Në funksion të hulumtimit me temë “Ndikimi i interesave ekonomike të pronarëve të medias vizive në raportimin e lajmit” Qendra Shqiptare MediaLook ka krijuar një databazë të dhënash e cila reflekton disa nga problematikat që evidentohen në televizionet vendase.
Grumbullimi i informacioneve në funksion të hulumtimit është realizuar përmes kryqëzimit të variablave, të siguruara nga monitorimi i televizioneve kombëtare, mbledhja dhe përpunimi i të dhënave kuantitative mbi bizneset pranë QKR-së sipas lidhjeve lineare dhe të tërthorta, të kombinuara me informacione kualitative të siguruara nga gazetarë, agjenci dhe punonjës në institucione publike. I gjithë ky produkt është pasqyruar në tabela, grafikë dhe skema interaktive në një databazë online.
Në parantezë duhet evidentuar se objekti i hulumtimit është përqendruar në tre televizionet kombëtare duke u nisur nga rëndësia, mbulimi dhe impakti që këto OSHMA kanë në opinionin publik, e dhënë kjo që buron nga fakti që ato zotërojnë një licencë kombëtare por dhe nga të dhënat e raporteve të organizatave vendase e të huaja sipas të cilave këto shoqëri përfitojnë më shumë se gjysmën e shpenzimeve që gjenerohen nga tregu i reklamave. Megjithatë, Qendra Shqiptare MediaLook nuk pretendon në asnjë moment se raportimet me natyrë tregtare janë një fenomen që kufizohen vetëm në televizionet e marra në analizë.
Për t’u rikthyer në shpjegimin e metodës së parë, MediaLook ka kryer një monitorim të edicioneve kryesore informative të orëve 19 dhe 19 e 30, në faqet zyrtare në YouTube të tre televizioneve kombëtare Top Channel, TV Klan e Vizion Plus. Vëzhgimi ka mbuluar një periudhë tre mujore të lajmeve, nga data 1 tetor – 31 dhjetor 2018. Nga përpunimi i të dhënave rezulton se në total janë parë 276 edicione informative. Pra, bëhet fjalë për 138 orë transmetimi të shkarkuara ose 8280 minuta të analizuara. Nga ky total, janë evidentuar të paktën 84 minuta kronika me natyrë tregtare, sa tre edicione informative. Të gjitha këto lajme janë ngarkuar në databazën e krijuar prej Qendrës Shqiptare MediaLook, duke i bashkëlidhur informacionet bazike mbi temën, datën e transmetimit, minutat e transmetimit dhe lidhjen hiperlink me edicionet e lajmeve në kanalet respektive në YouTube.
Gjithashtu, MediaLook ka aksesuar dhe analizuar mbi 250 dokumente zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit për periudhën Tetor-Dhjetor 2018, ligjin dhe aktet nënligjore “Për Mediat Audiovizive”, raporte e buletine nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, vendime të aksionarëve të shoqërive të mara në analizë, studime të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, Reporterëve pa Kufij & BIRN Albania, të dhëna faturash mbi disbursimin e parave nga dikasteret publike si Ministria e Kulturës, Shëndetësisë, etj., dhe raporte të organizatës Freedom House. Nga përpunimi i këtyre dokumenteve janë realizuar dy skema në formën e pemës gjenealogjike të lidhjes së bizneseve parësore, dytësore e më gjerë, një prej të cilave është pasqyruar dhe në databazë. Gjithashtu është realizuar një grafik me fitimet vjetore të këtyre televizioneve për periudhën 2013-2017. Pjesa dërrmuese e këtyre dokumenteve zyrtarë janë ngarkuar në platformën online.
Krahas të dhënave kuantitative dhe kualitative që janë evidentuar më sipër duhet thënë se analiza është mbështetur dhe në një literaturë të autorëve më në zë bashkëkohor mbi standardet e raportimit të lajmit dhe ekonomisë së medias, ndër të cilët mund të përmendim Alex S. Jones, Bill Kovach, Victor Pickard e Gillian Doyle.
Akseso databazën duke klikuar mbi foto: