Në Itali ndërkohë, u nxit shitja e set-top box-it me ofertat pay-peer view për ndeshjet e futbollit. (Gilles Fontaine & Gerard Pogorel, 2006)

Por, kjo është njëra anë e medaljes evidentojnë studiuesit Fontaine e Pogorel. Sipas tyre, sfida tjetër mbetet ajo e përfshirjes së shikuesve në të gjitha opsionet që ofron televizioni dixhital. Për këtë arsye, ato popozojnë një periudhë transmetimi të dyfishtë, ose ndryshe simulcast, në mënyrë që shikuesit të integrohen sa më shpejt dhe faza tranzitore të jetë më e shkurtër. Për të realizuar simulcastin nevojitet që autoritetet të vendosin në dispozicion frekuenca të reja.

Ndërsa në Japoni kalimi nga transmetimet analoge tokësore në ato dixhitale u krye me dy faza. Në vitin 2003, kur nisi ky proces, u caktua që ndërrimi i sistemit do të realizohej në tre rajonet kryesore: Tokio, Osaka dhe Nagoja. Procesi zgjati deri në fund të vitit 2006 nën asistencën ekonomike të shtetit, për të ndërtuar infrastrukturën teknike. Ndërkohë, krahas subvencioneve për të blerë aparatin marrës, shikuesve iu prezantua një sistem i ri televiziv i bazuar në tre risi:

  1. Transmetimet tokësore dixhitale (DTT) mundësojnë dërgimin e sinjalit në telefon;
  2. Figura është HD;
  3. Sinjali është shumëdrejtimësh dhe mundëson interaktivitetin.

Me eksperiencën e tre rajoneve kryesore, procesi i dixhitalizimit për të gjithë sistemin e transmetimeve ishte parashikuar të ndodhte më 24 Korrik 2011. Ai u shty me një vit në rajonet e goditura nga tërmeti dhe cunami në Mijagi e Fukushima dhe përfundoi në vitin 2012. (Kiyoshi Nakamura & Nobuyuki Tajiri, 2006, pp. 121-130)

b. Përmbajtja, audienca, tregu dhe Menaxhimi i të Drejtës Dixhitale 

Teknologjia dixhitale ka ndryshuar tërësisht industrinë e transmetimit dhe ekonominë e saj. Tashmë kufijtë mes informacionit, kompanive të telekomunikacionit dhe operatorëve televiziv kanë rënë. Në vitin 1995, Negroponte parashikoi që komunikimi me telefon mund të bëhej përmes wireless-it, ndërsa televizioni do të bëhej me kabëll. Sot zhvillimet e teknologjisë dixhitale kanë avancuar me ritme shumë herë më të shpejta se parashikimi i Negropontes. Tashmë, televizori mund të shihet nga një telefon celular, ndërsa telefonata mund të bëhet përmes televizorit. Ndërvarësia e pajisjeve fikse dhe atyre të lëvizshme është rritur gjithnjë e më shumë.

Siç evidentonte Galperin në përcaktimin e tij, në transmetimet dixhital kërkohet një qasje e re ndaj audiencës e cila është në një komunikim horizontal me prodhuesin e përmbajtjes. Studiuesi Nakamura pohon se tashmë është shikuesi dhe kërkesat e tij që përcaktojnë të ashtuquajturin killer content, të drejtat ekskluzive që do të blihen në sport e formate reality, por, dhe programet që do të prodhohen.

Por, investimi në prodhim, sikurse ai në infrastrukturë e teknologji të reja kanë kosto shumë të mëdha për operatorët që, nga ana tjetër, falë pluralizmit të kanaleve në sistemin dixhital kanë dhe të ardhura më të ulta nga reklamat. Në këtë moment, shkruan Prof. Alfredo Del Monte, operatorët ndodhen përpara dilemës “pula-vezën apo veza-pulën”. Sipas tij, televizionet në ekranin dixhital përballen me rritjen e numrit të kanaleve, të cilat reduktojnë audiencën për kanal, e rrjedhimisht dhe pagesat nga reklamat.

Ndryshe nga sa ndodhte dikur me sistemin analog, ku reklamuesit kërkonin të paguanin kohën televizive në prime time për të arritur një audiencë maksimale, sot, një gjë e tillë është shumë më e vështirë. Sipas Del Montes, shtimi i kanaleve sjell profilizim të tyre. Kjo, vijon ai, ndryshon dhe politikat e marketingut nga mas në mikro-marketing. Kompanitë e reklamave tashmë janë të orientuara drejt segmenteve të caktuara të tregut. Ky model është provuar në internet. Reklamimi në linjë përbën një tjetër kërcënim për reduktimin e të ardhurave financiare në modelin e ri televiziv.

Sakaq, të ardhurat nga shërbimet interaktive që ofron televizori dixhital si, video on demand (video me kërkesë) apo pay peer view (televizion me pagesë) cënohen edhe nga një fenomen i vjetër, por shumë herë më problematik në epokën dixhitale, ku mundësia e kopjimit të materialit me cilësi maksimale, dhe, më pas, e shpërndarjes së tij në internet varet nga një klikim. (Campbell Cowie & Sandeep Kapur, 2006, pp. 162-167)

Krahas dëmit financiar për operatorin, kopjimi ilegal cënon jo vetëm të drejtat e autorit për prodhime individuale, por edhe pronësinë intelektuale, kur kemi të bëjmë me vjedhje të programeve patente. (Koji Domon & Eulmoon Joo, 2006, p. 188)

Për këtë arsye, shtete të caktuara kanë prezantuar të ashtuquajturat skemat copy-control (kontrolli i kopjimit) apo digital rights managment (menaxhimi i të drejtës dixhiitale) të cilat kufizojnë, por nuk frenojnë problemin e piraterisë.

Disa përfundime

1.Televizioni dixhital përbën një revolucion në industrinë e medias televizive. Ai transformon:

  • Infrastrukturën e prodhimit dhe shpërndarjes së sinjalit;
  • Rrit cilësinë e transmetimit;
  • Liron spektrin e kufizuar të frekuencave;
  • Krijon një raport horizontal me audiencën;
  • Transformon ekonominë e medias.

2. Eksperiencat nga SHBA, Europa e Japonia në procesin e switchover-it dixhital tregojnë se:

  • Edhe në shtete me infrastrukturë të zhvilluar si Japonia procesi i kalimit nga sistemi analog tokësor në atë dixhital është ndarë në disa faza me rajone;
  • Në këtë proces ekspertët rekomandojnë simulcastin, një periudhë transmetimi e dyfishtë. Kjo praktikë është ndjekur edhe në SHBA, një vend që kishte njohur platforma dixhitale satelitore e kabllore, para procesit të dixhitalizimit tokësor.
  • Shtete si SHBA, Japonia, Italia apo Gjermania kanë subvencionuar set-top box, ose aparatet që konvertojnë sinjalin nga digital në analog, veçanërisht për grupet sociale me të ardhura të kufizuara financiare.
  • Vendet nga SHBA-ja në Japoni kanë ndërmarrë një fushatë informimi për shikuesit, duke i njohur ata me risitë dhe benefitet e televizionit dixhital. Kjo metodë përdoret dhe për të përfshirë shikuesin në një marrëdhënie të re, interaktive, dhe, për të shkurtuar periudhën tranzitore.

3. Dixhitalizimi i transmetimeve tokësore sjell:

  • Krijimin e një raporti të ri horizontal mes prodhuesit të përmbajtjes dhe audiencës. Tashmë është shikuesi që përcakton produktin televiziv që dëshiron të shikojë.
  • Shtim të numrit të kanaleve, rritje të konkurrencës dhe reduktim të të ardhurave nga reklamat;
  • Koncepti i kompanive të reklamave ndryshon nga mas në mikro-marketing, duke u fokusuar te segmente të caktuara të tregut;
  • Rrezik më të madh nga pirateria që dëmton biznesin dhe pronësinë intelektuale. Sistemet teknike copy-control apo DMR, e kufizojnë por nuk e frenojnë këtë fenomen.

Shënim: Ky artikull është publikuar nga autori në librin “Dixhitalizimi  i transmetimeve  televizive tokësore: Sfida, paradoske, shpresa”, me iniciative të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në UT, në bashkëpunim me AMA, IPAG – Francë, Ladyss- CNRS – Francë.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu