Komisioni Europian për Demokraci përmes Ligjit, i njohur gjerësisht si Komisioni i Venecias vlerësoi përmes një opinioni të miratuar më 18 qershor se ligji i qeverisë shqiptare për rregullimin e medias online është i paqartë dhe ka rrezik të sjellë efekt frikësues, duke ndrydhur debatin e lirë dhe debatin politik në internet.
Opinioni i Komisionit të Venecias rendit një mori të metash mes amendamenteve të miratuara njëherë nga Parlamenti i Shqipërisë, ndërsa thekson se drafti aktual mbart rrezik potencial për të bërë “më shumë dëm sesa mirë për lirinë e shpehjes në Shqipëri”.
Përkufizimet e paqarta për subjektet që do të preken nga ligji i propoganduar nga kryeministri Edi Rama si “paketa antishpifje”, dhënia e fuqive të mëdha një institucioni që nuk garanton pavarësi nga partitë politike apo interesat e korporatave të mëdha mediatike si AMA si dhe gjobat joporpocionale janë disa prej kritikave kyçe të Komisionit të Venecias.
“Këto fuqi të reja nuk duhet t’u jepen këtyre organeve, pa siguruar më parë se ato janë mjaftueshëm të pavarur nga partitë politike, bizneset e mëdha të medias dhe interesat e korporatave të lidhura me politikën,” thuhet në opinion.
Përmes opinionit të miratuar të enjten, Komisioni i Venecias i dha të drejtë betejës 1-vjeçare të organizatave vendase dhe atyre ndërkombëtare të medias si dhe institucioneve ndërkombëtare –të cilat i kërkuan në vazhdimësi kryeministrit Edi Rama që të tërhiqte draftet, duke i konsideruar ato ligje censure.
Përmes një statusi në Facebook, Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe të Shtypit, ECPMF, e konsideroi “një fitore të madhe” opinionin e Komisionit të Venecias të premten, ku theksohej se amendamentet nuk janë gati për votim në formën e tyre aktuale.
“Ne i kërkojmë kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama që të implementojë rekomandimet dhe të garantojë që çdo ndryshim legjislativ i mëvonshëm të draftohet në mënyrë transparente, me përfshirjen e plotë të gazetarëve dhe shoqërisë civile dhe në respektim të standardeve ndërkombëtare,” tha organizata.
Por kryeministri Edi Rama duket se i bëri një lexim të vetin opinionit, ndërsa i shprehu mirënjohje Komisionit të Venecias dhe paralajmëroi adresimin e sugjerimeve në ligj.
“Tani pa humbur kohë të adresojmë në Kuvend sugjerimet e vyera dhe të garantojmë me ligj të drejtën e çdo njeriu për t’u mbrojtur nga shpifja, si dhe detyrimin e çdo portali për t’u identifikuar si subjekt i ligjit,” shkroi Rama përmes një postimi në Twitter.
Ligji për Mediat Audiovizive dhe ai për Komunikimet Elektronike u miratuan me shurdhëri nga mazhoranca në seancën e fundit parlamentare, pavarësisht protestave të komunitetit të gazetarëve dhe organizatave vendase dhe atyre ndërkombëtare për median.
Projektligjet u kthyen në parlament për rishikim si jo- kushtetuese nga Presidenti Ilir Meta më 30 janar, ndërsa mazhoranca e përmbysi veton e presidentit për ligjin “Për komunikimet elektronike’, ndërkohë që nuk e votoi ligjin “Për media audiovizive”, duke u shprehur se do të priste opinionin e Komisionit të Venecias.
Ndërsa këshillon kundër zgjerimit të mandatit të AMA-s mbi median online pa forcuar më parë pavarësinë dhe profesionalizmin e saj, Komisioni i Venecias inkurajon autoritetet shqiptare që të mbështesin krijimin e organeve vetë-rregulluese të medias si dhe zbatimin me efikasitet të legjislacionit aktual në luftën kundër shpifjes dhe gjuhës së urrejtjes.
Në opinion analizohen gjithashtu parimet mbi të cilat mund të bëhen ndryshime të tilla ligjore me efekt në lirinë e shprehjes.
“Rregulla të tilla duhet të imponohen nga një organ vërtet i pavarur dhe profesional. Sanksionet duhet të jenë proporcionale dhe duhet t’i nënshtrohen shqyrtimit të plotë gjyqësor,” thuhet në opinionin e Venecias.